Zanafillën e vet lëvizja
letrare arbëreshe e pati në ngulimet e Siçilisë,
me studjues e letrarë të ndryshëm,
si: Matrënga në shekullin e XVI, Brankati,
Filja, Keta, Gavril Dara(plaku) dhe Andrea Plaku në
shekullin e XVIII. Në kohën kur kjo lëvizje
fitoi karakter të ri kombëtar u përfaqësua
nga Gavril Dara(i riu), që vijoi traditën
e nisur nga i ati dhe i gjyshi. Lindi në Palac
Adriano më 6 janar 1827. Mësimet e para
i mori në seminarin arbëresh të Palermos.
Po në këtë qytet ai kreu studimet e
larta për drejtësi. Udhën e krijimtarisë
e nisi herët, në moshën 13-15 vjeçare.
Në fillim shkroi vjersha që më tepër
ishin intime. Shkëndia që i dha zjarr talentit
të tij, ishin idetë liridashëse, ideali
i bashkimit të Italisë dhe dëshira
për ndryshime demokratike. Këto ide janë
derdhur në vëllimin "Disa poezi",
shkruar në italisht, që doli në dritë
në vitin më të zjarrtë të
revolucionit më 1848. Vëllimi është
si një ditar i lëvizjes revolucionare të
asaj kohe. Në të spikat një brendi
ideore e pasur dhe disa tipare të individualitetit
krijues të Darës, si fryma luftarake optimizmi
dhe begatia e figuracionit. Vlerën artistike
të vëllimite dëmtojnë karakteri
abstrakt dhe retorizmi.
Në shkurt 1858 Dara u bë themelues dhe drejtues
i një gazete që ishte si një manifest
kryengritës, "Palingenesi" (Përtëritja
e jetës). Në artikujt që botoi aty
ai tregoi aftësi prej prozatori, kritiku, esteti
dhe historiani. Në çastet më të
rëndësishme të luftës për
çlirimin e Italisë ai, si edhe arbëreshët
e tjerë, mori pjesë aktive në lëvizjen
revolucionare italiane kundër zgjedhës austriake
dhe sundimit të Burbonëve. Madje ishte një
nga udhëheqësit krahinor të asaj lëvizjeje,
si anëtar i komunitetit revolucionar të
Xhirxhentit dhe sekretar i përgjithshëm
i qeverisë revolucionare të Garibaldit,
më 1860.
Në të njëjtën kohë ai s'i
ndahet krijimtarisë letrare. Më 1864 shkruan
një poemë të gjatë italisht, po
me subjekt shqiptar "Ana Maria". Poema është
shkruar në vargje njëmbëdhjetërrokësh,
është e gjatë (1.300 vargje) dhe e
ndarë në dy pjesë. Ka dy protagonistë:
Bozdar Stresin, nipin e Skënderbeut, të
cilit i kushtohet pjesa e parëdhe Ana Maria Kominiatën,
mbesën e Donikës, gruas së Skënderbeut,
së cilës i kushtohet pjesa e dytë,
më e gjatë. Dara mishëron në këto
dy personazhe idealin e burrit dhe të gruas shqiptare.
Poema tingëllon si një himn për atdheun
e të parëve. Këto personazhe i patëm
gjetur edhe te De Rada, po ai i paraqet si heronj
romantikë që kryejnë një faj tragjik
dhe shkojnë për këtë drejt fundit
tragjik, kuse Dara i ri thekson aspektin heroik të
karakterit të tyre.
Në poemë spikatin për vlerën e
tyre estetike pjesët lirike. Në vitet 1871-74
Darën e gjejmë në Romë ku drejton
gazetën politike "La Reforma"(Reforma),
që shpreh ide përparimtare të së
majtës .
Më vonë, ndoshta i shtyrë nga pakënaqësia
e përgjithshme e arbëreshëve për
rezultatet e arritura për bashkimin e Italisë,
Gavrili la gazetarinë dhe politikën.
Pikërisht në këto vite Dara shkruan
italisht vjershën epistul "Të zezat
tona", ku jepet një tabllo rrëngjethese
e gjendjes së vendit, e shtypjes dhe e mjerimit
të dyfishuar që rëndonte mbi popullin.
Ai e pikturon këtë tablo me epitete epitete
dhe metafora nga më të vrazhdat, nga më
të ashprat, që të kujtojnë penën
e Dantes në përshkrimin e skenave të
Ferrit. Vjersha demaskon me realizëm të
mprehtë shtetin e ri borgjez, me mjerimin, taksat,
gënjeshtrën dhe korrupsionin. Patosi mohues
është tepër i fuqishëm, ndihet
revolta e poetit demokrat. Tema politike trajtohet
sërish në poemën "Djalli dhe Muza".
Vitet e fundit të jetës së Dara i Ri
i kaloi në Xhirxhenti, ku punoi si avokat dhe
u mor me arkeologji e me studime filozofike. Aty vdiq
në nëntor të vitit 1885 në mjerim
duke lënë gjashtë fëmijë
ende të mitur.
Ai e kishte ndjekur hap pas hapi lëvizjen tonë
kombëtare, duke marrë anën e Lidhjes
Shqiptare të Prizerenit dhe duke kuptuar me mprehtësi
rrezikun e synimeve të shovinistëve fqinjë
si dhe të imperialistëve austriakë
dhe italianë ndaj Shqipërisë. Ai ishte
për një bashkëpunim të ballkanasve,
kundër zgjedhës osmane.
*************************************************
Pas Jeronim De Radës, Gavril Dara i Riu mbetet
poeti më i shquar arbëresh. Vepra e vetme
në shqip që na ka arritur prej tij, "Kënga
e sprasme e Balës" është një
ndër kryeveprat e letërsisë sonë.
Duke ndjekur hap pas hapi lëvizjen tonë
kombëtare, Dara e mbështeti atë fuqmisht.
Ashtu si De Rada, edhe Dara temën e poemës
së vet e mori nga e kaluara e lavdishme e popullit
tonë , e ngriti në art këtë epokë,
duke e bërë shprehëse të ideve
patriotike, për t'i shërbyer sa më
mirë tokës mëmë dhe vëllezërve
të tij të përtejdetit.
Dara është mjeshtër i madh i artit
të fjalës. Vepra e tij shquhet për
pasuri mjetesh artistike, për gjuhë të
gjallë e të bukur e mbi, të gjitha,
për mbështetjen e gjerë e të gjithanshme
në folklorin arbëresh.