Pas Luftës së Dytë
Botërore letërsia shqiptare eci në
një rrugë mjaft të vështirë
e komplekse. Karakteristikë kryesore e kësaj
periudhe është shkëputja jo e natyrshme
e letërsisë nga tradita e saj dhe ndikimi
i fuqishëm, po ashtu jo i natyrshëm, që
ushtroi mbi të përvoja krijuese e metodës
së realizmit socialist. Veçoria tjetër,
mbase më e rëndësishme dhe me pasoja
më të rënda, është se letërsia
shqiptare do të zhvillohej e ndarë nga një
kufi politik brutal dhe kufizimet e një regjimi
diktatorial. Kështu do të kemi: letërsi
të zhvilluar brenda kufirit të shtetit shqiptar;
të shqiptarëve në përbërje
të ish Jugosllavisë, kryesisht në Kosovë
dhe në Maqedoni, si dhe të shqiptarëve
të diasporës.
Këto karakteristika ndikuan fuqishëm në
rrjedhën e letërsisë shqiptare në
përgjithësi, si dhe në fizionominë,
strukturën artistike apo frymëzimin tematik
të saj. Gjatë katër dhjetëvjetëshave
të parë të shekullit XX e sidomos gjatë
viteve '20 e '30 letërsia shqiptare pari një
zhvillim të hovshëm dhe të gjithanshëm.
U rrit si numri i krijuesve, ashtu dhe numri i veprave
letrare të botuara, të cilat u ngritën
në një shkallë më cilësore
artistike, duke krijuar premisat për një
komunikim më të afërt me përvojat
e përgjithshme letrare në Evropë. Përmes
shkrimtarëve të talentuar, të shkolluar
nëpër qendra të ndryshme të Evropës,
në letërsinë shqiptare filloi të
depërtojë fryma e drejtimeve dhe e ndjeshmërive
të reja krijuese letrare të kohës.
Siç dihet, gjatë këtij harku kohor
shkrimtarë të mëdhenj të letërsisë
shqiptare, si: Fishta, Konica, Noli, Poradeci, Koliqi,
Migjeni, Kuteli, shënuan disa nga kulmet më
të larta të letërsisë shqiptare,
në llojet dhe zhanret e gjinive të ndryshme.
Në këtë kontekst letrar llojet e gjinisë
lirike do të jenë ato që përparojnë,
por një hov të dukshëm do të marrin
edhe llojet epike, drama, kritika dhe teoritë
letrare.
Krejt ky fluks i pasur krijuesish të talentuar
të moshave të ndryshme, të nxitur dhe
të mbështetur nga shtypi periodik letrar
i drejtimeve dhe i shkollave të ndryshme, do
të vazhdojë, thuajse po me këtë
ritëm dhe gjatë pjesës së parë
të viteve '40.
Për çudi, jehona e hovit të tillë
krijues nuk u ndërpre menjëherë pas
përmbysjes së pushtimit nazist dhe vendosjes
së pushtetit komunist. Pati një tolerancë
gjatë ditëve të para të pushtetit
të ri ndaj frymës së lirë, liberale
në krijimtarinë artistike, e cila do të
vazhdojë ta ketë këtë fat edhe
për dy-tre vjet. Por siç dihet, tanimë
nuk ishte më ai rreth individualitetesh të
jashtëzakonshëm krijuesish të viteve'30.
Noli e Koliqi do të vazhdojnë të krijojnë
nëpër Evropë e Amerikë, por të
shkëputur totalisht nga letërsia në
Shqipëri dhe pa kurrfarë ndikimi mbi të.
Lasgushi kishte pushuar së krijuari. Migjeni
dhe Fishta nuk ishin më. Nga ky rreth kolosësh
të letërsisë shqiptare, vetëm
Kuteli do vazhdojë të jetë vazhdimi
i natyrshëm i letërsisë së Pasluftës
duke botuar sa herë i hiqej çensura. Do
të vazhdojnë fare ndryshe krijimtarinë
e nisur që më parë: Petro Marko, Vedat
Kokona, Shefqet Musaraj, Fatmir Gjata, Sterjo Spasse,
Nonda Bulka, Dhimitër Shuteriqi etj. Nga poetët
që krijuan në vitet e para të çlirimit
dhe që krijimtaria e tyre pati jehonën e
entuziazmit kolektiv të këtyre viteve, janë:
Aleks Çaçi, Luan Qafëzezi, Llazar
Siliqi etj.
Kështu, pas luftës dhe gjatë viteve
'50 do të duket qartë orientimi i ri në
fushën e letërsisë shqiptare, si në
rrafshin tematik, dhe në atë të përvojave
dhe të metodave e prosedeve krijuese. Tematikisht
letërsia u përqëndrua kryesisht, në
jehonën e lirisë së fituar nga Lufta
Nacionalçlirimtare, kurse ngjyrimi i aktualitetit
dhe i botës reale u reduktua kryesisht në
bardhë e zi. Si përvojë shkrimi, veprat
letrare të kësaj periudhe shpesh do të
qëndrojnë ndërmjet gjuhës së
rrëfimit letrar dhe atij propagandistik. Kryesisht
këtë vulë proceduese kanë romanet
e para gjatë viteve '50. Po kaq skematik ishte
dhe mendimi kritik zyrtar i asaj kohe, që do
ta përkrahte këtë
letërsi.
Nga fundi i viteve '50, e sidomos me fillimin e viteve
'60, pra pas një dekade e gjysmë që
nga çlirimi, do të bëhen hapat e
parë për ta nxjerrë nga ky shabllon
letërsinë shqiptare. Në këtë
kontekst duhet përmendur, pikërish viti
1958, kur Petro Marko do të botojë romanin
e tij të parë "Hasta la Vista",
që sjell një tjetër tematikë në
romanin shqiptar, një tjetër frymë
dhe ndjeshmëri në paraqitjen e personazheve
(tanët dhe të huajt). Dy vjet më vonë
ai do të botoië dhe romanin "Qyteti
i fundit" me prirje për të shmangur
skematizmin. Pas tij Ismail Kadare boton romanin "Gjenerali
i ushtrisë së vdekur" (1962), që,
shtegun e paralajmëruar nga romanet e Petro Markos,
do ta ngrejë në një nivel ndërkombëtar.
Pas romaneve të dy autorëve të përmendur,
gjatë viteve '60, Jakov Xoxa do të botojë
romanin "Lumi i vdekur" që, nga një
aspekt tjetër procedura, do të konsolidojë
prirjen e romaneve shqiptarë, për të
kërkuar rrugë të reja në paraqitjen
e botës shqiptare. Pas Jakov Xoxës do të
paraqitet Dritëro Agolli me një seri romanesh,
Dhimitër Xhuvani, Ali Abdihoxha, Skënder
Drini, Sabri Godo, Vath Koreshi etj., ndërsa
majën e poezisë lirike do ta zenë Fatos
Arapi, Ismail Kadareja dhe Dritëro Agolli, të
cilët do të çelin një rrugë
të mbarë dhe për një brez poetësh
të rinj të talentuar si: Dhori Qiriazi,
Bardhyl Londo, Xhevahir Spahiu, Frederik Rreshpja,
Natasha Lako etj.