Faqja Kryesore  >> Universitet  >> Universiteti i Tiranes  >> Rregullorja e Universitetit
 

Ligjet mbi Arsimin e Lartë

   
   
   
   
   
   
   
 

 



Universitete
të Tjera

   
   
   
   
   


 

Organizimi dhe Drejtimi i Shkollave të Larta

Neni 11
Shkollat e larta universitare përbëhen nga fakultetet. Në raste të veçanta, brenda një shkolle të lartë universitare mund të përfshihet një shkollë e lartë jouniversitare, me strukturë të ngjashme me atë të një fakulteti.
Fakulteti është njësi mësimore-shkencore e shkollës së lartë universitare, që mbulon shkenca me trung të përbashkët.
Fakulteti dhe shkollat e larta jouniversitare përbëhen nga departamente.
Departamenti është njësi bazë mësimore-shkencore e shkollës së lartë universitare dhe njësi bazë mësimore e shkollës së lartë jouniversitare. Objekti i mësimdhënies dhe i kërkimit shkencor të departamentit përfshin disa disiplina të një shkence. Departamenti, si rregull, ndahet në seksione në të cilat përfshihen disiplinat më të përafërta të një shkence.

Neni 12
Në strukturat e njësive të shkollave të larta përfshihen institutet, qendrat dhe sektorët kërkimorë
laboratorët dhe atelietë mësimore, klinikat, shërbimet, studiot, bibliotekat, qendrat sportive, muzetë, fermat eksperimentale, që funksionojnë sipas rregulloreve të brendëshme përkatëse.

Neni 13
Kursi i studimit është një fushë studimi në shkollën e lartë, në përfundim të të cilit, nga shkolla e lartë pranë së cilës kryhen studimet, lëshohet diplomë. Sipas natyrës akademike, kursi i studimit mund të emërohet "degë" apo "profil". Profili është nëndegëzim, me një orientim studimi më të ngushtë dhe më specifik se dega.
Kursi i studimit hapet me vendim të senatit të shkollës së lartë, pasi të jetë marrë miratimi nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës për plotësimin e stadardeve të vendosura prej saj.
Efektet ekonomike të hapjes së kursit të ri përballohen nga shkolla e lartë. shteti, në buxhetin që i cakton shkollës së lartë publike, merr parasysh ekzistencën e kursit të ri vetëm pasi ta ketë njohur nëpermjet procedurave të akreditimit.
Ministri i Arsimit dhe Shkencës miraton emërtimin e diplomave që lëshojnë shkollat e larta për ato kurse studimi të njohura nëpërmjet proçesit të akreditimit. Për shkollat e larta ushtarake ose të policisë këtë të drejtë e ushtron ministri përkatës.
Hapja e departamenteve dhe seksioneve bëhet me vendimin e senatit të shkollës së lartë, pasi të jetë marrë miratimi nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës për plotësimin e stadardeve të vendosura prej saj. Efektet ekonomike të hapjes së tyre përballohen nga shkolla e lartë. Shteti, në buxhetin që i cakton shkollës së lartë publike merr parasysh ekzistencen e këtyre njësive të reja vetëm pas rezultatit të vlerësimit institucional dhe akreditimit të shkollës së lartë.
Këtyre kritereve i nënshtrohen edhe hapja e atyre strukturave e njësive të parashikuara në nenin 12, të cilat përballohen nga buxheti i shkollës së lartë.
Mbyllja e kurseve të studimit, e departamenteve dhe e seksioneve bëhet nga Ministri i Arsimit dhe Shkencës, pasi është dhënë vlerësimi nga Këshilli i Akreditimit.
Hapja e shkollave të larta universitare, shkollave të larta jouniversitare, fakulteteve, strukturave e njesive të parashikuara në nenin 12 të këtij ligji, të cilat nuk mund të përballohen nga fondi i shkollës së lartë, bëhen me vendim të Këshillit të Ministrave, në bazë të propozimit të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës, ose të ministrive përkatëse për shkollat e larta ushtarake ose të policisë.
Mbyllja i institucioneve publike të përcaktuara në nenin 13 paragrafi 7 të këtij ligji, bashkimi i tyre, ndryshimi i misionit etj., bëhet nga Këshilli i Ministrave, me propozimin e Ministrisë së Arsimit dhe të Shkencës ose të ministrive përkatëse për shkollat e larta ushtarake ose të policisë, pasi të jetë marrë mendimi i Këshillit të Akreditimit.
Kriteret, mënyra e funksionimit dhe proçedurat per dhënien e lejes për hapjen e shkollave të larta jopublike përcaktohen me këtë ligj dhe me akte nënligjore të nxjerra nga Këshilli i Ministrave për zbatimin e tij. Leja për hapjen e një shkolle të lartë jopublike jepet jo më parë se 6 muaj pas datës së depozitimit të kërkesës në Ministrinë e Arsimit dhe të Shkencës dhe jo më vonë se një vit nga data e depozitimit të saj në këtë ministri.
Në shkollat e larta ushtarake ose të policisë, kursi i studimit hapet me miratimin e ministrisë përkatëse. Përcaktimi i strukturës mësimore dhe organike të çdo shkolle të tillë bëhet në varësi të arsimimit që jepet dhe miratohet nga titullari i ministrisë përkatëse.

Neni 14
Në sistemin e arsimit të lartë funksionon Konferenca e Rektorëve, si organ kolegjial autonom i rektorëve dhe i drejtorëve të shkollave të larta. Anëtar i Konferencës së Rektorëve është edhe një përfaqësues i autorizuar nga Ministri i Arsimit dhe Shkencës. Konferenca e Rektorëve diskuton për problemet themelore të arsimit të lartë. Detyrat dhe kompetencat e Konferencës së Rektorëve burojnë nga ky ligj, si dhe nga statutet dhe rregulloret e brendshme të shkollave të larta. Organizimi dhe veprimtaria e Konferencës së Rektorëve përcaktohen në statutin e saj të miratuar nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës.

Neni 15
Senatet dhe këshillat në shkollat e larta janë organe kolegjiale, të zgjedhura, që vendosin për problemet më të rëndësishme të shkollës së lartë në fushën e mësimit, kërkimit shkencor dhe në atë administrativo-financiare. Këto organe mblidhen periodikisht.
Senati është organi më i lartë i shkollës së lartë universitare; këshilli i fakultetit është organi më i lartë i fakultetit; këshilli i shkollës është organi më i lartë i shkollës së lartë jouniversitare dhe këshilli i departamentit.
Përbërja, detyrat, kompetencat dhe funksionimi i senateve dhe i këshillave përkatëse përcaktohen në statutet e shkollave të larta dhe në rregulloret e tyre të brendshme.

Neni 16
Autoritetet drejtuese të shkollave të larta dhe të strukturave të njësive të tyre përbërëse janë:
a) Rektori për shkollën universitare.
b) Drejtori për shkollën jouniversitare.
c) Dekani për fakultetin.
ç) Përgjegjësi për departamentin.
d) Për shkollat e larta ushtarake ose të policisë, autoriteti drejtues, i barazvlefshëm me
rektorin, drejtorin apo dekanin mund të jetë komandanti apo drejtori.
Në rast mungese, autoritetet ia delegojnë të gjitha kompetencat ose një pjesë të kompetencave zëvendësve të tyre.
Detyrat dhe kompetencat e këtyre autoriteteve drejtuese burojnë nga ky ligj dhe përcaktohen me hollësi në statutet e shkollave të larta.

Neni 17
Shkolla e lartë publike zgjedh organet dhe autoritetet e veta drejtuese.
Departamenti zgjedh, me shumicë votash, përgjegjësin e departamentit, anëtarë të këshillit të departamentit si dhe përfaqësuesit për në këshillin e fakultetit ose të shkollës së lartë jouniversitare.
Këshilli i fakultetit ose i ai shkollës së lartë jouniversitare përbëhet nga përfaqësuesit e zgjedhur nga departamentet, nga personeli joakademik dhe nga studentët. Ky këshill zgjedh, me shumicë votash, dekanin e fakultetit ose drejtorin e shkollës së lartë jouniversitare, i cili mund të jetë ose jo anëtar i këtij këshilli. Këshilli i fakultetit ose i shkollës së lartë jouniversitare (në rastin kur shkolla jouniversitare është strukturë e universitetit) zgjedh, me shumicë votash, përfaqësuesit e vet në senatin e shkollës së lartë universitare.
Senati i shkollës së lartë universitare përbëhet nga përfaqësuesit e zgjedhur nga këshillat e fakulteteve e të shkollave të larta jouniversitare dhe nga studentët. Ky senat zgjedh, me shumicë votash, rektorin, i cili mund te jetë ose jo anëtar i senatit.
Zgjedhjet bëhen me votim të fshehtë. Proçedurat dhe kriteret për pjesëmarrje në zgjedhje të të gjitha kategorive të punonjësve të shkollave të larta, përcaktohen me rregulloren për zgjedhjet në shkollat e larta. Dita e fillimit të zgjedhjeve dhe afatet e realizimit të tyre, në të gjitha shkollat e larta, shpallen nga Ministri i Arsimit dhe Shkencës.
Pas mbarimit të zgjedhjeve, Presidenti i Republikës emëron rektorin ose drejtorin e zgjedhur (në rastin kur shkolla jouniversitare është jashtë strukturës së Universitetit). Zëvendësrektori dhe zëvendësdrejtori propozohen, përkatësisht, nga rektori ose drejtori dhe emërohen nga Ministri i Arsimit dhe Shkencës. Rektori emëron dekanin e zgjedhur dhe zëvendësdekanin e përzgjedhur nga dekani. Përgjegjësi i zgjedhur i departamentit emërohet nga dekani.

Neni 18
Rektori është njëkohësisht kryetar i senatit, drejtori është kryetar i këshillit të shkollës së lartë jouniversitare dhe dekani është kryetar i këshillit të fakultetit.
Përgjegjësi i departamentit në shkollën e lartë publike ka të drejtën e përzgjedhjes së përgjegjësve të seksioneve, mbi bazën e konkurimit me dosjen personale. Emërimi i përgjegjësit të seksionit bëhet nga dekani. Përgjegjësit e seksioneve, anëtarët e zgjedhur të këshillit të departamentit së bashku me përgjegjësin e departamentit, përbëjnë këshillin e departamentit.
Përgjegjësi i departamentit është kryetar i këshillit të departamentit.

Neni 19
Autoritetet drejtuese të shkollave të larta publike zgjidhen çdo tre vjet. Ata nuk mund te zgjidhen radhazi në të njëjtin funksion më shumë se dy herë.

Neni 20
Autoritetet drejtuese të shkollave të larta duhet të kenë titujt më të lartë shkencorë. Në statutin e secilës prej shkollave të larta përcaktohen titujt që duhet të kenë autoritetet sipas nenit 16, si dhe anëtarët akademikë të këshillave dhe të senatit.



Ligjet mbi Arsimin e Lartë


 

 

PËRSHTYPJET  ::  KUSH JEMI  ::  KONTAKTO  ::  FORUM  ::  CHAT

Albanian Network Group - 2003