Aleksandër Stavre Drenova, i
njohur në letërsinë tonë me pseudënimin
Asdreni qe nga ata poetë krijimtaria e të
cilëve u përket njëherësh dy periudhave.
Poezia e tij u shkri që nga faza e fundit e Rilindjes
deri në periudhën e Pavarësisë.
Poeti pati një jetë të gjatë krijuese,
rreth dyzet vjet.
Asdreni lindi në fshatin Drenovë të
Korçës më 1872. Mësimet e para
i mori në Korçë. Që në
moshën trembëdhjetëvjeçare shkoi
në kurbet, në Rumani, ku vazhdoi shkollën
e mesme, dhe më vonë fakultetin e shkencave
politike, të cilin nuk arrit ta mbaronte. Për
të fituar bukën e gojës dhe për
të vazhduar studimet djali i ri detyrohet të
bëjë gjithfarë punësh të
rënda. Që herët lidhet me lëvizjen
atdhetare të shqiptarëve të Bukureshtit
dhe bëhet një nga përfaqësuesit
më të shquar të saj. Në vitin
1900 filloi të botojë vjershat e tij të
para në shtyp dhe të bëhet i njohur
si talent i ri që premtonte. Poezia e tij e kësaj
kohe ka karakter kushtrues, po poeti i ri nuk ka gjetur
ende individualitetin e vet, është nën
ndikimin e Naimit. Në të njëjtën
kohë Asdreni botoi në shtyp artikuj me formë
të përparuar demokratike dhe antifeudale.
Më 1904 botoi vëllimin me poezi "Rreze
dielli" që do të pritej mirë nga
lexuesi dhe nga shtypi dhe do të përshëndetet
nga Çajupi me fjalët entuziaste; "Tani
besoj se Naim beu nuk vdiq, se vendin që la ai
bosh e zure ti".
Asdreni u bë një nga udhëheqësit
e lëvizjes atdhetare ndër shqiptarët
e Rumanisë. Ai çeli një shkollë
shqipe në Kostancë për fëmijët
e mërgimtarëve shqiptarë, pasqyroi
në shkrimet e veta ngjarjet e Shqipërisë,
mblodhi ndihma për kryengritësit e Kosovës,
bashkpunoi me Nolin për shkëputjen e kishës
shqiptare nga kisha greke, ishte sekretar i mbledhjes
së Bukureshtit që e kryesonte Ismail Qemali
në vjeshtë të vitit 1912 dhe ku u vendos
shpallja e menjëhershme e Pavarësisë.
Jo më kot pikërisht në atë vit
del në dritë vëllimi i dytë me
vjersha i Asdrenit "Ëndërra dhe lotë"
ku shfaqet plotësisht talenti i tij dhe që
solli një ndihmesë të shquar në
letërsinë shqiptare të Rilindjes.
Më 1914 Asdreni erdhi në atdhe që të
ndihmonte në forcimin e pushtetit kombëtar,
po, i zhgënjyer nga turbullimet e kësaj
kohe, u kthye në Rumani. Ai priti me gëzim
Kongresin e Lushnjes, i bëri jehonë flakë
për flakë luftës së Vlorës.
Pas vitit 1924 u tërhoq nga jeta politike, duke
shprehur kështu në heshtje qëndrimin
e tij kundërshtues ndaj regjimit të Zogut.
Në fakt në vëllimin e tij të tretë
me vjersha "Psallme murgu" të botuar
më 1930 gjejmë aludime për këtë
qëndrim të tij. Revoltën e tij Asdreni
e derdhi edhe nëpër disa vjersha të
mbetura në dorëshkrime. Por zhgënjimi
i tij nga realiteti shoqëror politik i frymëzoi
edhe vjersha pesimiste ose vjersha të ftohta
që nuk janë që nuk janë veçse
ushtrime formaliste. Gjejmë kështu çaste,
rënieje në krijimtarinë e tij. Me rastin
e 25-vjetorit të Shpalljes së Pavarësisë,
Asdreni u kthye në Shqipëri, po gjeti një
pritje tepër të ftohtë nga përfaqësuesit
e regjimit. Poeti shkoi sërish në Rumani
për të mos u kthyer më kurrë në
atdhe. Vitet e fundit të jetës përgatiti
një vëllim "Këmbanat e Krujës".
Asdreni u bë i njohur si publiçist, por
ishte edhe autor tekstesh shkollore e përkthyes.
Po ai, para së gjithash, mbetet në letërsinë
tonë si një poet i talentuar lirik.
LIRIKA ATDHETARE E SHOQËRORE
Në lirikën e vet poetike Asdreni u rikthehet
të gjitha temave të poezisë së
Rilindjes, po u jep një frymë më të
hapur kushtruese. Jo më kot ai lëvron kryesisht
llojet e himnit dhe të marrshit. Të njohura
janë vjershat "Betimi mbi flamur" (1907)
që pas vitit 1912 u bë dhe është
Himni ynë Kombëtar, vjersha "Përpara",
që dallohen nga një stil patetiko-oratorik,
i cili shpreh një patos të zjarrtë
të brendshëm. Vargjet e shumta dhe dinamike
dhe njëkohësisht të thjeshta, kanë
një forcë komunikuese të veçantë.
Lart, Shqipëri,
ti je e zonja,
nga lufta sot mos ndalesh;
me trimëri
porsi shqiponja
armiqve mos iu falesh.
Krahas kësaj retorike që shkrihet në
vjershën "Përpara" me një
ndjenjë të sinqertë, gjejmë edhe
lirika të tjera ku dashuria për atdheun
shprehet më me thjeshtësi e spontanitet
ndjenje përmes shkrimit të mallit për
atdhe të mërgimtarit të djegur:
Me sa mall e sa dëshirë
Atë ditë po e pres,
që edhe unë atje i lirë
pranë prindërve të vdes!
("Në mërgim")
Asdreni si Çajupi, vë gishtin te plaga
e dhimbshme e kurbetit dhe e dënon atë si
shkëputje të forcave më të mira
nga atdheu, dënon ata që e harrojnë
vendin e tyre.
Poeti vijon ta lëvrojë lirikën atdhetare
dhe pas Shpalljes së Pavarësisë. Më
vonë kjo lirikë u drejtohet temave historike,
merr një karakter më meditativ, po i ftohet
deri diku frymëzimi.
Asdreni ka meritë të veçantë
për thellësinë e problematikës
shoqërore që lëvron për herë
të parë në letërsinë tonë:
ai shtron hapur çështjen e frymëzmit
klasor, pasqyron konfliktin ndërmjet shtresave
të larta dhe popullit, duke e parë këtë
të fundit si forcë lëvizëse të
historisë. Asdreni, madje, ëndërron
për një çlirim shoqëror të
masave të shtypura, po s'e ka të qartë
prespektivën. Problematika shoqërore i frymëzon
Asdrenit vjersha tepër të fuqishme si "Zëri
i kryengritësve" (1912) "Çpërblimi"
ku ballafaqohen klasat kundërshtare me një
varg dinamik e një fjalor të ashpër.
Edhe në këto vjersha ka retorikë, po
ajo tretet në dufin e fuqishëm të revoltës.
Te "Burri i dheut", duke i kënduar
Luftës së Vlorës, Asdreni thekson karakterin
popullor të saj dhe krijon një portret kolektiv
të popullit të shfrytëzuar. Më
vonë, më 1935 Asdreni do të shkruajë
një vjershë po aq të fuqishme. "Trashëgimi",
që jep një tabllo tronditëse të
gjendjes së mjeruar politike, ekonomike, shoqërore
e kulturore të Shqipërisë në kohën
e Zogut. Një patos satirik tepër i ashpër
përshkon vjershat "Fisnikët e Shqipërisë"
dhe "Republika Shqiptare".
Tema shoqërore i ka frymëzuar Asdrenit edhe
vjersha ku ai shfaq shpresën tek populli, si
vjersha "Lulëkuqja" (1912), çuditërisht
e thjeshtë dhe plot lirizëm, po edhe plot
forcë ku nëpërmjet këtij simboli
të gjetur bukur himnizohet populli dhe pohoet
besimi tek ai.
Asdreni e pasuron letërsinë tonë edhe
në lirikën e dashurisë dhe në
lirikën e natyrës. Lirika e tij e dashurisë
trajton tema të ndryshme dhe dallohet nga konkretësia,
çiltërsia, thjeshtësia, nga një
lirizëm i ngrohtë që shkrihet herë-herë
me një humor të lehtë. Asdreni shkruan
edhe balada me subjekt me këngë dashurore
që u përhapën në popull.
Në fazën e dytë të krijimtarisë
Asdreni shkruan lirika dashurie disi të stërholluara
dhe abstrakte që dëshmojnë se rënia
shpirtërore për shkak të atmosferës
mbytëse që e rrethon, i ka dëmtuar
edhe frymëzimin. Poeti kërkon shumë
në fushën e formës dhe thith edhe nga
rrymat moderniste të kohës, po jo me shumë
sukses.
Në lirikën e natyrës Asdreni tregohet
tepër origjinal duke na e dhënë natyrën
(për herë të parë në krahasim
me rilindësit e tjerë) të shkrirë
me jetën e vet. Më shpesh në lirikat
e veta të natyrës. Asdreni do na japë
tablo të gjalla, konkrete e të dhimbshme
të vendlindjes.
Asdreni e pasuron në mënyrë të
veçantë poezinë tonë edhe në
lëmin e formës, duke krijuar lloje të
reja strofash e vargjesh, duke lëvruar madje
edhe vargun e lirë. Ai sjell në letërsinë
tonë një figuracion të begatshëm.
Simbolet, krahasimet dhe epitetet e tij shquhen në
përgjithësi për origjinalitetin e tyre.
Poezitë më të bukura Asdreni i shkruan
kur shkrin origjinalitetin në brendi e në
formë me thjeshtësi. Poeti ka meritën
që e lidhi poezinë tonë me poezinë
bashkëkohore evropiane.
Veçse në kërkimet e tij për
forma të reja Asdreni nuk ka sukses kur nuk i
mbetet besnik individualitetit të vet krijues.
Në poezinë e Asdrenit ka një farë
racionalizmi që në vjershat më të
mira mënjanohet nga shpërthimi i ndjenjës
ose vështrimi i realitetit nëpërmjet
prizmit të humorit të shëndetshëm
fshatarak.
Asdreni është një figurë tepër
origjinale dhe e ndërlikuar si poet. Poezia e
tij, ndonëse nuk pati ndikimin e asaj të
Naimit dhe të De Radës, e pasuroi në
mënyrë të ndjeshme letërsinë
tonë.