Mihal Gramenoja është nga
ata shkrimtarë të vitëve të fundit
të Rilindjes që luftuan për çështjen
kombëtare dhe me pushkë. Atdhetar i flaktë,
ai solli në shkrimet e tij mbresa të drejtpërdrejta
nga lufta e popullit tonë për pavarësi
dhe, më vonë, për demokracie përparim.
Lindi më 1871 në Korçë, në
një familje me ndjenja atdhetare. Në vendlindje
mori edhe mësimet e para. Ende i vogël,
për nevoja ekonomike mori udhën e kurbetit,
në Rumani. Aty u lidh me lëvizjen atdhetare
dhe më 1889 u zgjodh sekretar i shoqërisë
"Drita". Me vullnet dhe këmbëngulje
punoi për të zgjeruar horizontin e tij kulturor.
Botoi vjersha dhe artikuj në shtypin e kohës.
Më 1907 ishte antar i çetës së
Çerçiz Topullit dhe luftoi pothuajse
në të gjithë Shqipërinë e
Jugut. Xhonturqit e burgosën disa herë.
Mori pjesë në Kongresin e Manastirit dhe
më 1912 në Shpalljen e Pavarësisë.
Pas këtij viti mbrojti me forcë shtetin
shqiptar.
Gjatë viteve 1915-1919 jetoi në Amerikë,
ku bëri punë të palodhur në lëvizjen
e atdhetarëve shqiptarë të atjeshëm.
Përfaqësoi shqiptarët e Amerikës
në Konferencën e Paqes në Paris.
Në vitet 1921-1924, si publiçist mbrojti
idealet demokratike. Pas dështimit të Revolucionit
të Qershorit, i sëmurë, e i dëshpëruar,
u tërhoq nga lëvizja shoqërore.
Vdiq në Korçë më 1931. Për
meritat e shquara në dobi të atdheut, i
është dhënë titulli "Hero
i Popullit".
Veprimtaria letrare e Gramenos kap një çerek
shekulli (1900-1925). Mihal Gramenoja është
një ndër novelistët e parë të
letërsisë sonë. Novelat e tij u hapën
rrugën romaneve të para shqiptare. Ai shkroi
novelat "Oxhaku" (1909) dhe po atë
vit "E puthura" dhe "Varri i Pagëzimit".
Tek "Oxhaku" dhe "E puthura" trajton
çështjen e pabarazisë shoqërore
si burim fatkeqësish në jetë. "Varri
i pagëzimit" paraqet luftën e pamëshirshme
që bëri kleri reaksionar grek kundër
mësimit të gjuhës shqipe.
Në përgjithësi novelat e tij kanë
natyrë sentimentale. Tek ato gjejmë përpjekje
për të krijuar mjedise të besueshme
shqiptare dhe personazhe nga klasat e shtresat e ndryshme
të shoqërisë sonë të asaj
kohe. Libri me kujtime "Kryengritja shqiptare"
(1925) zë vend të veçantë në
krijimtarinë e Gramenos. Në pjesën
e parë flet për çetat kryengritëse,
për luftimet dhe punën propaganduese të
çezës së Çerçiz Topullit,
bën portrete të qëlluara luftëtarësh
e njerëzish të thjeshtë të popullit.
Në prozën e Gramenos nuk mungojnë edhe
pjesë me nivel të kënaqshëm artistik,
përshkrime dhe dialogje të gjalla.
M.Gramenoja ka botuar dy vepra dramatike: komedinë
"Mallkimi i gjuhës shqipe" (1905) dhe
dramën "Vdekja e Pirros" (1906), të
dyja janë shkruar në vargje.
Komedia "Mallkimi i gjuhës shqipe"
trajton luftën e atdhetarëve shqiptarë
kundër klerit reaksionar grek dhe elementëve
grekomanë; te "Vdekja e Pirros" trajtohet
kthimi i Pirros fitimtar nga Italia dhe vrasja e tij
me të pabesë. Veprat dramatike të Gramenos
vuajnë nga fragmentizmi dhe mungesa e veprimit.
Megjithatë së bashku me veprat dramtike
të Çajupit e të Fan Nolit, ato i
çelën rrugën dramaturgjisë shqiptare.
M.Gramenoja shkroi edhe vjersha të cilat i botoi
më 1912, të përmbledhura në librin
me titull "Këngëtore shqipe - Plagët".
Bien në sy vjershat atdhetare që i kushtohen
lëvizjes kryengritëse. Disa prej tyre, si:
"Për Mëmëdhenë", "Uratë
për liri", "Lamtumirë", me
patosin kushtrues, u përhapën mjaft dhe
u kënduan edhe si këngë:
Për mëmëdhenë, për mëmëdhenë,
vraponi, burra, se s'ka me pritë!
Të vdesim sot me besa-besë
pranë flamurit të kuq që u ngrit,
Poezia atdhetare e Gramenos u bëri jehonë
të drejtpërdrejtë ngjarjeve të
vrullshme që do të sillnin Pavarësinë
e Shqipërisë. M.Gramenoja është
nga publiçistët në zë të
Rilindjes e të periudhës që pasoi.
Ai është cilësuar si një nga pamfletistët
më të njohur të së kaluarës.
Shkrimet e tij publiçistike u vunë drejtpërdrejtë
në shërbim të çështjes
kombëtare.
Drejtoi gazetat "Lidhja orthodhokse" (1909-1910)
dhe "Koha" (1911-1926), me disa ndërprerje,
dy nga gazetat më përparimtare të traditës.
Bashkpunoi edhe me shtypin tjetër të kohës.
Në shkrimet e tij Gramenoja del si përfaqësues
i anës më të vendosur e më demokratike
të lëvizjes sonë kombëtare. Ai
goditi ashpër jo vetëm pushtuesin osman,
por dhe armiqtë e tjerë të çështjes
kombëtare: klerin reaksionar grek e grekomanët,
pseudoatdhetarët, feudalë të mëdhenj
e borgjezë të pasur, të cilët
i quan me tallje "syfete" e "honxho-bonxho".
Nga na tjetër, ka besim vetëm tek vegjëlia,
te populli dhe te roli i tij në fatet e kombit.
Më 1912, ai shkruante: "Kemi besim te varfanjakët,
dhe kjo opingë është shtylla dhe shpresa
e kombit shqiptar".
Në fillim të viteve `20 zgjerohen pikpamjet
politike të Gramenos. Në gazetën "Koha"
ai boton artikuj me ide demokratike dhe propagandon
ngjarjet e mëdha politike të kohës.
Një nga dokumentet më të shquara të
gazetarisë e të lëvizjes demokratike
të atyre viteve është artikulli "bashkim
dhe përparim".
Shkrimet publiçistike të Mihal Gramenos
shquhen për frymën popullore, për patosin
luftarak, ironinë e sarkazëm therëse.
M.Gramenoja mbetet në letërsinë shqiptare,
në radhë të parë, si publiçist.
Shkrimet e tij dhanë ndihmesë në krijimin
e novelës e të dramës. Është
ndër autorët e parë që solli në
letërsi në mënyrë të gjerë,
personazhe nga shtresat e varfëra të shoqërisë
shqiptare.