Pashko Vasa, i njohur sidomos me emrin
Vaso Pasha, është një ndër udhëheqësit
më të hershëm e më të njohur
të lëvizjes sonë kombëtare. Ai
ka hyrë në historinë e Rilindjes si
ideolog dhe si poet i saj. Lindi në Shkodër
më 1825. Mësoi disa gjuhë të huaja
si autodidakt dhe fitoi një kulturë shumë
të gjerë për kohën. Rreth vitit
1847 shkoi në Itali dhe mori pjesë me armë
në dorë në revolucionin e Venedikut
kundër pushtimit austriak. U tregua trim dhe
me aftësi ushtarake. Pas dështimit të
kësaj lëvizjeje, P.Vasa u vendos në
Stamboll. Në Turqi P.Vasa u ngrit në shkallën
e lartë të hiearkisë shtetërore.
Nga viti 1883 e deri sa vdiq, më 1892 në
Bejrut, ishte guvernatori i përgjithshëm
i Libanit. Gjatë gjithë jetës së
tij P.Vasa s'ka rreshtur së menduari për
Shqipërinë dhe ka dëshiruar ta shohë
të lirë, të pavarur, e të kulturuar.
Veprimtaria e tij politike fillon në vitet `60
në Stamboll, ku bashkpunoi me K.Kristoforidhin,
Ismail Qemalin, Hoxha Tasinin. Mori pjesë në
përpjekjet për oragnizimin e shoqërive
patriotike e kulturore, për krijimin e një
alfabeti të shqipes dhe bashkë me Samiun
ishte ndër themeluesit e Shoqërisë
së të Shtypurit Shkronja Shqip. P.Vasa qe
një nga frymëzuesit kryesorë të
Lidhjes Shqiptare të Prizerenit dhe mbrojti me
forcë çështjen kombëtare në
Stamboll dhe në qarqet diplomatike jashtë
perandorisë.
Veprimtarinë letrare P.Vasa e zhvilloi kryesisht
në vitet `50-`60 të shekullit XIX. Gjithë
krijimtaria e tij lidhet ngushtë me atdheun,
me historinë dhe lashtësinë e popullit
shqiptar, me mbrojtjen e të drejtave të
tij si komb. "A mos është krim ta duash
vendin tënd? - shkruante ai. - Ajo që është
një cilësi, një virtyt për të
tjerët, nuk mund të jetë tjetër
gjë për ne„. Shkroi poezi, prozë artistike,
publiçistikë dhe libra gjuhe.
Veprat më të rëndësishme të
P.Vasës janë: përmbledhja me vjersha
"Trëndafila dhe gjemba„(1873), ku flet me
zjarr e mall për vendlindjen dhe dëshiron
lirinë e Shqipërisë. Më 1879 botoi
frëngjisht trajtesën: "E vërteta
për Shqipërinë dhe shqiptarët„,
në të cilën argumenton lashtësinë
e popullit shqiptar, tregon vetitë e tij dhe
mbron të drejtat kombëtare. Botoi më
1890 romanin "Bardha e Temalit„ të shkruar
frëngjisht, ku përshkruan zakone e doke
të jetës shqiptare në sfondin e luftës
për çlirim kombëtar. Shkroi edhe
një "Gramatikë të shqipes për
të huajt„(1887). Por kryet e vendit në krijimtarinë
e tij e zë vjersha "O moj Shqypni„
Kjo vjershë lindi në ditët e stuhishme
të Lidhjes Shqiptare të Prizerenit dhe qarkulloi
gojë më gojë, ngandonjëherë
edhe si këngë. Në të ndihet jehona
e ngjarjeve dramatike që kalonte vendi ynë,
kur shqiptarët mbronin me gjak trojet e tyre
nga lakmitë e shovinistëve fqinjë dhe
nga vendimet e padrejta të Kongresit të
Berlinit. Vjersha sintetizon në mënyrë
poetike gjithë idetë e mëdha të
lëvizjes kombëtare dhe me patosin kushtues,
shërben si një manifest poetik i saj.
Vjersha është ndërtuar mbi bazën
e antitezës. Për nga brendia ajo përmban
dy pjesë, dy tablo të Shqipërisë.
Në të parën, si gjithë rilindësit,
me nota romantike e idealizuese autori prezanton të
kaluarën, kurse në pjesën e dytë
përshkruhet me ngjyra rrëngjethëse
gjendja e mjerë e atdheut të robëruar.
Vjersha fillon me ton elegjiak, me një pyetje
plot dhembje sdrejtuar Shqipërisë, që
e kanë "qit me krye n'hi„, që s'e ka
më forcën dhe lavdinë e mëparshme.
Me një ndjenjë krenarie, poeti na jep përfytyrimin
e dikurshëm, të Shqipërisë si
një zonjë e rëndë, plot begati,
trimëri e dinjitet e, mbi të gjitha, plot
vlera njerëzore:
me armë të bardha, me pushkë ltina,
me burra trima, me gra të dlira,
ti ndër gjithë shoqet ke kenë ma e
mira.
Poeti evokon me pak vargje edhe traditat luftarake
e lavdinë e së kaluarës, ato vite kur
besa dhe lufta e trimave shqiptarë bënin
të dridhej qiell e dhè, të dridhej
armiku otoman gjer thellë në strofkullën
e tij. Këto vlera frymëzonin respekt të
pakufijshëm të të gjithë burrave
ndaj Shqipërisë, duke pasur për nder
ta quanin "nënë„. Poeti, si mjaft rilindës
të tjerë, krijon raportin nënë-bir
dhe e përdor si mjet themelor simbolin e figurës
së nënës. Edhe më pas, thirrjet
që u drejton bashkatdhetarëve, ua drejton
në emër të kësaj lidhjeje, në
emër të detyrës që ka çdo
bir ndaj nënës, ndaj atdheut.
Toni elegjiak rishfaqet në fillim të pjesës
së dytë, përzier me mllef të papërmbajtur,
kur i drejtohet zemërcoptuar Shqipërisë:
Po sot, Shqypni, po m'thuej si je?
Po sikur lisi i rrzuem përdhe!
Poeti zbulon edhe shkaqet e kësaj gjendjeje:
shqiptarët kanë harruar "besën
e të parëve„ dhe janë përçarë
në Fè të ndryshme. Dhe si ideolog
dhe militant i lëvizjes kombëtare, autori
u drejtohet bashkatdhetarëve:
Po jeni vllazën t'gjithë, more t'mjerë
Megjithëse toni elegjiak ndihet edhe në
vargje të tjera të pjesës së dytë,
poeti nuk bie në dëshpërim, madje me
këtë mënyrë ai kërkon të
prekë në sedër gjithë shqipëtarët.
Kujt i bën zemra të shohë të poshtëruar,
të coptuar e të dobët nënën
e dashur. Me besim të patundur në forcën
dhe shpirtin patriotik dhe luftarak të tyre,
poeti i jep tone burrërore vargut dhe ngre zërin
për luftë të armatosur, si e vetmja
rrugë për ta shpëtuar atdheun nga shtypja
e mjerimi. Është nder që jetën
t'ia falësh Shqipërisë.
Vjersha që nis me një pasthirrme tronditëse,
elegjiake, mbyllet me një apostrofë kushtruese:
Coniu, shqiptarë, prej gjumit, çoniu,
të gjithë si vllazën n'një besë
shtrëngoniu,
e mos shikjoni kisha e xhamia,
feja e shqiptarit asht shqiptaria!
Vetëm një atdhetarizëm i flaktë
mund te krijonte vargje me një forcë të
tillë, vargje që shpallën parrullën
e madhe rilindase se kombi është mbi çdo
fè, se shqiptaria, atdheu, e ardhmja e tij
janë gjithçka. P.Vasa është
një nga të parët që lëshoi
kushtrimin për t'u bashkuar pa dallim feje.
Vërtet në pikpamje të kompozicionit
vjersha përbëhet prej dy pjesësh dhe
theksi vihet më tepër tek e dyta, por patosi
i saj i drejtohet edhe së ardhmes. Ajo u shkrua
e frymëzuar nga aspiratat për ta parë
Shqipërinë të lirë, të përparuar
e plot dinjitet. Vjersha "O moj Shqypni„ është
një nga krijimet më të frymëzuara
të poezisë shqiptare. Figuracioni i pasur
e shprehës, epitetet, krahasimet, pyetjet retorike
plot ngarkesë emocionale, shkodranishtja e kuptueshme
dhe e ëmbël e bënë atë aq
ndikues tek masat. Vargu dhjetërrokësh (pesërrokësh
i dyzuar) i jep poezisë një ritëm marshi,
në përputhje me përmbajtjen, duke sintetizuar
thuajse gjithë idetë e lëvizjes kombëtare:
krenarinë për të kaluarën, dashurinë
për vendin, urrejtjen për robërinë,
thirrjen për bashkim, vjersha "O moj Shqypni„
u bë një nga kryeveprat poetike të
Rilindjes.