Detyrë kryesore e folklorit
dhe e folkloristikës është mbledhja
dhe studimi i traditave popullore, duke nënkuptuar
për traditë jo vetëm besimet dhe opinionin
që ka populli i pakultivuar për faktet dhe
dukuritë e universit, por edhe zakonet e përditshme,
për ceremonitë e festave të ndryshme,
si edhe manifestimet estetike të çfarëdo
lloji.
Kur flasim për zanafillën e folklorit, duhet
ta kemi të qartë se ai nuk lind vetëm,
por së bashku me elemente të tjera me të
cilat është i lidhur, kështu ai lind
edhe me elemente që i përkasin etnografisë
(zakone, ritet e ndryshme etj.), që i përkasin
muzikës, valles etj.
Dhe i parë në këtë tërësi,
si dukuri artistike dhe jetësore lidhur me jetën
e njeriut primitiv, mund të themi se folklori
është i vjetër sa vetë njeriu.
Ai lindi si një nevojë e brendshme e këtij
njeriu primitiv, në krye, jo si dukuri artistike
e pastër, por si një fenomen që ishte
i lidhur drejtpërdrejt me jetën e tij, me
mbijetesën e tij, me sigurinë për jetën
etj. Me një fjalë, e thënë ndryshe,
njeriu primitiv, i pafuqishëm në mes të
forcave të ndryshme të realitetit, duke
e menduar botën të populluar nga shpirtra
(faza e animizimit), nga shpirtra që ishin në
të mirë të tij, që, së paku
kështu i ngjante atij, e ndihmonin për të
kapërcyer vështirësitë që
ai haste në jetë, që e ruanin nga e
keqja, rreziqet e jetës, e ruanin nga sëmundja,
e ruanin nga thatësira, i falnin pjellori si
atij ashtu edhe tokës, por edhe shpirtra që
ishin të ligj, që, së paku kështu
i ngjante atij, kishin ngritur pusi dhe donin ta goditnin
nga çasti në çast, shpirtra ziliqarë
e tekanjozë, që mund t'i dërgonin sëmundjet
dhe vdekjen, mund të bënin që prodhimet
të mos ishin të mbara, që gjahu të
mos ishte i mbarë etj. Për t'u dalë
përpara këtyre fatkeqësive, për
të siguruar shëndet e pjellori si për
vete ashtu edhe për natyrën, njeriu primitiv
u mundua me anë të lutjeve dhe yshtjeve
magjike, të bëjë për vete shpirtrat
dhe të ruhet nga çdo e ligë. Pikërisht
nga këto rite primitive fetare e magjike lindin
krijimet e para folklorike. Një gjë e tillë
mund të hetohet edhe sot në popujt primitive
të Afrikës apo të Amerikës së
Jugut, ku riti magjik është ende i gjallë
dhe kryhet me anë krijimesh të vërteta
folklorike. Nga ana tjetër, kjo mund të
vërehet te mbeturinat e këtyre riteve magjike
që kanë arritur gjer në ditët
tona dhe që duhen pasur parasysh kur duam të
shpjegojmë, edhe në folklorin tonë,
shumë këngë të vjetra që
na kanë mbetur si nga ritet e motmotit ashtu
edhe në shumë këngë të lidhura
me ritet e dasmës etj.
Nga këto që thamë, kuptohet se folklori
lindi në gji të natyrës dhe mes njerëzve
që jetonin në gji të natyrës,
mes atyre që punonin tokën apo mbarështronin
bagëtimë dhe jetonin me këto prodhime,
pra lindi e u zhvillua në mes të fshatarëve.
Më pas krijimet folklorike, edhe pse njeriu përparoi
dhe shkenca bëri të vetën, duke lehtësuar
jetën e punën e njeriut, nuk u shuan, ndonëse
karakteri i tyre ritual e magjik erdhi përherë
e me tepër duke u pakësuar në mos zhdukur
fare. Në këtë fazë të dytë,
në kohën e qytetërimit, krijimi folklorik
është më shumë një vepër
artistike se sa një veper rituale fetare. Kjo
shpjegon, nga ana tjetër, jetëgjatësinë
e folklorit, ruajtjen e tij deri në ditët
tona, madje dhe gjallërinë e tij në
mjaft aspekte, sidomos si mbështetës për
artin e kultivuar. Dalngadalë lindën edhe
njerëz që merreshin kryesisht me krijimin
e këtyre këngëve popullore: të
tillë mund të përmendim aedët,
rapsodët, trubadurët, truverët, menestrelët
etj. dke filluar nga Homeri e duke mbaruar deri te
Osiani skoces e deri te rabsodët e këngëtarët
tanë. Tashti folklori është një
krijim artistik që kryen një funksion krejt
tjetër nga ai i pari. Megjithatë shtresa
e parë e folklorit (legjendat, këngët
e riteve, përrallat, proverbat etj.) mbetet një
relike e fosile të gjalla këto krijime ruhen
e kalohen ende sot e kësaj dite nga një
brez në tjetrin jo vetëm si vepra artistike,
por edhe si elemente të qenësishme që
flasin për origjinalitetin e një kombi,
për identitetin kombëtar të një
populli.
Rubrika pregatit për A.N.G. nga: Denis Zavalani