Naum Panajot Bredhi, i mbiquajtur
Veqilharxhi, është pionieri i lëvizjes
sonë kulturore patriotike të shekullit XIX.
Ai është ideologu i parë i Rilindjes
në Shqipëri, një nga ata që u
hapën udhën ideve të reja politike
e kulturore kombëtare.
N.Veqilharxhi lindi më 1797 në Vithkuq të
Korçës. Ai pati mërguar në Rumani.
I ndikuar nga idetë e lëvizjes kombëtare
të popujve të Ballkanit, mori pjesë
në revolucionin rumun të vitit 1821 kundër
Turqisë, revolucion që pati karakter jo
vetëm çlirimtar antiosman, por dhe antifeudal.
Me formimin iluminist, Veqilharxhi e drejtoi vëmendjen
tek atdheu i tij. Ai e kuptonte se gjendja e Shqipërisë
në ato çaste historike shtronte para popullit
të tij kërkesa të reja. Në vitet
`40 të shekullit XIX lëvizjet çlirimtare
në Shqipëri kishin marrë hov, por atyre
u mungonte një program kombëtar dhe një
platformë ideologjike e përpunuar. Veqilharxhi
ka meritë se në shkrimet e tij formuloi
i pari kërkesat themelore të Rilindjes.
Punën e tij si atdhetar iluminist e nisi me krijimin
e një alfabeti origjinal të gjuhës
shqipe, të përbërë prej 33 shkronjash.
Me këtë alfabet hartoi dhe libra për
mësimin e shqipes. Të parin libër,
që është e para abetare për mësimin
e gjuhës shqipe, Veqilharxhi e botoi më
1844 me titullin "Evëtar„. Një vit
më vonë, më 1845, e botoi të përpunuar
e të zgjeruar, me titullin "Fare i ri evëtar
shqip për djelm nismëtar„, të shoqëruar
me një parathënie për djemtë e
rinj shqiptarë. Këta libra të Veqilharxhit
u pritën me entuziazëm nga patriotët
brenda dhe jashtë Shqipërisë. Shumë
njerëz mësuan të shkruanin me alfabetin
e tij. Kërkesat e lëvizjes sonë kombëtare,
Veqilharxhi i paraqiti në tri shkrime të
tij: Në parathënien e botimit të dytë
të Evëtarit, në një letër
dërguar nipit të tij dhe sidomos në
një "Enqiklikë„(letër qarkore).
"Enqiklikën„ ai ua drejtoi më 1846
bashkadhetarëve të tij. Ky dokument është
konsideruar si manifesti i parë i lëvizjes
sonë kombëtare, si një program pune
për të. Ai flet me dhembje për gjendjen
tepër të prapambetur të popullit shqiptar.
Këtë e shpjegon me pushtimet e vazhdueshme
të të huajve, me ndryshimet politike e fetare,
sidomos me "lënien pas dore të lëvrimit
të gjuhës sonë kombëtare„. Ata
shqiptarë që shkolloheshin nëpër
vende dhe shkolla të huaja, shpesh mërgonin
larg atdheut në vend që të ishin "mirëbërës„,
etër e mësonjës të atheut e të
kombit tonë.
Por Veqilharxhi nuk e humbet shpresën dhe u bën
thirrje bashkatdhetarëve të mbushen me hov
e guxim. Me një stil të shkathët, të
figurshëm, e plot optimizëm ai shkruan:
"Le të hedhim farën e mirë dhe
me siguri vetë natyra e shenjtë e ngjarjeve
do të ndihmojnë për gjallërimin,
mbirjen dhe rritjen e saj, pemët e bukura dhe
shumë të ëmbla të së cilës
do t'i korrë padyshim brezi i ardhmë që
do të bekojë ata bujq dhe ata mbjellës
të mirë„. Cila është kjo "farë
e mirë dhe pemët e ëmbla që do
të japë ajo?„ Veqilharxhi mendon se, që
të dalim nga gjendja e rëndë, duhet
të shkruajmë gjuhën tonë e të
përhapim arsimin shqip, të përhapim
farën e diturisë, e cila do të sjellë
gjithë të mirat më pas. Padituria është
fatkeqësi, mendon autori, një e keqe e madhe,
që barazohet me skllavërinë. "Ato
kombe që kanë mbetur në padije, u shëmbëllejnë
thjesht skllevërve„. Një komb mund të
dalë nga mjerimi dhe prapambetja, kur të
fillojë të lëvrojë gjuhën
kombëtare. Gjuhën tonë ne duhet ta
shkruajmë me "shkronja të veçanta
kombëtare„, na mëson Veqilharxhi. Kështu,
shpreson ai, edhe ne do të vihemi në rradhën
e kombeve të qytetëruara.
Në këtë mënyrë e formulonte
ai njërën prej kërkesave të mëdha
të lëvizjes sonë kombëtare, duke
u nisur nga parimi i drejtë se një popull
mund të kulturohet vetëm me anë të
gjuhës së vet amtare. Vepra e Veqilharxhit
luajti rol të madh gjatë Rilindjes. Rilindësit
e njihnin si paraardhës dhe ushqenin për
të një nderim të madh. Me idetë
e tij iluministe dhe me veprimtarinë e tij në
dobi të kombit e të gjuhës shqipe.
Veqilharxhi fitoi dashurinë dhe respektin e bashkatdhetarëve
patriotë, por edhe mërinë e armiqve
të Shqipërisë, veçanërisht
te grekomanëve. Më 1846, ai u helmua nga
agjentët e Patriarkanës, duke qenë
kështu jo vetëm i pari ideolog, por edhe
i pari dëshmor i Rilindjes Kombëtare.