Nezim Frakulla (ose Nezim Berati)
është nga autorët e parë të
rëndësishëm të letërsisë
shqiptare me alfabet arab; në mjediset ku jetoi
e krijoi, luajti rol në zhvillimin e kësaj
rryme.
Nezimi lindi nga fundi i shekullit XVII në fashtin
Frakull të Fierit në një familje të
vogël feudale. Që i ri mësoi në
medresenë e Beratit, pastaj shkoi në Stamboll,
për të studiuar më tej, ku ndenji një
kohë të gjatë dhe filloi të vjershëronte
turqisht, persisht e arabisht. Bëri shumë
udhëtime në vendet e Lindjes, por mbeti
i pezmatuar. Në një bejte turqisht shkruante:
I rashë botës anembanë, por zemra m'u
mbush me gjak. Në vitin 1730 u kthye në
Berat, i varfër, kështu që u detyrua
të shërbente si qehaja te një bej.
Gjatë kësaj kohe filloi të vjershëronte
në shqip, sipas frymës së poezisë
orientale. Berati, që ishte një nga qendrat
kulturore më në zë të kohës,
kishte edhe shumë bejtexhinj, të tjerë.
Rivaliteti me myftiun e qytetit pati pasoja politike
për Nezimin, prandaj u detyrua të shkonte
në Elbasan. Mbas një internimi në Besarabi,
Nezimi kthehet përsëri në Berat. Vdiq
në burgun e Stambollit.
Në gjuhën shqipe Nezimi la një divan(1)
dhe shumë vjersha të shpërndara. Një
pjesë e krijimeve të tij kanë kaluar
gojë më gojë e u bënë anonime.
Duke ndjerë që qëndronte mbi bejtexhinjtë
e tjerë, Nezimi e afirmon veten si mjeshtër
që i pari krijoi divanin shqip.
Divan kush pat folur në shqip?
Ajan(2) e bëri Nezimi.
Bejan(3) kush e pat folurë shqip?
Insan(4) e bëri Nezimi.
Divani i Nezimit duhet të ketë pasur rreth
110 vjersha. Tematika është disi e gjerë.
Në krahasim me poezinë e atëhershme
dhe me modelet orientale, autori solli elemete të
reja, që pasqyrojnë anë të jetës
në Shqipëri.
Një pjesë e mirë e vjershave të
Nezimit janë gazela(4), ku i këndohet bukurisë
dhe dashurisë. Gjithashtu ato trajtojnë
një problematikë morale, flasin për
miqësinë, diturinë etj. Në vjershat
e Nezimit pasqyrohet botëkuptimi oriental, por
hasen edhe ide pozitive. Me nota kritike goditen vese,
sulmohen me përbuzje miqtë e rremë,
ambiciozët e smirëzinjtë.
Në kushtet e shthurjes së së sistemit
feudal, poeti hutohet dhe mbetet i tronditur midis
së vjetrës që shembej, dhe së
resë që po lindte. Në vjershën
"Ankimi mbi gjendjen e kohës„ , Nezimi na
krijon përshtypjen e një bote të shqetësuar,
të një atmosfere të pasigurt, ku është
e vështirë të lidhësh miqësi,
ku bëhet një ndeshje ë egër për
të dalë në krye e ku njeriu nuk ka
vendin që i takon sipas virtyteve të zotësisë.
Autori thotë: "… sorra sot gaha bilbil nukë
dahetë dot„. Edhe sikur keto motive të jenë
të marra nga letërsia orientale, ato, sidoqoftë,
s'janë pa lidhje me realitetin e kohës.
Jeta boshe dhe parazite e bejlerëve dhe e të
pasurve pasqyrohet në vjershën "Teferiçi
në Belçë„. Nëpërmjet përshkrimit
të një pikniku në fshatin Belçë,
poeti tregon për qejfet dhe tekat e feudalëve
dhe pasanikëve, për shpenzimet pa kufi,
për të mirat e pasuritë që i kanë
grumbulluar në kurriz të popullit. Me interes
është edhe një vjershë që
Nezimi e shkroi kur po niseshin për në Stamboll
disa shokë të tij. Në të gjejmë
dashurinë për atdheun dhe brengën e
dhembjen e një mërgimtari për vendin
e lindjes:
O shokë, mos na harroni,
se vemi në dhè të huaj,
një selam të na dërgoni,
bari në tre-katër muaj.
Do t'ju jap një amanet,
kur të shihni fush`e male,
të faleni me shëndet
prej meje më shumë halle. Në mjaft
vjersha Nezimi i këndon natyrës, e cila
jepet plot jetë e lëvizje. Poeti magjepset
nga bukuria e saj. Në mënyrë të
veçantë ai i këndon pranverës,
duke na dhënë skena të gjalla e plot
hijeshi. Dy këngë për "Beharin„
janë nga poezitë e tij më të bukura
të tij.
A s'e shihni ju në dynja
Manushaqenë,
nëpër male, nëpër sahara(6)
çeli faqenë?
Ose
Behari u lulëzua
U zbukurua dynjaja.
Jeta në shenllëk(7) u mbulua,
gëzojnë fukaraja.
Nezimi ka shkruar edhe vjersha mistiko-fetare ose
vjersha kushtuar ndonjë fushate ushtarake e ndonjë
sundimtari. Pra, jo vetëm tematika e krijimeve
të tij është e larmishme, por edhe
bota e ndjenjave. Gjejmë në to nota lirike,
por edhe tone zemërimi e ironie; krahas ndjenjës
së ngazëllimit, gjer edhe ndjenja dëshpërimi,
që e kanë burimin edhe te realiteti i kohës,
por edhe te brengat e shqetësimet që e shoqëruan
tërë jetën.
Krijimtaria e Nezimit e zgjeroi rrethin tematik të
poezisë së kohës. Edhe pse nuk u shkëput
nga modelet orientale e nga motive të njohura
të tyre, si bilbili, trëndafili etj., në
vjershat e tij ka edhe elemente dhe figura që
burojnë nga realiteti shqiptar. Gjuha e rënduar
nga fjalët e huaja e dëmton vlerën
e poezisë, edhe kur në të ka figura
e mjete shprehëse mjaft të goditura.
Nezim Frakulla ishte poet me frymëzim e talent.
Vepra e tij la gjurmë të thella në
krijimtarinë e poetëve të tjerë
që shkruan me alfabet arab.
SHPJEGUES
(1) Divani në letërsinë orientale ishte
një përmbledhje vjershash, të renditura
sipas një rregulle të caktuar
(2) E nxorri në shesh
(3) Retorikë
(4) Njëri, d.m.th. diçka për të
qenë
(5) Krijim i shkurtër në poezinë e
lindjes, që i këndon kryesisht dashurisë
(6) Fusha
(7) Festë