Lasgush Poradeci lindi më 27
dhjetor 1899 në Pogradec, në një familje
me tradita atdhetare. Në moshën 10-vjeçare
e dërguan për të vazhduar studimet
në Manastir dhe më vonë në Athinë,
ku mbaroi liceun. Më 1921 ai shkoi në Rumani,
për të ndjekur studimet e larta. Duke qenë
pa bursë dhe pa asnjë ndihmë, ai u
detyrua të punonte dhe njëkohësisht
të studionte. Në Bukuresht ai u lidh me
lëvizjen atdhetare të kolonisë shqiptare,
u miqësua me Asdrenin e atdhetarë të
tjerë shqiptarë dhe u zgjodh edhe sekretar
i përgjithshëm i Kolonisë. Në
verën e vitit 1924 Qeveria e Fan Nolit i dha
bursë dhe kështu arriti t'i përfundojë
studimet e larta në Grac (Austri) në Fakultetin
e Filologjisë Romano-Gjermane.Në dallim
nga poetët e Rilindjes, që megjithë
origjinalitetin e tyre kishin tipare të përbashkëta,
poetët e shquar të periudhës së
Pavarësisë Noli, Fishta, Poradeci, Migjeni,
janë krejtësisht të ndryshëm nga
njëri-tjetri si nga formimi, nga prirja e tyre,
ashtu edhe nga interesat e synimet.
Lasgush Poradeci e jetoi Rilindjen ne periudhën
e shpërthimit të kryengritjeve të mëdha
për liri. Në veprën e këtij romantiku
të fundit të letërsisë sonë
jetoi shqetësimi atdhetar i mbrojtjes së
kombit dhe të traditës së Rilindjes,
ashtu sikurse edhe dëshira për triumfin
e pikëpamjeve demokratike, shqetësimi për
një emancipim të përgjithshëm
kulturor e shpirtëror të shoqërisë
shqiptare.
Ai është nga lirikët tanë më
të mëdhenj, i cili u shqua për sensibilitetin
dhe ëmbëlsinë poetike me të cilën
i këndoi Shqipërisë dhe dashurisë.
Në vitin 1933, u botua vëllimi i tij i parë
"Vallja e yjeve", dhe më 1937, u botua
vëllimi i dytë "Ylli i zemrës".
Pas Luftës së Dytë Botërore Lasgush
Poradeci e vazhdoi veprimtarinë krijuese, por
u mor edhe me përkthime. Ai shkroi, veç
të tjerash, poemat "Eskursioni teologjik
i Sokratit", "Mbi ta", "Kamadeva",
baladat për Muharrem e Reshit Çollakun.
Gjithashtu, përktheu disa nga kryeveprat e letërsisë
botërore si "Eugjen Onjegin" të
Pushkinit, lirikat e Lermontovit, të Bllokut,
Poemat e Hajnes, të Majakovskit e Miçkieviçit,
lirikat e Gëtes dhe Hajnes, poezi të Lanaut,
Brehtit; Hygoit, Mysesë, Bajronit; Shellit, Bërnsit,
të Emineskut etj.
Më 12 nëntor të vitit 1987, Lasgush
Poradeci, vdiq, duke lënë pas një krijimtari
të bukur, e cila kishte fituar zemran e lexuesit
dhe kishte tërhequr vëmendjen e disa studiuesve
të shquar të kulturë sonë si Eqerem
Çabej, Skënder Luarasi, Mitrush Kuteli,
Sabri Hamiti, Ismail Kadare, Rexhep Ismajli etj. Si
një personalitet i shquar dhe poet i vërtetë
ai nuk ua nënshtroi kurrë artin e tij kërkesave
dhe synimeve të diktaturës. Për këtë
arsye ai u la në një gjendje ekonomike të
rëndë dhe pothuaj në harresë nga
shtypi zyrtar. Vetëm në vitin 1989 mundi
të botohet vepra e tij e plotë.