Pjetër Budi është një
nga figurat më të shquara të botës
shqiptare për kohën kur jetoi. Ai u përket
atyre klerikëve, që u dalluan për një
veprimtari të dendur atdhetare. Ishte organizator
dhe udhëheqës i masave popullore në
luftën për çlirim nga zgjedha osmane,
përkthyes dhe krijues origjinal në fushën
e letrave shqiptare për të mbrojtur identitetin
etnik e kulturor të pupullit tonë. Për
jetën veprimtarinë dhe formimin e tij intelektual
nuk kemi shumë të dhëna të drejtpërdrejta.
Edhe ato që dimë, i nxjerrim kryesisht nga
thëniet e veta në librat që botoi,
veçanërisht nga letra latinisht që
i dërgoi më 1621 një kardinali të
quajtur Gocadin. Kjo letër është një
dokument me rëndësi të veçantë
jo vetëm për jetën dhe personalitetin
e autorit, por edhe për gjendjen e vendit në
atë kohë, dhe mbi të gjitha ajo është
një program i plotë për organizimin
dhe zhvillimin e luftës së armatosur kundër
pushtuesit. Në këtë letër Budi
pas hyrjes bën edhe një autobiografi të
shkurtër , nëpërmjet së cilës
mësojmë dicka të sigurt për jetën
e tij.
Lindi në Gurë të Bardhë të
Matit me 1566 nga një familje e dëgjuar
dhe e vjetër. Mësimet e para dhe formimin
e tij intelektual e mori në vend, pranë
disa ipeshkevet të ndryshëm, deri në
moshën 21-vjeçare. Më 1587 u caktua
meshtar dhe shërbeu si famulltar i thjeshtë
për 12 vjet në Kosovë dhe me vonë
17 vjet të tjerë si zëvendës i
përgjithshëm i dioqezave të Serbisë.
Gjatë viteve 1516-1522 bëri disa udhëtime
në Itali, kryesisht për qëllime atdhetare
si dhe për të botuar veprat e tij. U mbyt
në dhjetor të vitit 1622 duke kaluar Drinin,
por vdekja e tij nuk ndodhi aksidentalisht; atë
e shkaktuan qarqet anti shqiptare, që shikonin
tek Budi një atdhetar të flaktë dhe
një nga organizatorët e luftës së
popullit për çlirim nga zgjedha e huaj.
Këtë e vërteton më së miri
aktakuza me të cilën hidhet në gjyq
personi që thuhet se e shkaktoi këtë
vdekje dhe aktet e gjyqit përkatës. Në
këtë mënyrë Budi është
një nga martirët e parë të kulturës
shqiptare.
Gjatë 29 vjetëve që shërbeu në
vise të ndryshme, i veshur me petkun e klerikut,
Pjetër Budi u shqua edhe për një veprimtari
të dendur atdhetare. Ai gjithë jetën
dhe energjitë e tij ia kuhstoi çlirimit
të vendit. Hartoi plane për dëbimin
e pushtuesit dhe u përpoq të siguronte edhe
ndihma nga Vatikani e nga vende të tjera. Ai
bënte pjesë në atë shtresë
të klerikëve, që u lidhën me krerët
e fiseve shqiptare dhe iu kundërvunë jo
vetëm sundimit të egër osman, por edhe
Vatikanit, kur ishte fjala për çlirimin
e vendit nga zgjedha e huaj dhe ruajtjen e vetëdijes
kombëtare të popullit shqiptar. Clirimin
dhe shpëtimin e vendit Budi, e shikonte te fshatarësia
e lirë, sidomos te malësorët, të
cilët nuk u pajtuan asnjëherë me pushtimin
dhe e vazhduan me ngulm qëndresën e tyre.
Siç del nga letra që i dërgoi Gocadinit,
misioni kryesor për të cilin ai shkoi më
1621në Romë, ishte që të bëhej
zëdhënës i kërkesave të shqiptarëve
dhe të kërkonte ndihma. Letra e tij është
një projekt i një kryengritjeje të
armatosur që një klerik ia drejton një
kardianli dhe organeve të administratës
kishtare për të kërkuar ndihmë
për popullin e tij, që të çlirohej
nga zgjedha e huaj. Ndër të tjera shkruan:
"Kur u nisa prej këtyre vendeve, fort m'u
lutën ata kryetarë fisesh, si dhe disa kryetarë
myslymanë, që t'ia shfaqja Papës ose
ndonjë princi tjetër këtë dëshirë
të tyre e t'u lutesha që të na sigurojnë
mbrojtje e ndihmë … për t'u çliruar.
Dhe jo vetëm të krishterët, por edhe
të parët e myslimanëve… Të gjithë
duan të dalin një herë e mirë
prej kësaj gjendjeje të mjeruar ose të
vdesin me armë në dorë. Grushti që
do të marrë Turqia këtu, do të
jetë ndihmë edhe për polakët„
.
Por shpresat e tij, si gjithmonë, mbetën
të zhgënjyera. Megjithatë, ai asnjëherë
nuk u ligështua. I dëshpëruar nga mosrealizimi
i planeve të tij, iu vu punës për të
përkthyer e botuar veprat e veta në gjuhën
shqipe. Budi është i pari nga klerikët
që do të thotë se perëndia nuk
e degjon atë që i lutet në gjuhë
të huaj, atë që përsërit
vetëm fjalë boshe pa i kuptuar ato që
thotë. Me këmbëngulje dhe përpjekje
të mëdha arriti që më 1618 të
botonte në Romë veprën e parë
"Doktrina e krishtenë„ dhe më 1621
dy veprat e tjera "Rituali roman" dhe "Pasqyra
e të rrëfyemit". Veprat e Budit janë
kryesisht përkthime ose përshtatje të
lira tekstesh fetare, por qëllimi i botimit të
tyre është, në radhë të parë,
qëllim komëtar. Ato do t'u shërbenin
klerikëve në Shqipëri për ngritjen
e tyre profesionale në shërbesat fetare,
por më tepër do t'i shërbenin ruajtjes
së gjuhës shqipe, që shprehte në
atë kohë shtyllën kryesore të
kombësisë, do t'u shërbenin përpjekjeve
për çlirimin e vendit, zhvillimit e përparimit
të arsimit dhe kulturës së popullit
shqiptar, që ky të mos mbetej më prapa
se popujt e tjerë. Për qëllimin dhe
rëndësinë e tyre autori është
i vetëdijshëm kur thotë se librat shqip
do t'i shërbenin kur të kthehej në
viset e Shqipërisë për të pregatitur
kryengritjen e përgjithshme dhe për të
fhsehur në sy të pushtuesëve këtë
veprimtari të lartë kombëtare. Po të
studjohen me kujdes veprat e Budit, duket qartë
se shpesh herë ai del jashtë tekstit origjinal
nga përkthen dhe përshkruan doke e zakone
shqiptare, të cilat janë krijime origjinale
në prozë. Kjo gjë bie më tepër
në sy në veprën "Pasqyra e të
rrëfyemit", që ka një rëndësi
të veçantë edhe për historinë
e etnografinë. Në faqet e fundit të
veprës autori ka vendosur një letër
të gjatë, afro 70 faqe ku shkruan plot dashuri
për atdheun e popullin dhe ankohet për mungesën
e shkollave dhe për klerin që nuk përpiqej
t'u hapte sytë bashkatdhetarëve. Deri më
sot letra është konsideruar si proza e parë
origjinale në letërsinë shqiptare,
që buron drejtpërdrejtë nga zemra e
një atdhetari. Kjo e bën Budin shkrimtarin
e parë të letërsisë shqiptare
që lëvroi prozën origjinale. Në
këtë letër pasqyrohen elemente të
jetës shqiptare të kohës dhe ndihet
shqetësimi i klerikut patriot për fatet
e popullit e të gjuhës së tij amtare.
Budi përshkruan traditat e zakone shqiptare,
por, mbi të gjitha, ndalet në gjendjen e
mjeruar ku e ka hedhur pushtimi i huaj dhe padija
e popullit të vet. Për këtë gjendje
ai akuzon edhe bashkëatdhetarët e vet "djesitë„
e "leterotetë„ (dijetarët e letrarët),
që u vjen dore ta ndihmojnë popullin për
të dalë nga kjo gjendje, por që nuk
po bëjnë asgjë…
Proza e Budit dëshmon jo vetëm për
idetë përparimtare, por edhe për aftësitë
e tij letrare. Edhe pse në të ndihet ndikimi
i leteraturës kishtare latine, ai është
munduar t'i japë gjuhës shqipe një
shprehje e formë të bukur, duke shfrytëzuar
pasurinë e gjuhës popullore dhe frazeologjinë
e saj të pasur.
Faqe me rëndësi në krijimtarinë
e Budit përbëjnë vjershat e tij. Para
tij njohim vetëm një vjershë të
shkurtër me 8 vargje, të shkruajtur nga
arbëreshi Matrënga, kurse Budi na ka lënë
23 vjersha me mbi 2.300 vargje, prandaj me të
drejtë ai mund të quhet nismëtari i
parë i vjershërimit shqip.
Vjershat e Budit kryesisht janë të përshtatura
nga latinishtja e italishtja, vetëm pak janë
origjinale. Është e vërtetë se
në hartimin e tyre nuk kemi një frymëzim
e teknikë të lartë, por vihet re një
përpjekje serioze për ta pasuruar gjuhën
shqipe edhe me krijime që synojnë të
shprehin në vargje të bukurën në
artin e fjalës shqipe.
Në njërën prej tyre, në formën
e një pyetje retorike, poeti shpreh ndjenjën
e trishtimit dhe të kotësisë që
e pushton kur mendon se të gjithë njerëzit
i rrëmben vdekja:
"Ku janë ata pleq bujarë,
që qenë përpara ne,
e ata trima sqimatarë,
të shpejtë si rrufe?„
Pengesë serioze për zhvillimin dhe përparimin
e vendit dhe të kulturës kombëtare,
përveç pushtuesit osman, Budi, shikonte
edhe klerikët e huaj, që shërbenin
në famullitë shqiptare. Këta, duke
shpifur e duke përçmuar vlerat kombëtare
të popullit tonë, cënonin sedrën
e shqiptarëve, mundoheshin t'i përçanin
ata dhe të dëmtonin përpjekjet e tyre
për çlirim. Në këto rrethana,
Budit iu desh të luftonte në disa fronte:
edhe kundër pushtimit të huaj, edhe kundër
Vatikanit e të dërguarve të tij në
Shqipëri. Prandaj më 1622 organizoi një
mbledhje të të gjithë klerikëve
shqiptarë të zonës së Shkodrës,
Zadrimës, e Lezhës dhe i bëri të
betoheshin e të nënshkruanin një vendim
se nuk do të pranonin kurrë klerikë
të huaj. Rrjedhimet e këtij vendimi të
guximshëm u dukën shpejt. Forcat kundërshtare
u bashkuan në një front të përbashkët,
duke përdorur si mjet valët e rrëmbyeshme
të Drinit, për ta eleminuar Budin në
një ditë të dhjetorit të vitit
1622.
Jeta e Budit është një jetë kushtuar
fund e krye çështjes shqiptare. Programi
fisnik i gjithë kësaj veprimtarie atdhetare
mund të përmblidhen në këto fjalë
që shkroi me dorën e tij: "…aqë
sa munda luftova me gjithë zemër jo për
qishdo lakmi e lavdi të mrazët, po me një
të madh dëshirë për ndihmë
të patries e të gjuhës sonë„ .
Figura e Pjetër Budit ngrihet si shembull heroizmi
e vetëmohimi për vendin dhe popullin e vet,
duke u bërë në disa drejtime pararendës
i rilindësve.