Hyrje
Nuk ka shembull në letërsinë
shqiptare, ku të jetë gërshetuar dhe
njehsuar aq shumë mes vetes njeriu dhe krijuesi
- Petro Marko njeri dhe Petro Marko shkrimtar. Me
romanet e tij Petro Marko hyri në personalitetet
më të shquara të kulturës shqiptare
që sollën risi të vërteta në
traditën letrare shqiptare. Tek vepra e tij rrezaton
bindja dhe besimi i lindur për dashurinë
dhe humanizmin njerëzor, ndonëse sa rrojti
ishte ndër personalitetet më të persekutuara
dhe më të munduara. Petro Marko lindi në
fshatin Dhërmi të Himarës më 1913.
U shkollua në vendlindje dhe në Vlorë.
Pak kohë studioi në Athinë. Që
kur ishte nxënës i shkollës tregtare
në Vlorë (të cilën e kreu në
vitin 1932, filloi të shkruajë poezi dhe
proza të shkurtra). Petro Marko ka një biografi
nga më të pasurat dhe më të bujshmet
në letërsinë shqiptare. Deri në
vitin 1936 ai punoi në Tiranë si gazetar
dhe po atë vit, në moshën 23 vjeçare
u nis vullnetar në Luftën e Spanjës,
si luftëtar në brigadat internazionale.
Pas Luftës së Spanjës, gjatë kthimit
për në Shqipëri, ai do të ndeshet
dhe do të marrë pjesë në shumë
beteja antifashiste nëpër Evropë. Pas
kthimit në Shqipëri në vitin 1940 do
të burgoset nga italianët, që aso kohe
e kishin pushtuar Shqipërinë, dhe do të
përfundojë në kampin e ishullit Ustika
afër Palermos. Në përfundim të
Luftës Antifashiste në vitin '44, Petro
Marko do të marrë pjesë në rradhët
e partizanëve italianë, duke i rënë
kryq e tërthor Italisë, si luftëtar
dhe si komandant me përvojë luftarake. Kur
kthehet në Shqipërinë e çliruar,
ftohet që të qëndrojë në
krye të gazetës "Bashkimi" në
Tiranë, por shpejt do të përjetojë
disa nga vitet më të rënda nëpër
burgjet e shtetit shqiptar komunist, për të
cilin Petro Markoja kishte luftuar nëpër
Evropë dhe Shqipëri më se 10 vjet rrjesht.
Kjo për të vetmin shkak se nuk mund të
pajtohej që në ditët e para të
pushtetit me fillimin e diktaturës, e sidomos
kur provoi t'i rezistojë diktatit që i vinte
Shqipërisë aso kohe nga jashtë kryesisht
nga Beogradi.
Në kulturën dhe letërsinë kombëtare
Petro Marko është personalitet i përmasave
të mëdha me shpirt e mendje të paluhatur
para çdo stuhie. Ata që e kanë njohur
nga afër Petro Markon e kanë ndjerë
se brenda tij rrezatonte një besim madhor ndaj
njeriut dhe mirësisë. Vetëm një
lartësi shpirti e tillë mund ta përballonte
ndeshjen sy më sy me vdekjen, që ai e përjetoi
aq shumë herë gjatë jetës së
tij. Dhe sa herë ngrihej në këmbë
ai do ta niste nga e para luftën ndaj së
keqes po me atë forcë besimi, po me atë
rrezatim mirësie. Të tillë e ndjen
lexuesi Petron në romanet "Hasta la vista"(1958)
dhe "Qyteti i fundit"(1960), ku rruga e
tij jetësore e asimiluar artistikisht, është
aq e pranishme. Në vitet '70 ai do të shkruajë
romanin "Një emër në katër
rrugë", ndërsa periudhën e vështirë
të jetës së tij në ishullin e
Ustikës do ta përjetësojë në
romanin e tij të rëndësishëm "Nata
e Ustikës"(1989). Paraqitja e shkrimtarit
Petro Marko me dy romanet e tij të parë
"Hasta la vista" dhe "Qyteti i fundit"
në vitet '60 është një kthesë
e vërtetë në historikun e shkurtër
të romanit shqiptar. Dhe nuk është
fjala për rrumbullakësimin e një përvoje
krijuese, por përkundërazi për ndërprerje
dhe dalje nga një përvojë e shartuar
jonatyrshëm në rrjedhat e letrare shqiptare,
ishte një synim që rrëfimi romanor,
pjesërisht në vitet '40, '50, do të
çlirohej dhe të hapej si vizion, univers
krijues dhe si spektër tematik.
Krahas kësaj prirjeje të brendëshme
që kanë të dy romanet e përmendur
përballë veprave të të njëjtit
zhanër të deriatëhershëm, këto
vepra qëndronin superiore dhe si artikulim artistik.
Dhe pikërisht për natyrën e risive,
për natyrën që pretendon ndryshime
të vërteta të vlerave letrare. të
gjitha veprat e Petro Markos u pëlqyen dhe u
kërkuan nga lexuesi.
Faqet më të fuqishme të prozës
së Petro Markos reflektojnë triunfin e dashurisë
dhe të humanizmit njerëzor. Pas tërë
atij ferri nëpër të cilin kalon njeriu
në rrëfimin e Petro Markos, ai arrin të
mbetet i pamposhtur nga mizoritë e botës.
Këtë bërthamë të brendëshme
e rrezatojnë personazhet nga romanet e tij, këtë
shkëlqim biblik reflekton Petro Marko njeri dhe
Petro Marko shkrimtar në tërë veprat
e tij.
|
1913 - 1991
Jeta dhe Vepra
|
|
|
Analiza
|
|
|
|
|
|
Hasta
la Vista
|
|
Nata
e Ustikës
|
|
Një
Emër në Katër Rrugë
|
|
|