Gjon Buzuku është autori
i parë i njohur deri më sot i letërsisë
shqiptare. Veprat në gjuhën shqipe gjatë
shekujve të parë të pushtimit osman
janë të pakta. Më e vjetra prej tyre
që ka mbëritur deri në ditët tona,
është "Meshari„ i Gjon Buzukut (1555).
Kush ishte autori, nga ishte, ku punoi, mbi ç'baza
arriti ta shkruante e ta botonte librin e vet, janë
pyetje që ende nuk kanë gjetur një
përgjigjje të plotë. ndonjë gjë
të paktë që dimë për jetën
e autorit, për vështirësinë që
hasi, për punën, qëllimin dhe për
kohën kur e shkroi ose e botoi veprën e
vet e mësojmë vetëm nga pasthënia
e librit. Gjon Buzuku ishte një prift katolik,
një famulltar i thjeshtë, që, me sa
duket, punoi në Shqipërinë e Veriut,
jo larg vendit ku e botoi veprën e tij ndoshta
në trevën e Ulqinit e të Tivarit. Siç
na thotë vetë, veprën e filloi më
20 mars 1554
Dhe e mbaroi më 5 janar të 1555, koha që
punoi për shqipërimin, ose për botimin
e saj nuk del e qartë.
Libri, ashtu siç është sot, ka 188
faqe, i mungojnë 16 faqet e para, por edhe disa
të tjera nëpër mes. Kështu që,
duke mos pasur as kopertinë, as faqen e parë,
nuk dimë as titullin e tij të vërtetë
dhe as vendin e botimit etj. Është kjo një
fatkeqësi apo fatmirësi, s'mund ta themi
dot. Ndoshta, po t'a kishte kopertinën ose edhe
faqen e parë, libri mund të ishte zhdukur,
sepse, me sa duket, ka qenë në listën
e atyre librave që kane qenë ndaluar nga
kisha katolike e Romës.
Kështu që janë zhdukur nga qarkullimi
të gjitha kopjet e tij dhe mbeti vetëm kjo
që është e gjymtuar. Kjo , ndoshta
është arsyeja që ajo sot gjendet vetëm
në një kopje, të fshehur e të
harruar që i ka shpëtuar syrit të inkuizicionit.
Kopja që gjendet, me sa duket ka qenë përdorur
shumë. Veç fletëve të grisura,
në shumë faqe anash ka shënime e emra
priftërinjsh që, me sa duket , e kanë
pasur nëpër duar.
Përmbajtja e librit është fetare dhe
kryesisht me pjesë liturgjie, pjesë që
lexohen e recitohen vetëm prej klerikëve
në shërbesat kishtare. Përkthim i një
libri latinisht i shkruar me alfabetin latin. Për
disa disa tinguj të shqipes, si: q, gj, th, dh,
z, x, etj; që nuk i ka gjuha latine, autori përdor
pesë shkronja që kanë përngjasim
me disa shkronja të alfabetit cirilik. Gjuha
e veprës është ajo e dialektit të
Shqipërisë Veriore e Perëndimore. Këtë
alfabet do ta përdorin edhe autorët pas
tij, me ndonjë ndryshim të vogël.
Përmbajtja e veprës dëshmon për
përdorimin e shqipes në shërbesat fetare.
Jemi në kohën kur në Evropë kishte
shpërthyer lëvizja për t'u shkëputur
nga kisha katolike e Romës, lëvizja që
njihet me emrin protestantizëm. Një nga
kërkesat kryesore të kësaj lëvizje
ishte që shërbesat kishtare të bëhen
në gjuhën amtare. Edhe Buzuku, me sa duket,
ecën në këtë rrugë, edhe
pse kjo është në kundërshtim me
urdhërat e Vatikanit. Nga ato që thotë
në pasthënie, duket se Buzuku nuk hyri rastësisht
në këtë rrugë.
Në rrethanat që ishin krijuar në Shqipëri
nga pushtimi osman, kisha katolike e Romës ishte
e detyruar të bënte lëshime për
t'i vënë fre islamizmit të popullsisë
shqiptare. Këtë gjë e kuptoi dhe e
shfrytëzoi Buzuku, i nisur jo vetëm nga
qëllime fetare por edhe atdhetare.
I ndikuar nga idetë e lëvizjes protestante,
Buzuku iu vu punës qe besimtarët shqiptare
shkrimin e shenjtë ta merrnin drejtpërdrejtë
në gjuhën amtare. Nga ana tjetër, si
atdhetar, ai desh të bënte dicka për
popullin e vet dhe është i vetëdijshëm
se me punën e tij do t'i shërbente popullit
të vet, jo vetëm për të dëgjuar
e kuptuar përmbajtjen e disa ceremonive kishtare,
por edhe se ajo përbën pikënisjen e
shkrimit të gjuhës shqipe drejtuar masave
shqiptare. Me veprën e tij ai mundohej të
afirmonte individualitetin shqiptar. Vepra e Buzukut
nuk ka vetëm meritë letrare, por është
edhe një hap i guximshëm kulturor, që
bën pjesë në luftën e popullit
shqiptar për çlirim e përparim. Këto
probleme e kanë munduar për një kohë
të gjatë autorin, prandaj ai shkruan në
pasthënie <<…U Doni Gjoni, biri i Bdek
Buzukut , tue u kujtuom shumë herë se gjuha
jonë nukë kish gjo të të ndigluom
(që të jetë dëgjuar) nse shkruomit
shenjtë, nse dashunit nse botëse, sanë,
desha me u dedigune përsa mujta me ditune, me
zbritunë (me ndriçue) pak mendetë
e atyne që ndiglojinë …>>
Të ndriçojmë mendjet e njerëzve,
pra ky ka qenë edhe njeri nga qëllimet për
të cilin e shqipëroi dhe botoi Buzuku veprën
e tij. Madje Buzuku ecën edhe më përpara.
Në Mesharin e tij gjendet dhe kjo lutje që
nuk gjendet në asnjë meshar të botës:
Gjithë popullsinë e krishtene, ndër
Arbanit ata n'mortajet largo, ty të lusmë.
O Zot. Te Arbëria, pra aty i rreh zemra Buzukut.
Nga të gjitha këto del qartë se me
veprën e Buzukut kemi një vazhdimësi
të kulturës shqipëtare dhe në
kushtet e vështira të pushtimit osman, kulturë
që te humanistet u përfaqësua me vepra
kryesisht në gjuhën latine, që ishte
gjuha e kulturës së kohës dhe që
u pasurua më vonë me veprat e Budit, Bardhit,
Bogdanit et , në gjuhën shqipe.
Që nga botimi deri më 1740, gati dy shekuj
Meshari ishte një vepër e humbur, një
vepër e panjohur. Më 1740, atë e zbuloi
në Biblotekën e Propaganda Fides afër
Romës autori gjakovar Gjon Kazazi. Ky zbulim
bëri bujë të madhe, sepse është
libri i parë në gjuhën shqipe. Pas
kësaj çështja mbeti përsëri
në heshtje edhe për më tepër se
një shekull deri më 190 , kur e rizbuloi
arbëreshi Pal Skiroi po jo më në Biblotekën
Propagada Fides, por në Biblotekën e Vatikanit,
në Romë, ku gjendet edhe sot. Me 1932 libri
u fotokopjua në tri kopje, njëra nga të
cilat gjendet në Biblotekën tonë Kombëtare.
Më 1968 gjuhëtari ynë i shquar Eqerem
Cabej, bëri një botim shkencor të veprës
së Buzukut, duke e shoqëruar me një
studim më të gjerë për gjuhën
dhe meritat e autorit.
Gjuha e pasur e librit dhe drejtëshkrimi përgjithësisht
i ngulitur dëshmojnë se kjo vepër duhet
te jetë mbështetur në një traditë
të mëparshme të shkrimit të shqipes
kishëtare, traditë që rrebeshet e kohërave
të vështira që kaloi vendi ynë,
me sa duket e kanë marrë me vehte. Por edhe
libri i Buzukut krijoji padyshim një traditë
për autorë që erdhën pas tij.
Të shkruaje në shqip një libër
fetar në një kohë kur kjo gjuhë
nuk ishte lëvruar si gjuhë kulture, nuk
ishte e lehtë. Buzuku ia doli mbane veç
të tjerash edhe pse shfrytëzoi pasurinë
e gjuhës pupullore si dhe mjaft fjalë të
lashta, që ndoshta, i përkisnin traditës
së shkrimit të shqipes para tij.
Gjuha e veprës ka në bazë të folmen
e Shqipërisë Verilindore, por të bie
në sy përpjekja për ta ngritur atë
mbi dialektin nga është nisur. Në veprën
e Buzukut gjejmë ndonjëherë edhe pjesë
të një proze tregimtare, të një
proze me vlera letrare, që dallohet për
mjeshtërinë e përdorimit të fjalës,
dhe sigurinë e ndërtimeve gjuhësore
pak a shumë të qëndrueshme. Meshari
i Buzukut ka rëndësi shumë të
madhe për historinë gjuhës së
shkruar shqipe. Duke krahasuar gjuhën e Buzukut
me shqipen e sotme, vërehen zhvillime të
ndryshme që ka pasur gjuha jonë që
nga shekulli XVI e deri më sot, gati për
pesë shekuj.