Në vështrimin e shndërrimeve
letrare kapërcyelli i shekullit të 20 është
një kohë veçanërisht e shënueshme.
Më 1900 vdes Naim Frashëri. Po në këtë
vit Fishta boton shkrimet e para, kurse vetëm
një vit më parë lind Lasgush Poradeci,
poeti më i madh modern shqiptar. Pra, me mbarimin
e shek. XIX përmbyllet letërsia e Naimit
dhe një periudhë e letërsisë shqiptare.
Këtu është një prerje ndërmjet
letërsisë së Naimit (romantike) dhe
letërsisë që nis me brezin e 1900-shit,
ku hyjnë Konica, Fishta, Çajupi, Asdreni,
Noli e M. Frashëri me një letërsi joromantike.
Të parën e karakterizon ideja kombëtare,
kurse të dytën ideja shoqërore apo
ideja njerëzore. Kjo e dyta është periudha
e letërsisë së pavarësisë
që do të zotërojë ngadalë
katër dhjetëvjeçarët e parë
të shekullit XX.
Në vështrimin kulturor-historik e në
vështrimin strukturor, letërsia e pavarësisë
nis në fund të shekullit të kaluar
me Konicën, kur shfaqet një model shkrimi
kritik, i ndryshëm nga shkrimi i mëhershëm
himnizues, dhe zhvillohet me poezinë e Lasgush
Poradecit që kërkon forma të reja,
gjuhë të re poetike dhe efektin estetik
të letërsisë, që ndërton
në thellësinë e vet identitetin e botës
shpirtërore shqiptare.
Letërsia e Pavarësisë shqiptare është
një periudhë letrare që vjen pas periudhës
së Rilindjes që kurorëzohet me letërsinë
e Naim Frashërit. Kjo periudhë letrare shkallë-shkallë
ngre dallimet me letërsinë pararendëse
dhe forcon karakteristikat e veta ideore e strukturore.
Përurues dhe nismëtar i kësaj periudhe
është Faik Konica me Albaninë e tij
(1897-1909), ku boton autorët e 1900-ës,
madje dhe komenton këtë letërsi të
re në revistën e tij. Kështu, Konica
bëhet edhe teoriku e kritiku i parë dhe
i pakontestueshëm i kësaj letërsie.
Në një artikull të vitit 1906, "Kohëtore
e letrave shqipe", si dhe në interpretimet
e veprave të Çajupit, Asdrenit, Nolit
e Gurakuqit, Konica vëren se letërsia e
re lirohet nga zotërimi i ideologjisë kombëtare
të romantizmit. Kjo letërsi artikulon dallimin
ndërmjet veprimit atdhetar dhe krijimit letrar
estetik. Prandaj Letërsia e Pavarësisë,
që në nismë, shqipton kërkesën
e krijimit të letërsisë si vlerë
më vete, pa marrë parasysh qëllimin.
Në anën tjetër, edhe qëllimi fillon
të pretendohet që të arrijë nëpërmjet
frymës kritike e jo frymës himnizuese, si
dhe brendapërbrenda shoqërisë shqiptare
dhe shpirtit të kombit.
E shfaqur qoftë si trashëgimi e simbolizmit
(Asdreni, Lasgushi), qoftë si realizëm me
frymë kritike (Çajupi, Noli) qoftë
në trajtë neoklasiciste (Fishta, Mjeda,
Haxhiademi) apo në trajta të papara të
modernizmit në prozë (Koliqi, Migjeni, Kuteli),
Letërsia e Pavarësisë shqiptare, që
zotëron gjysmën e parë të shekullit
XX ka dy karakteristika themelore:
Krijimin e trajtave e të strukturave të
reja letrare
Krijimin e vetëdijes (ndërgjegjes) letrare
që letërsia është krijim i veçantë
estetik pa marrë parasysh qëllimet. Kjo
dëshmohet me veprat letrare dhe me interpretimin
e tyre letrar.