Kasëm Trebeshina lindi në
Berat më 5 gusht 1926. Filloi studimet në
Shkollën Normale të Elbasanit, por i ndërpreu
më 1942, kur u aktivizua gjallërisht në
Luftën Nacionalçlirimtare, prej së
cilës i kanë mbetur disa plagë. Trebeshina
ndërpreu edhe studimet e larta në Institutin
e Teatrit "Ostrovski", të Leningradit
dhe iu kushtua tërësisht krijimtarisë
letrare. Në vitin 1961 arrin të botojë
poemën "Artani dhe Min'ja ose hijet e fundit
të maleve" dhe një përkthim pa
emër të Garsia Lorkës. Veprat e Trebeshinës
kanë nisur të botohen në fillim të
viteve '90 fillimisht në Prishtinë: Stina
e stinëve, 1991; mekami, melodi turke, 1994;
Histori e atyre që nuk janë, 1995 dhe në
Tiranë: Legjenda e asaj që iku, 1992; Koha
tani, vendi këtu, 1992; Qezari niset për
në luftë, 1993; Rruga e Golgotës, 1993;
Lirika dhe satirë 1994: Hijet e shekujve, 1996;
Ëndrra dhe hije drama; 1996 etj. Megjithatë
pjesa më e madhe e veprës së Kasëm
Trebeshinës është ende në dorëshkrim:
18 vëllime me poezi, 42 pjesë teatrore,
21 romane e vëllime me tregime etj. Kasëm
Trebeshina u njoh si shkrimtar në dhjetëvjeçarin
e fundit të shekullit 20. Ky fakt lidhet fillimisht
me rebelimin e tij të hapur politik, e më
pas me disidencën letrare. Pjesëmarrës
aktiv në Luftën Nacionalçlirimtare
që në moshë fare të re, ai nuk
u pajtua me politikën moniste të numrit
një të partisë ku bënte pjesë;
e kundërshtoi atë në mënyrë
të drejtpërdrejtë, veçanërisht,
për orientimin që po i jepte letërsisë
dhe arteve. Per këtë qëndrim u burgos
dhe veprat i mbetën në dorëshkrim.
Letra e tij "Promemorje" për Enver
Hoxhën, shkruar më 5 tetor 1953, denoncon
vendosjen e pushtetit "njëdorësh"
në Shqipërinë e Pasluftës së
Dytë Botërore dhe instalimin e Metodës
së realismit socialist të cilën vetë
Kasëm Trebeshina e identifikon me një çensurë
nga më të çuditshmet.
"Stina e stinëve", është
vepra më përfaqësuese (e atyre që
janë botuar deri më sot) e Kasëm Trebeshinës,
e cila ka tërhequr vëmendjen e kritikëve
dhe të studjuesve të letërsisë.
Në këtë vëllim janë përfshirë
tri novela: "Stina e stinëve", e cila
ka dhe një titull të dytë "Këngë
fëmijërie", "Odin Mondvalsen"
me titull të dytë "Një histori
dashurie" dhe "Fshati mbi shtatë kodrina"
apo "Kapriçio shqiptare".
Ndërsa novela e parë dhe e tretë bëjnë
objekt fëmijërinë në një
rrëfim jashtë tabuve që zakonisht identifikohen
me këtë moshë (Stina e stinëve)
dhe me ngarkesa historiko-filozofike që e tejkalojnë
fëmijërinë (Fshati mbi shtatë
kodra), novela tjetër, "Odin Mondvalsen"
përbën një cilësi të veçantë
si përsa i përket objektit të pasqyrimit,
ashtu edhe për nga teknikat e rrëfimit.
Prozator, dramaturg dhe poet, Kasëm Trebeshina
e kundërshtoi që në nismë metodën
e realismit socialist dëmet e së cilës
ishin brenda parashikimeve të tij.
Që në vitet '50 ai filloi të shkruajë
ndryshe nga veprat që botoheshin aso kohe. Thellësia
filozofike e veprave të tij dhe prekja e temave
tabu lidhen me talentin e shkrimtarit që shkruan
si i thotë shpirti pa pyetur për pasojat.
Dhe ndonëse persekutimet e herëpashershme
e bënë atë të vuajë fizikisht,
vepra e Trebeshinës , ndonëse nuk u botua,
si ajo vera e vjetër, e shfaqi vlerën e
saj pas disa dekadash (në vitet '90).
Sipas kritikës serioze vepra e Trebeshinës
qëndron ndërmjet traditës kuteliane
dhe surealizmit. Nisur nga fakti se pjesa më
e madhe e veprës së Kasëm Trebeshinës
është ende në dorëshkrim, vendi
i saj në rrjedhat e letërsisë së
sotme shqiptare mbetet i papërcaktuar përfundimisht.