Faqja Kryesore  >> Folklor  >> Fjale te Urta
 

Fjalë të Urta

   
   
   
   
   
   
 

 


 

Hyrja

Proverbat janë fraza të shkurtra që shprehim me pak fjalë fílozofìnë popullore (urtinë popullore). Pikërisht për këtë, ato thirren nga popuffi edhe fjalë të urta.
Proverbat janë të përhapur në të gjithë botën dhe nuk ka dyshim se midis tyre hasen edhe ngjashmëri apo identitete. Megjithatë, çdo popull ka proverbat e tij, të ndërtuara sipas psikologjisë dhe përvojes së tij jetësore, filozofike e historike. Nganjëhere është e lehtë të caktohet pak a shumë një moshë për një proverb të caktuar, por në më të shumtën është e vështirë aq më tepër që në rrymë të kohës, proverbat edhe evoluojnë e mund të marrin edhe trajta disi të ndryshme. Kështu p.sh., për proverbat që përmend Bardhi në librin e tij (ta zemë, "Ku shkel turku, nuk mbin bar"), mund të themi se së paku ato datojnë që nga viti 1635, ndonëse mund të jenë edhe më të vjetër. Një proverb si "Harro mushkë Valarenë se Ali Pashanë na e prenë" duhet të jetë së paku i vitit 1822. Si rregur një proverb që haset në Shqipëri, haset pak a shumë i njëjtë te arbëreshët e Italisë etj. duhet të jetë i vjetër së paku duke datuar nga shekulli i largimit të arbëreshëve nga Shqipëria. Kështu, p.sh., ndodh me proverbin "Lisi bën mëkan' e dega e klá" (De Rada 1866) që haset edhe te Mitko e Dine "Lisat bënjën mëkata, degatë qajnë" (Dine, 1908) etj. Edhe prania e turqizmave mund të jetë dëshmi e moshës: të tillë proverba mund të kenë lindur pas pushtimit otoman të Shqipërisë, por kjo nuk largon mundësinë që këto proverba të kenë lindur më parë e më pas të kenë pësuar këtë transformim të lehtë që nuk prek brendinë, por vetëm anën e jashtme. Të tillë proverba mund të jenë, p.sh., "Gjën'e neqezit e gëzon xhymerti", "Kush të det me ba sefa, gjen dehallin ndë shtëpi', "Gjëj'e turkut, haj' e ujkut etj. Interesant është në këtë vështrim, mbasi tregon pikërisht fazën e evoluimit të tij, proverbi që hasim te "Dorëshkrimi i Pragës" i Mitkos: "Goja verë, barku grunar" që në popull sot haset në formën "Goja behar, barku grunar". Nuk është çudi që korrigjimin prej puristi ta ketë bërë Mitkoja, mbasi te Dineja proverbin e gjejmë në formën e dytë, pra me turqizma.
Proverbat hasen në formën e një vargu apo të dy deri tri vargjeve si edhe në formën e një fraze në prozë. Është mirë, ndërkaq, që të mos ngatërrohet proverbi me shprehjen popullore, mbasi proverbi, veç të tjerave, ka një kuptim të plotë në vetvete, kurse frazeologjia është një shprehje që e merr kuptimin kur lidhet me një frazë tjetër, bëhet pjesë e kësaj fraze, mbasi në vetvete nuk është e mbaruar si frazë. Kështu, p.sh., "për mustaqet e Çelos është një shprehje frazeologjike e jo një proverb.
Proverbat shqiptarë janë të pasur me mendime dhe shprehin përvojë të gjatë. Ata janë përhapur në tërë Shqipërinë, por duhet thënë se Kruja e malësia e saj shquhen për proverba me të vërtetë të bukur dhe të ndërtuar me hollësi artistike (p.sh., "Gjithkuj ia di trani e carani", "Rrena qet tym, e vërteta flakë", "Në rranxa gjinet fullanxa", "Pyka e re shtyn të vjetrën", "Byrekun që s'e ha, për mue u djegtë", "Peshk' pa halë e shpi pa fjalë, s'ka" etj.).
Proverbat flasin për dukuri dhe situata të ndryshme në jetën e njeriut. Në to shpaloset qartë filozofia e popullit dhe ne gjejmë në to vlerësime për shumë dukuri e anë të jetës. Në këtë vështrim ato janë mësime të vërteta megjithatë do të ishte punë e kotë të orvateshe e të gjeje një konsekuencë të plotë në të gjitha proverbat: shpeshherë për të njëjtën dukuri mund të hasen vlerësime të ndryshme, madje edhe të kundërta. Kjo vjen nga fakti se proverbat janë krijuar nga njerëz e shtresa të ndryshme dhe për këtë nganjëherë është e vështirë të shmangen ndryshimet. Sidoqoftë ka proverba që flasin për jetën, për dukuri shoqërore për natyrën e njeriut, për cilësitë dhe të metat e tij, për natyrën, për familjen, për detyrat e secilit etj. Madje, shpesh, mbledhësit e folklorit përpiqen t'i renditin ato duke i ndarë në grupe sipas tematikës që ato trajtojnë. Kështu veprojnë një pjesë, mbasi një pjesë tjetër i rendit sipas rendit alfabetik (duke marrë për bazë fjalën e parë) duke qënë se mendojnë që proverbat nuk mund të kufizohen nga ana tematike, mbasi përdorimi i tyre në praktikë nuk njeh tematikë dhe praktikisht përshtatet në mënyrë figurative për shumë situata e dukuri të ndryshme. Sidoqoftë një farë organizimi i tyre nevojitet kur ato mblidhen për të bërë më të volitshëm përdorimin e tyre. Kështu veprojnë mbledhësit më të shquar të proverbave tanë, siç kanë qenë Kolë Kamsi me "Goja e popullit" (1943), Sotir Kolea me "Një tufë proverba" (1944) etj.
Përsa u përket formave të proverbave mund të përmendim disa prej tyre..

1) Një varg i thjeshtë i ndarë në dy hemistëkë të rimuar:
Buk'e hi e ndë shtëpi. Gjen shesh, bën përshesh. Ferra e nisi, ferra e grisi.
Po mund të jenë edhe dy vargje:
Bukuria s'është për fis,/ po kush di e kullandris. Kurë nuk e ke zanat,/ mos u bën hoxhë në fshat.
Edhe tristikët nuk janë të rrallë:
Ia dha drurit, u tha,/ ia dha gurit, u ça,/ ia dha njeriut - dhe e mbajti. Ku hanë e s'apin, ku flet e s'të dëgjojnë,/ zot ynë mos të shtiftë!
Në te gjitha këto raste, vargjet dhe sidomos rimat, janë mjete
mnemoteknike (që shërbejnë për kujtesën, për t'i mbajtur mend). Sidoqoftë është me vend të themi këtu që zakonisht me anë të rimës (qoftë kjo edhe e brendshme) vihen në dukje fjalët më të rëndësishme, ato që bartin idenë e proverbit. Shembujt e mësipërm e tregojnë këtë. Ja dhe një shembull me një rimë të brendshme të qartë: "Nëma e solli, gjëma e mori".

2) Vendin e rimës mund ta zërë aliteracioni, ky jo vetëm në proverba që kanë formën e vargut po edhe në ato që kanë formën e një fraze në prozë.
Çdo mizë nuk bën mjaltë. Ngordhi macja, u ngjall miu. Ka të keqen e kalorësit, se i varen këmbët.
3) Shpesh hasen proverba në formë antiteze, kontrasti: Bëri të pjellë, dështoi. Vdis pa të dua. Keq me burrë, keq pa burrë.

4)Formë tepër e përdorur është ajo e pyetjes.
Ku di dhia ç'është tagjia? Ç'la dimri të marrë morteja?
Ka raste kur pyetja ka edhe përgjigjen të shprehur: Zure gjarprin? Shtypi kokën. Polli kau? Të rruat viçi.

5) Herë-herë proverbi ka formën e një morali fabule.
Në mos gjeça konop gjetiu, po vi Pashë e virrem te ti. Miun s'e nxinte vëra, hiqte dhe kungullin pas. Shumë herë dhe dhelpra q'është aqë dinake, zihet për katër këmbësh. Shpinin ulkun ta pagëzonjën e ay u thosh: "Ja dhentë tek na turbullojnë ujët!".

6) Shpesh proverbi ka formën e një rregulle jete apo të një neni të kanunit të maleve:
Gusht e gunë. Prilli këndon bilbili. Marsi çan lëkurët shkurti shkurton urët. Gjaku ujë s'bëhet. Gjumi i tepërt, rroba të vjetra.
Shpeshherë proverbat kalojnë nga letërsia e shkruar dhe bëhen popullore. Shumë vargje të N.Frashërit janë bërë proverba (Punë, punë natë e ditë që të shohim pakëz dritë). Një proverb që e gjejmë te Mitkoja "Duaj, të të duan" duket qartë se vjen nga Shën Agostini "Si vis amari, ama" etj. në të tilla raste kemi maksima që kthehen e bëhen proverba popullore..

Fjalë të Urta


 

 

PĖRSHTYPJET  ::  KUSH JEMI  ::  KONTAKTO  ::  FORUM  ::  CHAT

Albanian Network Group - 2003