Faqja Kryesore  >> Historia  >> Pashalleqet e medha  >> Berati
 

Historia e Shqipërisë - Pashallëku i Beratit

   
   
   
   
   
   
   
   
   
   
   
   
   
 

 


 

Pashallëku i Beratit (1763-1787)

Administrativisht Berati me rrethin e tij të afërt vazhdonte të ishte kaza dhe bënte pjesë në sanxhakun e Vlorës. Por si kaza dhe veçanërisht si qytet u jepte të ardhura konsiderueshme sundimtarëve të vendit. Veç kësaj, si qendra kryesore ekonomike e Shqipërsë së jugut, Berati ushtronte një ndikim të madh edhe në krahinat e tjera fqinje. Vlora, qendra e sanxhakut, nuk ishte veçse një skelë e Beratit. Prandaj mytesarifët e sanxhakut të Vlorës preferonin të banonin më tepër në Berat se në Vlorë.

Rreth mesit të shek. XVIII, postin e mytesarifit të sanxhkut e mori Ismail Pashë Velabishti, i cili qëndronte në Berat. Në Vlorë sundonin feudalët vloraj të cilët, duke pasur pozita forta, nuk e njohën autoritetin e mytesarifit të ri dhe formuan një pashallëk më vehte. Ismail Pashë Velabishti, i njohur edhe si autor poezish erotike e filozofike shqipe të shkruara me alfabetin arab, ishte një feudal zullumqar. Sapo e ndjeu vehten të fortë, ai u përgatit të nënshtronte Vlorën dhe t'u merrte sundimtarëve të saj pushtetin dhe të ardhurat që ata vilnin. Më 1763 e sulmoi Vlorën dhe, pasi vrau sundimtarin e saj, e pushtoi qytetin, por nuk e mbajti dot. Vitin tjetër ai e sulmoi përsëri por këtë radhë u vra brenda në qytet. Sundimin e Beratit e mori derven-pasha i Toskërisë dhe i Epirit, Ahmet Kurt Pasha.

Ahmet Kurt Pasha, një feudal mjaft energjik, kishte ambicjen të krijonte një pashallëk të madh që të përfshinte Shqipërinë qendrore dhe jugore. Në vitin 1764, kur ai u vendos në Berat, gjithë Shqipëria ishte coptuar në një numër të madh pashallëqesh, sundimtar. Nga këta, sundimtarët më të fuqishëm ishin ata të Vlorës, Delvinës, dhe Shkodrës dhe Ohrit.

Sapo u vendos në Berat, Ahmet Kurt Pasha u përgatit të nënshtronte pashallëqet fqinje me anën e fushatave ushtarake Forcat e tij të armatosura përbëheshin kryesisht nga reparte e dervenëve të organizuara prej tij si derven-pasha Si gjithë repartet e feudalëve të tjerë edhe ato të Kurt Pashës mbaheshin me rrogë. Shumat e mëdha që i nevojiteshin, ky i nxirte kryesisht nga banorët e qytetit dhe të rrethit të Beratit, Ahmet Kurt Pasha mori pjesë vetë në veprimtarine e tregëtarëve të Beratit dhe, diku me kapitale diku me presion, u bë ortak me të duke marrë nga fitimet e korrura pjesën e luanit. Ky ngriti në Berat sarajet e veta që ishin nga sarajet më të bukura të Shqipërisë, këto u ndërtuan në pjesën më të madhe me punë të detyruar të fshatarëve të Myzeqesë. Gurët e sarajeve u bartën me angari që nga qyteti antik i Apollonise, 60 kilometra larg Beratit. Ahmet Kurti përkrahu hapjen e shkollave, në fakt vetëm të shkollave turqishte dhe greqishte. Ky e lejoi murgun grek Kozma, të njohur në traditën popullore me emrin Shën-Kozmaj, të ushtronte në viset e pashallëkut veprimtarinë e vet fetare dhe arësimore, me shpresë se ky agjitator i flakët i krishterë, do të popullarizonte emrin e Ahmet Kurt Pashës si mbrojtës të popullsisë ortodokse. Për këte qëllim Ahmet Kurti përkrahu, ndonjëherë edhe subvencionoi ndërtimin e ndonjë kishe. Por më vonë, kur u bind se agjitacioni i Kozmajt nuk dha rezultatin e dëshiruar dhe kur pa se shëtitjet e tij misionare nëpër fshatra shkaktuan reaksionin, e klerit myslimam, e vrau atë.
Në marrëdhëniet me Stambollin, Ahmet Kurt Pasha ndoqi që në fillim edhe deri në fund politikën e bindjes së plotë. Ndryshe nga sundimtarët e Shkodrës e të Delvinës, të cilët edhe kur i respektonin marrëdhëniet e vartësisë nga Porta e Lartë nuk fshihnin synimet e tyre për t'u shkëputur nga kjo vartësi, Ahmet Kurt Pasha sundoi vazhdimisht si një mytesarif i sulltanit. Ai ndërmori ekspedita përherë me autorizimin e Stambollit, i cili i dha lejën kur ato drejtoheshin kundër sundimtarëve të dyshimtë. Ahmet Kurt Pasha lojti me këtë politikë rolin e një vegle të bindur të sulltanit.

Me një qëndrim të tillë, Ahmet Kurt Pasha nuk mund të siguronte një mbështetje të fortë politike në popullsinë e Shqipërisë. Përkundrazi ai shkaktoi armiqësinë e tyre. Feudalët vegjël, zejtarët dhe tregëtarët e pashallëqeve fqinje kur u rrezikuan të nënshtrosheshin prej tij, kërkuan ndihmën e sunditarëve të Shkodrës ose të Delvinës dhe preferuan më tepër të hynin nën autoritetin e tyre, se sa në atë të pashait të Beratit.

Për këto arësye, përpjekjet e Ahmet Kurt Pashës për të shtrirë kufijtë e pashallëkut, nuk patën sukses. Ky nuk mundi të nënshtronte as pashallëkun e Vlorës, me sundimtarin e të cilit, Ibrahim Pashën, u grind për një kohë të gjatë. Nuk pati sukses as në përpjekjet e tij për të thyer sundimtarin e Delvinës, Kapllan Pashën, kundër të cilit luftoi me urdhër të sulltanit, pasi ky nuk kishte pranuar të merrte pjesë në frontin gjatë luftës ruso- turke (1768-1774). Kurti synoi të nënshtronte Tiranën. Por edhe këtu pësoi disfatë nga qytetarët tiranas, të cilët luftuan trimërisht kundër ushtrive të tij. Me Bushatllijtë e Shkodrës ai zhvilloi kohë më kohë luftime të ashpëra, por as këtu nuk pati sukses. Këto lufta ai i vazhdoi deri sa vdiq më 1787. Me vdekjen e tij, Berati ra në duart e Ibrahim Pashë Vlorës.


 

 

PËRSHTYPJET  ::  KUSH JEMI  ::  KONTAKTO  ::  FORUM  ::  CHAT

Albanian Network Group - 2003