Në vjeshtën a vitit 229 para e. sonë flota romake
e përbërë prej 200 anijesh arriti në
Korkyrë. Qytetin ajo e zuri me lehtësi të
madhe, sepse komandanti i garnizonit ilir, Dhimitër
Fari, tradhëtoi dhe u hodh në anën
e armiqve. Nga Korkyra flota romake u nis për
në Apolloni. Po në këtë kohë
për këtu ishte nisur nga Brundisium (Brindisi
i sotëm) një fuqi tjetër romake e përbërë
prej 20 mijë këmbësorësh dhe 2000
kalorësish. Pasi zunë Apolloninë ushtritë
romake i u drejtuan Dyrahut. Me afrimin e tyre ilirët
e hoqën bllokadën e qytetit dhe u larguan.
Romakët hynë në Dyrah dhe e bënë
zotër të këtij qyteti të rëndësishëm.
Pastaj këta shkuan në viset e brendëshme
ilire, dhe nënshtruan këtu parthinët
dhe atintanët, të cilët i detyruan
të njohin pushtetin e Romës. Por romakët
nuk u shtynë thellë në brendi të
vendit. Hapi i parë për të pushtuar
Ilirinë ishte sigurimi i pikave strategjike në
bregun lindor të Adiratikut, prandaj ata i vazhduan
sulmet drejt brigjeve verilindore të këtij
deti, shpërndanë rrethimin ilir të
Isas dhe pushtuan disa qëndra të tjera të
fortifikuara ilire në bregun dalmatin. Ilirët
u bënë qëndresë të fortë
pushtuesve romakë. Në luftën për
qytetin bregdetar Nutria, p. sh., ata u shkaktuan
romakëve dëme të mëdha në
njerëz dhe u zune anijet që çonin
për Romë plaçkën e luftës.
Por tradhëtia e Dhimitër Farit dhe shkëputja
e disa fiseve e dobësuan qëndresën
ilire. Teuta u tërhoq dhe u mbyll në fortesën
e Rizonit, në grykën a Kotorit në Dalmaci,
seli e mbretërve ardianë. Më vonë,
duke parë se ushtria e saj nuk ishte në
gjëndje të përballonte sulmet e ushtrisë
romake të organizuar mire dhe të disiplinuar
dhe se aleati i saj, Maqedonia, nuk mund ta ndihmonte
për arësye të grindjeve të brendëshme
që kishin filluar pas vdekjes së Dhimitrit
të II, Teuta i kërkoi Romës paqe, e
cila u vendos në vitin 228 para e. sonë.
Sipas kushteve të paqes, ilirët i ndaluan
të lundronin përtej Lisit me më tepër
se dy anije tregëtare dhe detyroheshin t'i paguanin
Romës një tribut vjetor. Përveç
kësaj Roma i shkëputi shtetit të ardianëve
një pjesë të mirë të teritorit.
Isën, Dyrrahin, Apolloninë, tokat e fiseve
ilire të parthinëve dhe atintanëve
Roma i mbajti për vehte duke i vënë,
sikurse thotë Polibi, nën mbrojtjen e vet,
në fakt, nën vartësinë e vet në
formën e aleancës. Farin bashkë me
disa ishuj të tjerë si dhe krahinat fqinje
bregdetare romakët ia dhanë si shpërblim
Dhimitër Farit. Pjesa tjetër i mbeti Pinesit,
djalit të mitur të Agronit, të cilin
senati e njohu sundimtar të ligjshëm të
mbretërisë ardiane.