Emri i tij i vërtetë është
Andon Çako, nuk dihet për ç'arsye
ai përdori edhe formën Zako. Emri letrar
Çajupi është emri i një mali
të vendlindjes, mallin dhe kujtimin e së
cilës e nguliti dhe e përjetësoi në
pseudonimin e tij. Lindi në Sheper të Zagorisë
më 27 mars 1866. Mësimet e para i mori në
vendlindje ku kreu dhe një shkollë gjysëm
të mesme greke. Po shkolla më e madhe e
vendlindjes ishte shkolla e fshatarit, e njohjes së
jetës dhe të shpirtit të popullit,
të gëzimeve dhe të brengave të
bashkëfshatarëve të tij. Rol të
madh në formimin e tij ka luajtur sidomos gjyshi
nga e ëma, i cili e futi në botën magjepëse
të përrallave, të legjendave e të
këngëve popullore, prej së cilës
poeti i ardhshëm nuk do të ndahej më
kurrë. I ati i Çajupit, Harito Çakua,
ishte kurbetçi në Misir, ku qe aktivizuar
në lëvizjen atdhetare. Ai e tërhoqi
të birin nga fshati për të vazhduar
studimet. Andoni ishte vetëm 15 vjeç,
kur la shoqërinë për të ndjekurnjë
kolegj francez në Aleksandri, duke marrë
me vete mallin e së ëmës Zoicës,
dhe të gurëve e maleve të Zagorisë.
Në kolegj mori një kulturë të
mirë dhe u dallua ndër të parët
midis shumë nxënësve të kësaj
shkolle që vinin nga vende të ndryshme të
Mesdheut. Me këtë kulturë ai i kishte
të hapura dyert e universitetit, të cilin
e ndoqi në vitet 1887-1893 në Gjenevë,
ku studjoi për drejtësi. Këtu u njoh
me një vajzë vendase Evgjeninë, e cila
e bëri të lumtur po dhe fatkeq, sepse i
vdiq pas një vit martese, duke lënë
jetim të birin e porsalindur, Stefanin. Kjo humbje
e tronidi thellë poetin dhe i la vragë të
thellë.
Ajo u bë shkak që, pas dhjetë vjetësh,
të shkruante elegjinë "Vaje",
një nga elegjitë më të bukura
dhe më prekëse të poezisë sonë.
Më 1883 me dokumentin e drejtësisë
në xhep dhe me djalin në krahë u kthye
në Misir dhe u vendos në Kajro, ku nisi
të ushtronte profesionin e avokatit. Po prej
këtij profesioni hoqi dorë shpejt. Shkak
u bë një konflikt me autoritetet e vendit
gjatë një proçesi gjyqësor ku
avokati i ri mbrojti të drejtën dhe nuk
u lëshoi pe pushtetmbajtësve. Jetoi me pasurinë
që i kishte lënë i ati, dhe iu kushtua
tërësisht çështjes atdhetare
dhe krijimtarisë letrare.
Çajupi gjeti në Misir një lëvizje
patriotike të zhvilluar. Shqiptarët e ngulimeve
të Egjiptit kishin organizuar një shoqëri
atdhetare e kulturore dhe mbanin lidhje sidomos me
"Shoqërinë e Stambollit". Por
këtë lëvizje u munduan ta kthenin në
anën e tyre disa rrethe grekomanësh, të
cilët intrigoni kundër patriotëve të
vërtetë dhe kundër Çajupit.
Ai u bë shpirti dhe figura më e njohur e
kolonisë patriotike të Misirit, Çajupi
mbrojti interesat e shqipërisë dhe të
popullit shqiptar, demaskoi synimet e xhonturqve,
të grekomanëve dhe të gjithë armiqve
të tjerë të çështjes së
kombëtare.
Emri i tij nisi të njihej në rrethet e atdhetarëve
që në fund të shekullit, kur botoi
më 1898 artikullin e gjatë "Duke kërkuar
një alfabet", në të cilin spikat
shqetësimi i tij për unitetin e lëvizjes
kombëtare dhe kulturore, për shkrimin dhe
lëvrimin e gjuhës amtare përmes një
alfabeti të njësuar. Por vepra që e
bëri të njohur në mbarë botën
shqiptare ishte përmbledhja poetike "Baba
Tomorri" (1902) ku përfshiu komedinë
"katërmbëdhjetë vjeç dhëndërr".
Me këtë vepër ai u bë poeti më
i njohur pas Naimit, figura që zuri vendin që
mbeti bosh pas humbjes së poetit kombëtar
më 1900.
Vjershat patriotike dhe luftarake të "Baba
Tomorrit" frymëzuan çetat e lirisë
dhe kryengritjet e mëdha që i sollën
pavarësinë Shqipërisë më
1912. Këtë ngjarje poeti e priti me gëzim,
u duk se iu hap udha për t'u kthyer në mëmëdhè,
por, Lufta e Parë Botërore dhe trazirat
e mëvonshme e shtynë larg këtë
shpresë. Megjithatë ai i ndiqte nga afër
ngjarjet në Shqipëri, duke mbetur gjithmonë
në krah të forcave përparimtare e demokratike.
Më 1919 Çajupi ishte në ballë
të përpjekjeve të shqiptarëve
të Misirit, për të mbrojtur të
drejtat e popullit shqiptar në Konferencën
e Paqes që mblidhej në Paris. Ai dënoi
qeverinë e Durrësit, që ishte vegël
e fuqive imperialiste, ashtu siç dënoi
përpjekjet e feudalëve tradhëtarë
për ta bërë Shqipërinë çiflik
të tyre e për ta nxjerrë në ankand
sipas interesit. Me këto qëndrime ai thelloi
demokratizimin në lëvizjen mendore dhe në
letërsinë shqiptare. Kjo u shpreh në
frymën antifeudale të veprës së
tijdhe në vendin që ai u dha problemeve
shoqërore në krijimtarinë e tij letrare
e publiçistike. Në këto vite Çajupi
, si shumë atdhetarë të tjerë,
përjetoi krizën e idealeve të bukura
të Rilindjes. Në krye të punëve
në Shqipërinë e pavarur, në vend
të atdhetarëve të ndershëm po
vinin njerëz që i binin pas interesit të
tyre, pa menduar për fatet e kombit. "Në
Shqipëri, -shkruan ai më 1922- një
turkoman, një grekoman, një sllavoman, një
intrigant, një tradhëtar, takon të
bëhet … regjent, ministër, prefekt, faqe
me nder dhe mbret".
Çajupi ishte për demokracinë dhe
qytetërimin, prandaj e përshëndeti
Revolucionin Demokratiko-Borgjez të Qershorit
të vitit 1924, frytet e të cilit nuk arriti
t'i gëzonte populli shqiptar. Demokracia e pati
jetën e shkurtër dhe, në vend të
saj, u rikthye pushteti i feudalëve me ardhjen
e A.Zogut në fuqi. Kur u mor vesh se ky do ta
shpallte veten mbret, Çajupi që ishte
në krye të "Shoqërisë së
miqve", të themeluar në Kajro, i drejtoi
Qeverisë së Tiranës një protestë,
midis të tjerave thuhej se koha e mbretërve
shkoi, "kurse edhe ata që i kanë, po
vështrojnë t'i përzënë",
Ky qëndrim i vendosur antimonarkist ia mbylli
përfundimisht poetit rrugën për t'u
kthyer në Shqipëri, që të tretej
në "baltën më të ëmbël
se mjalta" të mëmëdheut. Vdiq
në Kajro më 11 korrik 1930. Shtypi zyrtar
në Shqipëri e kaloi vdekjen e tij pothuajse
në heshtje.
La në dorëshkrim pjesën më të
madhe të veprave të tij, poemën "Baba
Musa lakuriq", një parodi e biblës,
tragjedinë "Burri i dheut", që
u botua pas vdekjes më 1935, komedinë "Pas
vdekjes" që u botua më 1937, përmbledhjen
poetike "Këngë e vome", fati i
së cilës nuk dihet. Me gjallje, përveç
"Baba Tomorrit" botoi Përrallat e La
Fontenit (1921) përshtatur prej tij nga frengjishtja
dhe "Lulet e Hindit" (1922), një tufë
vjershash të letërsisë sanskrishte,
nga artikujt e paktë që botoi në shtypin
e kohës duhet përmendur pamfleti "Klubi
i Selanikut" (1909), një nga kulmet e publiçistikës
së Rilindjes. Në këtë pamflet
Çajupi demaskoi demagogët e xhonturqve
dhe të veglave të tyre, që kishin hyrë
në lëvizjen kombëtare për interesat
e ngushta të kastës së bejlerëve
turkoshakë e fanatikë, të zellshëm
për t'i zgjatur jetën të "sëmurit
të Bosforit", perandorisë së kalbur
të sulltanëve osmanë.