Poezia e Mjedës shënoi kalimin
nga letërsia e Rilindjes romantike, me problematikë
kryesisht atdhetare, te letërsia e Pavarësisë,
ku mbizotëroi problematika shoqërore dhe
realizmi. Ndre Mjeda lindi më 20 nëntor
1866 në Shkodër në një familje
të varfër. I ati ishte një barì,
i zbritur nga fshati. Ai vdiq herët dhe e la
Mjedën të vogël. E ëma mbeti e
vè, për të mbajtur dy fëmijët
u detyrua të lante rroba te familjet e pasura
të qytetit. Aftësitë e rralla që
shquanin Mjedën që në fëmijëri,
tërhoqën vëmendjen e jezuitëve,
të cilët jo rrallë zgjidhnin kuadro
nga shtresat e varfra dhe i futnin në seminare.
Ata e futën në seminarin e tyre italian
të Shkodrës. Meqenëse edhe këtu
Mjeda i ri u shqua për zotësi, e dërguan
të ndiqte studimet e larta në Spanjë,
Poloni, Kroaci dhe Itali. Kësaj rrethane poeti
i detyron njohjen e gjuhëve të ndryshme
të huaja dhe kulturën e gjerë klasike,
që do t'i vlejë shumë gjatë veprimtarisë
së tij të mëvonshme letrare. Në
formimin e personalitetit të mjedës ndikuan
dy faktorë: nga njëra anë shkolla fetare,
që përcaktoi deri diku botëkuptimin
e tij, nga ana tjetër idealet kombëtare
me të cilat ra në kontakt herët e që,
si bir i popullit të thjeshtë i ndiente
thellë. Këto ideale qenë për të
riun flaka që e ushqeu talentin e tij poetik.
Më 1887 Mjeda 21 vjeçar botoi "Vaji
i bylbylit", një elegji që është
njëkohësisht edhe një këngë
shprese. Në këtë poemth rinor, plot
fluturime romantike, jepet dhembja për fatin
e kombit të robëruar dhe optimizmi për
të ardhmen e tij. Ndërkaq Mjeda e ndiente
veten të ndrydhur nga rregullat e shoqërisë
jezuite.
Konflikti ndërmjet tij dhe urdhërit ku bënte
pjesë, arriti në pikën më të
lartë, pas dy vjetësh, kur poeti i ri, që
kishte mbaruar studimet dhe ishte dërguar të
jepte mësim në një shkollë të
lartë fetare në Itali, detyrohet të
largohet. Duke e ndier veten tashmë më të
lirë, ai iu kushtua me një zjarr të
dyfishuar çështjes kombëtare dhe
zhvilloi një veprimtari të gjerë atdhetare
e kulturore. Themeloi shoqërinë kulturore
"Agimi". Mori pjesë në një
kongres gjuhësor lidhur me çështjë
të shqipes në Hamburg. Ai shkroi për
mirditorët një memorandum, drejtuar përfaqësuesëve
të fuqive të mëdha në Shkodër,
ku ankoheshin kundër qeverisë osmane. Poeti
ngriti zërin me rastin e mbylljes së shkollës
së mesme shqipe në Korçë nëpërmjet
një vjershe që është një
kushtrim i hapur etj. Kjo veprimtari nuk mund të
mos i binte në sy qeverisë osmane, e cila
më 1902 e arrestoi poetin dhe gati sa nuk e internoi
në Anadoll (ky rast i dhimbshëm i jetës
së Mjedës gjeti pasqyrimin poetik në
poemthin "I tretuni").
Edhe pas kësaj, poeti nuk pushoi së punuari
për çështjen shqiptare, qoftë
në fushën letrare, qoftë në fushën
gjuhësore. Në këta vjet, nën ndikimin
e hovit të madh të lëvizjes atdhetare
si edhe të kontaktit të përditshëm
me jetën e fshatarëve, lindën krijimet
e tij më të mira.
Si shumë rilindës të tjerë, Mjeda
shpresonte se çlirimi kombëtar do të
sillte përmirësimin e gjendjes së masave.
Një mendim i tillë përshkon poemën
e fuqishme "Liria" e shkruar në vitet
1910-1911, pra në prag të shpalljes së
pavarësisë. Ngjarjet pas 1912-ës për
Mjedën qenë një zhgënjim i hidhur.
Në të vërtetë, që këtej
e tutje, ai do t'i kushtohet kryesisht veprimtarisë
gjuhësore. Më 1917 Mjeda mblodhi dhe botoi
në vëllimin "Juvenilja" krijimet
poetike, të shkruara gjatë Rilindjes që
për shumë shkaqe s'kishin mundur të
shihnin dritë më parë. Ai hyri kështu
në letërsinë tonë si poet i shquar.
Në vitet 1920-1924 Mjeda u zgjodh deputet i opozitës,
i krahut demokratik. Pas ardhjes së Zogut në
fuqi, Mjeda u largua nga jeta politike. Ai vazhdoi
të ishte famulltar i thjeshtë në fshatin
e vogël Kukël, gjersa në vitet e fundit
të jetës së tij kleri e mori si mësues
të shqipes në gjimnazin e vet të Shkodrës.
Mjeda iu vu atëherë me tërë energjitë
e veta edukimit të rinisë me dashuri të
veçantë për gjuhën dhe për
kulturën shqiptare.
Pak muaj para vdekjes, (1 gusht 1937), botoi, si testament
poetik të rrallë për bukuri e forcë,
poemthin "Liria".