Pjetër Bogdani është
figura më e shquar e letërsisë së
vjetër shqiptare. Ai shquhet jo vetëm si
klerik i lartë, por edhe si atdhetar, me një
dashuri të pakufi për gjuhën shqipe
e për popullin shqiptar, por edhe si dijetar
e letrar, si luftëtar i paepur për çlirimin
e vendit nga zgjedha osmane dhe për zhvillimin
e përparimin e tij kulturor. Me veprimtarinë
e tij politike 40-vjeçare, sidomos me rolin
që luajti si udhëheqës i kryengritjes
çlirimtare të vitit 1689 dhe me veprën
e vet "Çeta e profetëve", Pjetër
Bogdani me të drejtë është quajtur
pararendës i hershëm i lëvizjes së
Rilindjes sonë Kombëtare. Lindi në
Gur të Hasit, një fshat i Kukësit,
rreth vitit 1625, Ungji i tij Andrea Bogdani, edhe
ai klerik i lartë (kryepeshkop i shkupit), ishte
marrë me lëvrimin e gjuhës sonë,
kishte hartuar në gjuhën shqipe edhe një
gramatikë të latinishtes, madje kishte mbajtur
në Kosovë edhe një shkollë ku
mësohej gjuha shqipe.
Mbasi kreu studimet e mesme fetare në Kolegjin
e Loretos dhe punoi disa kohë si meshtar në
Pult e Prizeren, me shpenzimet e të ungjit kreu
edhe studimet e larta në Kolegjin e Propaganda
Fides dhe në 1655 mori dy dekorata, njerën
në filozofi dhe tjetrën në teologji,
çka ishte gjë e rrallë sidomos asokohe
për një të ri shqiptar.
Më 1656, në moshën 31-vjeçare,
emërohet peshkop i Shkodrës ku shërben
për 21 vjet (1657-1677), duke qenë i ngarkuar
njëkohësisht edhe me administrimin e kryepeshkopatës
së Tivarit, 12 vjetët e fundit të jetës
së tij i kaloi si kryepeshkop i Shkupit.
Atij ju desh të luftonte njëherazi në
tri fronte kryesore: edhe kundër zgjedhës
së huaj, që në mesin e shekullit XVII
ishte rënduar shumë, edhe kundër kishës
ortodokse dhe sidomos patriarkanës serbo-ortodokse
të Pejës, që i kishte shtuar përpjekjet
e vjetra për të mos lejuar shpërthimin
e kryengritjeve antiosmanene dioqezat e saj, edhe
kundër politikës që ndiqte vetë
kisha katolike e Romës në Ballkan.
Kudo që punoi , qoftë si peshkop i Shkodrës
dhe administrator i kryepeshkopatës së Tivarit,
qoftë si kryepeshkop i Shkupit, të gjitha
këto detyra Bogdani i kreu jo vetëm si klerik,
por edhe si patriot. Bashkë me predikimin fetar
dhe nën petkun e klerikut ai edukonte te besimtarët
edhe ndjenjën e dashurisë për liri
e për atdhe dhe urrejtjen ndaj pushtuesëve
osmane, nxiste dhe organizonte qëndresën
kundër tyre dhe, jo rrallëherë, ka
marrë pjesë drejtëpërdrejt në
kryengritjet antiosmane që shperthyen në
atë kohë.
Gjatë luftës turko-veneciane (1664-1669),
ai u përpoq që të organizonte veprime
të përbashkëta me venecianët kundër
pushtuesve osmane. Po kështu edhe në konfliktin
turko-austriak (1689) Pjetër Bogdani mori malin
për të organizuar kryengritjen e armatosur,
dhe, kur forcat austriake hynë në Prishtinë,
me ta u bashkuan edhe rreth 500 luftëtarë
të cilët kronisti austriak i cilëson
"arnautë", d.m.th. shqiptarë.
Bogdani ishte faktori vendimtar i këtij bashkëveprimi,
aq sa kronisti i mësipërm, kur vdiq, më
6 dhjetor 1689, në mënyrë lakonike
shkruan se "me vdekjen e Pjetër Bogdanit
iku edhe fati ynë në tokë". Dhe
me të vërtetë, ushtria austriake filloi
të pësonte disfata të përditshme.
Frytet e punës politike të Bogdanit për
afrimin e shqiptarëve myslimane e katolike kundër
zgjedhës shekullore, sidomos simpatinë që
gëzonte ai tek shqiptarët myslimanë,
e dëshmon edhe suksesi që pati më 1680,
kur pajtoi brenda tri orëve fiset e Krasniqit
dhe të Gashit, që ishin në gjakmarrje.
Për t'u shpëtuar këtyre ndjekjeve,
atij i është dashur shpeshherë të
merrte udhët e maleve. Madje edhe sot nëpër
vendet ku ka kaluar ka shpella që mbajnë
emrin e tij e që tregojnë se ai është
fshehur në to për t'u shpëtuar operacioneve
ushtarake turke. Gjatë këtyre arratisjeve,
me sa duket, ai merrte me vete biblotekën personale,
ose , të paktën, dorëshkrimet e vyera,
sepse sikurse e thotë vetë me keqardhje,
gjatë këtyre shtegtimeve të detyrueshme
atij i humbi (hupi si krypa nd'ujët-shkruan ai)
dorëshkrimi i gramatikës së të
ungjit.
Pjetër Bogdani ka hyrë në historinë
e patriotizmit shqiptar dhe të kulturës
shqiptare jo vetëm me veprimtarinë e vet
kombëtare për të organizuar kryengritjen
e përgjithshme antiosmane, por edhe me veprën
e tij diturore-letrare "Çeta e profetëve"
(Cuneus profhetarum), që e botoi në Padovë,
më 1635 me ndihmën e një miku të
vet.
Me kulturën e tij të gjerë enciklopedike,
me mendimet e tij përparimtare iluministe e atdhetare,
me punën e gjatë këmbëngulëse
më se tridhjetëvjeçare, Bogdani i
dha letërsisë shqiptare dhe popullit shqiptar
një vepër madhore, që kurorëzoi
traditën e mëparshme letrare e kulturore
dhe që paralajmëroi një periudhe të
re të zgjimit gjithkombëtar.
Bogdani është një njeri erudit. Nga
leximi i veprës së tij mësojmë
se përveç gjuhës amtare, ai dinte
edhe italishten, latinishten, kroatishten, armenishten,
greqishten, arabishten, hebraishten, dhe sirishten.
Por më tepër se doktorata që mori edhe
gjuhët që dinte, për vlerat e shquara
të Bogdanit flet vepra e tij, " Çeta
e profeteve„ është shkruar me një kulturë
të gjerë, në të ka informacion
të pasur nga historia e popullit tonë, nga
filozofia dhe shkencat e natyrës. Vepra e tij
nuk është përkthim. Legjendat biblike
që janë në themel të saj, ai i
ka përpunuar në mënyrë të
lirë dhe herë pas here fut ide, arsyetime
dhe argumentime me karakter filozofik, historik, politik,
shkencor-natyror etj, që s'kanë të
bëjnë fare me legjendat biblike dhe që
i japin asaj karakter origjinal. Vepra e Bogdanit
nuk është thjesht një tekst për
shërbesat fetare, as për mësimin e
fesë, siç ishin veprat e Buzukut e Budit.
Ajo është një vepër teologjike-filozofike,
me elemente të shumta enciklopedike që përshkrohet
fund e krye nga dashuria e madhe për popullin
shqiptar dhe gjuhën shqipe, nga dëshira
për të ndihmuar zhvillimin dhe përparimin
e kulturës shqiptare dhe nga urrejtja për
pushtuesin. Vepra përbëhet nga dy pjesë.
Në pjesën e parë trajtohen probleme
teologjike e filozofike të doktrinës së
krishtere, kurse në pjesën e dytë jetëshkrimi
i Krishtit. Po autori del jashtë ketyre caqeve.
Në pjesën e parë trajtohen edhe shumë
probleme të shkencave natyrore, si të gjeografisë,
astronomisë, fizikës, matematikës etj,
por edhe të shkencave shoqërore si të
teorisë së letërsisë etj. Duke
goditur besimet e kota, ai në veprën e tij
shpjegon, psh., si formohet shiu, vesa, breshri, bora,
vetëtima etj., ç'janë tërmeti,
eklipset e diellit e të hënës, baticat
e zbaticat, flet për njohjen e botës nëpërmjet
shqisave etj Meritë e tij është se
gjithcka e trajton në nivelin e mendimit më
të përparuar të kohës kur jetoi.
Në pjesën e dytë, duke përshkruar
jetën e Krishtit etj., ai solli në letërsinë
tonë llojin e jetëshkrimit, realizmin në
përshkrimin edhe vizatimin e figurave biblike,
duke përdorur me mjeshtëri rrëfimin
artistik në njerëz të ndryshëm.
Ndihmesa e tij është e rëndësishme
sidomos në formimin e prozës shkencore shqiptare.
Me interes të veçantë janë idetë
e tij patriotike që parashtron jo vetëm
në parathënien e veprës, por edhe gjatë
shtjellimit të materialit. Sa herë i bëhet
e mundshme, ai gjen rast të përmendë
qëndresën burrërore të shqiptarëve.
Me admirim flet p.sh., për qëndresën
e kelmendasve "Kush mundetë me i ra mboh
se ma i vobekje Vuca Pasha, i silli për të
mbledhë një ushtri 12.000 vetësh, nuk
i mjaftuan shumë milion ar, se kelmendasit tanë,
të sijtë, me nji zan. "Eja kush ashtë
trim„ mbledhunë afër 500 vetë, vranë
Vuca Pashën, vjetit të Krishtit 1639„ …etj.
Bogdani njeh mirë historinë e Shqipërisë
dhe shkrimet e për të prandaj, kur i vjen
rasti, ai përmend me krenari vlerësime pozitive
që kanë bërë historianë të
huaj për vendin dhe popullin tonë. Diku
ai përmend thënien e Herodotit: Cezar Augusti
"Dëshironte fort me pasun ndë ushtritë
tinë t'arbëreshëtë. Përse
thonj pësonjënë shumë e nuk druhen
për hu e për het, se janë më zemërorë
se të tjerëtë„ .
Karakteristike tjetër e personalitetit të
Bogdanit është mendimi i tij iluminist.
Nëpërmjet përhapjes në popull
të dijes dhe kulturës në gjuhën
shqipe, ai shikonte një nga rrugët për
të shpëtuar nga zgjedha e huaj. Paditurinë
(në parathënien e veprës së vet)
ai e quan një nga shkaqet kryesore të mjerimit
dhe të skllavërisë së popullit.
"Prashtu dergjet e dheu ndë robi t'errëtë
e verbuem me dy palë niegulla të zeza mbi
faqe, që janë mkati i të paditunitë,
perse u dvua dieja e urteja. E tue kjanë dheu
i Arbënit ndë mjedistë t'pafevet„ …
Pra, autorit i qan zemra që populli i tij dergjet
nën zgjedhë të huaj dhe ndodhet i verbuar
me dy palë mjergulla, që janë mëkati
e padituria. Dhe kjo, sepse dheu i Arbërit ndodhet
mes të të pafeve, d.m.th. të pushtuesve
osmanë.
Lënda që trajton Bogdani në veprën
e tij, është e vështirë, sepse
përmban koncepte e nocione abstrakte të
fushave të ndryshme të dijes. Prozës
shqiptare në atë kohë i mungonte tradita
për të shprehur këto nocione. Por Bogdani
asnjëherë nuk u përkul e nuk u ligështua
para vështirësive, sepse kishte besim tek
thesari i pasur i gjuhës shqipe. Me përpjekje
këmbëngulëse, duke mbledhur me kujdes
fjalë të lashta e të rralla nga visari
i gjuhës popullore e duke i përdorur ato
me kuptim të drejtpërdrejtë ose të
figurshëm, ai e ngriti gjuhën shqipe në
nivele të reja, tregoi aftësitë e saj
për të fituar mundësi të larta
shprehjeje e stili. Ai është i vetëdijshëm
se në këtë punë mund të ketë
edhe të meta e mangës , prandaj ne fjalët
e fundit të parathënies së veprës
ai i drejtohet lexuesit: "Të lutemi pra,
litari em i urtë, të më ndijeçë
në gjeç fjalëzë, që të
trazon veshëtë. Përse as dielli pa
hije as hëna pa mjegullore mbi faqe nuk anshtë..."
"Çeta e profetëve„ përmban edhe
disa vjersha, shkruar nga vetë autori ose nga
të tjerë. Nga këto, me interes të
veçantë si për formën, ashtu
edhe për idetë e saj, është një
vjershë e Lukë Bogdanit. Ajo na sjell të
gjallë deri në ditët tona kujtimin
për Skënderbeun dhe mbresat e autorit për
bukurinë dhe madhështinë e vendlindjes
së poetit dhe veçanërisht të
viseve ku ka jetuar e punuar poeti.
Me sa duket, me kërkesë të Vatikanit
(ndoshta për të kontrolluar përmbajtjen
para se të jepej leja e botimit), Bogdanit iu
desh që veprën e tij ta përkthente
në gjuhën italiane. Në këtë
mënyrë shqipja ballafaqohet me një
gjuhë evropiane të zhvilluar për kohën
dhe veprës se Bogdanit i takon fati që të
jetë e para vepër e përkthyer nga shqipja
në një gjuhë tjetër, dhe autorit
merita që të jetë i pari përkthyes
i letërsisë shqiptare në gjuhë
të huaj. Vepra e Bogdanit me përmbajtjen
dhe me gjuhën e saj e çoi shumë përpara
traditën e shkrimit të shqipes e sidomos
të lëvrimit të prozës origjinale.
Me veprimtarinë e tij patriotike, duke bashkuar
ndjenjën fetare me ndjenjën kombëtare,
me personalitetin dhe me veprën e tij, Pjetër
Bogdani i siguroi vetes një vend të veçantë
në historinë e patriotizmit shqiptar e të
kulturës sonë kombëtare.