Pas shkatërrimit të shtetit
ardian në planin e politikës pushtuese të
Romës hynë, edhe krahinat e Ilirisë
së veriut të pasura me minerale dhe të
rëndësishme për pozicionin e tyre strategjik.
Më 156 sulmet e ushtrive romake në veri
të lumit Naronë shënuan fillimin e
periudhës së dytë të luftave të
gjata e të përgjakëshme të Romës
në Iliri. Sulmet e para romakët i drejtuan
kundër dalmatëve, të cilët në
këtë kohë kishin formuar një federate
të fuqishme fisesh. Dalmatët i qëndruan
me trimëri armikut. Vetëm pas përpjekjesh
të mëdha ushtritë romake mundën
të pushtonin qëndrën e federatës,
qytetin Delminium dhe fortesa të tjera dalmate.
Pas kësaj lufte Roma i shtriu sundimin e vet
edhe në krahinat bregdetare të Ilirisë
veriore, prej lumit Narona deri te lumi Kërka
(Titius).
Por ilirët nuk u pajtuan me pushtuesin. Më
135, para e. sonë, në kohën kur romakët
ishin zënë me kryengritjet e skllevërve
në Siqeli, kundër tyre u ngritën ardianët
dhe pleurejtë. Kryengritja u zgjerua aq shumë
sa që romakët u detyruan të dërgonin
forca të mëdha për ta shtypur. Për
të evituar në të ardhmen lëvizje
të tilla të rrezikshme Roma i shpërnguli
ardianët nga tokat e tyre pjellore bregdetare
dhe i vendosi në krahinat e brendëshme malore
të Hercegovinës së sotme.
Roma i sulmoi ilirët edhe nga veriu. Më
129 para e. sonë, ushtri romake të nisura
nga Akuilea (koloni e Romës në veriperëndim
të gadishullit të Istries) sulmuan e thyen
karnët dhe japodët dhe zgjeruan sundimin
e tyre edhe mbi krahinat e tjera të bregdetit
dalmatin prej Istries deri në lumin Kërka.
Me këtë fushatë Roma shtiu në
dorë të gjithë bregdetin e Ilirisë.
Por fiset e krahinave të brendëshme vazhduan
edhe për një kohë të gjatë
të jetonin të lira. Operacionet e shpeshta
ushtarake që u ndërmorën kundër
tyre nuk dhanë rezultate të qëndrueshme
dhe më të shumtën e herës ato
dështuan para qëndresës së fiseve
ilire. Duke dashur të caktonin Savën si
kufirin verior të pushtimeve të tyre në
Iliri, romakët hynë më 119 para e.
sonë thellë në teritorin e japodëve
dhe pas luftimesh të ashpëra arritën
të shtinin në dorë edhe krahinat prej
Istriës deri në Savë. Por në këtë
kohë romakëve i u desh të përballonin
kryengritjen e dal-matëve, e cila i plasi në
prapavijat e tyre dhe i shkaktoi dëme të
rënda.
Më 78 para e. sonë, në kohën
kur romakët ishin të zënë me luftat
e brendëshme në Itali, dalmatët u gritën
përsëri me forcë kundër pushtuesve.
Vetëm pas dy vjetësh lufte Roma mundi të
shtypte këtë kryengritje dhe të rivendoste
pushtetin e vet në tokat e tyre. Ndërkaq,
asaj i shpëtuan nga duartë japodët,
të cilët u ngritën me këtë
rast dhe i dëbuan pushtuesit nga shumë krahina
të tyre, duke i mbajtur ato të lira për
një kohë të gjatë.
Në një gjendje të tillë të
pasigurtë dhe kërcënuese per sundimin
romak ishte Iliria në kohën kur pjesa më
e madhe e saj hyri nën jurisdikcionin e Cezarit
(viti 59 para e. sonë). Lufta e Cezarit në
Gali, pastaj lufta politike dhe ajo e armatosur kundër
rivalit të tij, Pompeut, i liruan duart ilirëve.
Në këtë kohë ata bile u treguan
më aktivë se romakët. Në vitin
54 pirustët sulmuan dhe shkretuan krahinat jugore
të teritorit të administruar prej Cezarit.
Ky i detyrua të linte Galinë për të
qetësuar pirustët, por dy vjet më vonë
u ngritën dhe japodët. Këta të
fundit sulmuan dhe plaçkitën edhe qytetin
Tergeste (Triesten e sotme). Kundër këtyre
lëvizjeve Cezari nuk mundi të bënte
gjë sepse në këtë kohë ishte
i zënë seriozisht në luftën kundër
Pompeut. Në këtë luftë u vunë
në lëvizje shumë fise dhe qytete ilire
duke marrë pjesë kush me Cezarin e kush
me Pompeun, të shtyrë herë nga urrejtja
kundër sundimtarëve të tyre e here
nga shpresa se mund të fitonin diçka për
vehte nga kjo luftë e madhe.
Ilirët i shtroi përfundimisht vetëm
Augusti. Në vitin 35 para e. sonë ai përgatiti
një ekspeditë të madhe, e cila kishte
si detyrë të rivendoste pushtetin romak
në tokat e Ilirisë. Në këtë
ekspeditë merrnin pjesë 8-13 legjione romake
të armatosura mirë. Augusti sulmoi më
parë karnët e Istries, u fut thellë
në tokat e japodeve dhe me luftime të ashpra
pushtoi kryeqytetin e tyre Metulum (afër Bihaçit).
Pastai ai mundi panonët dhe e shtyu përsëri
kufirin romak deri në Savë.
Pas këtyre luftimeve Augusti u drejtua kundër
dalmatëve, tokat e të cilëve i u desh
t'i pushtonte pëllëmbë për pëllëmbë.
Pasi siguroi Savën si kufi verior të pushtimeve
të veta në Iliri dhe shtroi dalmatët.
Augusti filloi të zgjeronte kufijtë e Romës
nga lindja me qëllimin që t'i bashkonte
me provincën maqedone. Këtë e arriti
në vitin 29 para e. sonë kur futi në
dorë krahinat e brendëshme ilire në
jug të Savës deri në Moravë.
Edhe pas këtyre pushtimeve të reja ilirët
u ngritën kundër romakëve. Në
vitin 16 para e. sonë ngritën krye panonët
e Savës, kurse disa vjet më vonë, më
12 para e. sonë, ata u ngritën rishtas bashkë
me dalmatët. Pas tre vjet lufte, në vitin
9 para e. sonë, i dërguari i Augustit, perandori
i ardhshëm, Tiberi, e shtypi kryengritjen, pushtoi
gjithë Panoninë dhe i shtyu kufijtë
e perandorisë romake deri në Danub.