Martin Figura e Martin Camajt si
studiues dhe shkrimtar zë një vend të
shquar në kulturën kombëtare shqiptare.
Ndonëse ai jetoi larg lexuesit të tij natyral
dhe i munguan efektet e recepsionit, prapëseprapë
letërsia e Camajt e përmban mjaft të
gjallë bashkëbisedimin me lexuesin e tij
shqiptar. Siç është shprehur edhe
vetë, ai ka qenë i dashuruar me gjuhën
shqipe dhe i shfrytëzoi në maksimum mundësitë
e saj shprehëse.
Martin Camaj lindi në Temal të Dukagjinit
më 21 korrik 1925. Ai mori edukatë klasike
në Kolegjin Ksaverian të Shkodrës,
të drejtuar nga etërit jezuitë. Mbas
pak kohësh, për shkak të vendosjes
së regjimit komunist në Shqipëri, Camaj
do të arratiset nga vendi për në Jugosllavi,
ku ia del të regjistrohet si student në
Universitetin e Beogradit. Atje mësoi italianistikë,
romanistikë, teori letërsie, gjuhë
klasike dhe sllavistikë, një botë e
re kjo për një intelektual si ai, të
edukuar në Shkodër.
Largohet nga Jugosllavia në verën e vitit
1956. Shkon në Romë, ku studion sërish
dhe doktorohet. Në Romë ndjek rrethet letrare
të këtij qyteti, ku njihet edhe me autorët
emigrantë nga vende të ndryshme lindore,
rusë, rumunë dhe sidomos me poetë balltikë.
Ishin të gjithë anëtarë të
një PEN-klubi me qendër në Londër.
Atje nën kujdesin e Koliqit bëhet kryeredaktor
i revistës "Shejzat" (1957-1975) dhe
studion së afërmi botën arbëreshe.
Më 1961 transferohet në Mynih (Gjermani),
ku specializohet përfundimisht në gjuhësinë
shqipe, duke mos u shkëputur nga letërsia.
Camaj u bë profesor i gjuhës dhe i letërsisë
shqiptare në Universitetin e Mynihut dhe mbeti
atje gjithë jetën, deri sa vdiq, më
1992.
Kontakti me kulturat e ndryshme perëndimore,
njohja e poezisë moderne të poetëve
më të njohur botërorë (Camaj ishte
njohës i shumë gjuhëve të huaja),
ndikuan në formimin e tij kulturor, ndërsa
vepra e tij, qoftë në prozë apo në
poezi mbështetet tërësisht në
gjuhën shqipe dhe si përmbajtje i ka rrënjët
në kulturën shqiptare, sidomos në mitin
e trashëguar. "Prandaj nuk është
e rastit që Camaj zgjodhi për të banuar
një vend të shkëlqyer, me atmosferë
disi të paqme e të virgjër shtëpijake,
si alpet e Bavarisë, që çdo çast
i kujtonin malet e thepisura të vendlindjes,
ku nuk mund të kthehej kurrë", shkruan
studjuesi i njohur Robert Elsie.
STUDIMET
Në të njëjtën kohë Camaj
është edhe një ndër albanologët
më të shquar, kryesisht me punimet e tij
mbi gjuhën shqipe, historinë dhe të
sotmen e saj. Ndër studimet kryesore mund të
përmenden: Meshari i Gjon Buzukut, Romë
1960; Tekst mësimor i gjuhës shqipe, Wiesbaden
1969; E folmja shqipe në provincën e Avelinos,
Firence 1971; Gramatika shqipe, Wiesbaden 1984; si
dhe antologjinë Këngë shqiptare, Düsseldorf
1974.