Proza gojore është shumë
e zhvilluar. Ajo paraqitet në forma të ndryshme.
Një nga format më të përhapura
e më të njohura, është pa dyshim
përralla. Përralla është një
tregim i trilluar, plot fantazi dhe elemente të
çuditshme në subjekt me anë të
së cilës paraqiten mendimet dhe ëndërrimet
e njerëzimit në formë alegorike. Përrallat
nuk nisen, si ndodh me këngët legjendare,
nga një fakt i vërtetë (ndoshta edhe
historik) që legjendarizohet, por nga një
trill i plotë, që megjithatë mban kurdoherë
lidhje me probleme, me situata, me mendime filozofike,
morale, shoqërore, estetike etj. të jetës
njerëzore. Përrallat tregohen në prozë
dhe kanë, domosdo, strukturën dhe elementet
e tyre. Ato janë të përhapura në
të gjithë botën dhe janë tepër
të pëlqyera si për vlerat e tyre filozofike,
ashtu edhe për vlerat e tyre didaktike. Pikërisht
për vlerat e saj të gjithanshme, përralla
ka tërhequr vëmendjen e shkencëtarëve:
me të merren folkloristët, etnografët,
psikologët, letrarët etj. Etnografia e studion
përrallën si dokument kulturor e historik
dhe merret me rolin e saj në shoqëi, psikologjia
e sheh përrallën si shprehje të proçeseve
shpirtërore, ndërsa shkenca e letërsisë
përpiqet të përcaktojë se ç'është
ajo që e bën përrallën të
jetë e veçantë edhe brenda llojeve
të prozës gojore. Ajo synon të përcaktojë
elementet më të qenësishme të
këtij lloji dhe, ashtu si etnografia, të
kërkojë zanafillën e saj.
Përrallat shqiptare shquajnë për larminë
e fantazisë së tyre dhe për thurrjet
interesante të subjekteve. Roli i fantastikes
edhe në përrallat tona është shumë
i madh. Me anë të saj rrëfimtari popullor
deformon artistikisht dhe përpunon qoftë
artistikisht, qoftë filozofikisht subjektin,
elementet e realitetit duke krijuar një simbolikë
të pasur që flet alegorikisht për mësime
shoqërore, etike dhe estetike për jetën.
Pikërisht në vlerën e saj filozofike
qëndron edhe një nga anët më të
rëndësishme të përallës.
Nëpërmjet saj jepen gjykime për jetën,
për lumturinë, për të mirën
dhe të keqen, për të bukurën dhe
të shëmtuar, për aspiratat dhe ëndërrimet
e njerëzve etj. Duhet thënë se vizioni
i përgjithshëm që buron nga përrallat
për botën e jetën është optimist.
Kështu, edhe në përrallën tonë,
e mira triumfon dhe njeriu me anë përpjekjesh
dhe sakrificash, duke qënë kurdoherë
i ndershëm, ia arrin më në fund lumturisë,
arrin ta fitojë atë (e Bukura e Dheut, si
simbol i lumturisë). Ky vizion optimist e realist
e ka burimin te karakteri kolektiv i folklorit dhe
shpreh soliditetin dhe qëndrueshmërinë
e popullit përballë problemeve të jetës
dhe vështirësive që dalin përpara.