Pasi shtiu në dorë Krujën,
sulltan Mehmeti i II, dërgoi menjëhere në
Shkodër bejlerbeun e Rumelisë Daut Pashën
dhe atë të Anadollit Sulejman Pashën
së bashku me ushtritë e tyre, të cilët
e rrethuan menjëherë kështjellën.
Sulmet turqve filluan më 22 qershor 1478. Më
2 korrik erdhi edhe pjesa tjetër e ushtrive turke
bashkë me sulltan Fatihun, i cili e vendosi kampin
në fushën e Shtojit. Shkodra si dhe më
parë Kruja, ishte e rrethuar tashmë nga
të katër anët nga një ushtri e
madhe turke që numëronte lart nga 200 mijë
vetë. Turqit derdhën në vend një
numër të madh topash "përbindsha
" siç i quajnë kronistët turq,
njëri prej të cilëve hidhte gjyle prej
600 kg. Kalaja e Rozafatit u bombardua pa ndërprerje,
më tepër se një muaj. Deri më
27 korrik kundër saj turqit hodhën 506 gjyle.
Nën efektin e predhave, kalaja u ça në
mjaft vende dhe turqit mundën të depërtonin
deri brënda në muret. Por mbrojtësit,
duke luftuar gjoks me gjoks, i zprapsën. Krah
për krah me burrat, për mbrojtjen e kalasë
luftuan edhe gratë e qytetit.
Aty nga fundi i korrikut. sulltani dha urdhër
që të ndërmerrej me të gjitha
forcat një sulm i madh dhe i përgjithshëm.
Sulmi zgjati gjithë ditën dhe u kushtoi
turqve 12 mijë të vrarë, por nuk u
dha fryt.
Pas dështimit të këtyre sulmeve, Fatihu
vendosi të pushtonte tri kalatë që
siguronin krahët e Shkodrës, Lezhën,
Drishtin dhe Zhabjakun, me qëllim që ta
izolonin dhe ta detyronin Republikën e Venedikut
të tërhiqej. Së pari turqit iu drejtuan
kalasë së Zhabjakut e cila u dorëzua
pas një qëndrese të shkurtër.
Pastaj ata iu drejtuan Drishtit ku banorët e
qytetit bënë një qëndresë
të rreptë. Në fillim të shtatorit
turqit e shtinë në dorë këtë
kala të dytë. Banorët e Drishtit u
shpunë të gjithë nën muret e Rozafatit
dhe aty u therën për të demoralizuar
mbrojtësit trima të Shkodrës. Pastaj
ushtritë turke iu drejtuan Lezhës, të
cilën e morën me lehtësi pasi komandanti
venedikas e braktisi pa luftuar duke i vënë
zjarrin qytetit. Sulltani e shtërngoi edhe më
tepër bllokimin e Shkodrës, duke ndërtuar
anës lumit, prej nga ajo komunikonte fshehurazi,
kulla të fortifikuara.
Me afrimin e vjeshtës gjëndja e turqve
po bëhej më e vështirë. Një
ushtri kaq e madhe nuk mund të dimëronte
në fushë të hapur. Nga viset e rrethit
të Shkodrës po shtoheshin për ditë
sulmet e malsorëve. Në këto kushte
sulltani vendosi të largohej nga Shkodra. Më
7 shtator 1478, ai u nis së bashku me pjesën
kryesore të ushtrisë duke lënë
në Shkodër Ahmet Bej Evrenozin që ta
vazhdonte rrethimin edhe gjatë dimërit.
Shkodranët i kërkuan ndihma në armë,
ushqime dhe njerëz senatit të Venedikut.
Por republika e tregëtarëve të Venedikut
duke parë se vazhdimi i luftës i kushtonte
shtrenjtë dhe nuk kishte asnjë shpresë
fitimi, shpejtoi bisedimet për paqë me sulltanin.
Më 25 janar 1479 u nënshkrua më në
fund në Stamboll paqa turko-venedikase, në
bazë të së cilës Shkodra, Lezha
e Drishti i kalonin Turqisë, kurse Durrësi,
Ulqini e Butrinti i mbeteshin si dhe më parë
republikës.
Kështu Shkodra e cila vazhdonte të mbrohej
heroikisht, u detyrua të dorëzohej kundrejt
së drejtës që mbrojtësit e saj
të largoheshin lirisht, me armët dhe kamjen
e tyre. Për të mos rënë nën
skllavërinë e urryer të turqve, banorët
e fundit të qytetit, braktisën atdheun dhe
mërguan në Venedik.
Mbrojtja heroike e Shkodrës pati një jehonë
të gjërë në vendet e ndryshme
të Evropës. Ajo u përjetësua në
një varg kronikash dhe veprash artistike të
kohës. Piktori i madh i Rilindjes, Paolo Veroneze,
i kushtoi "Mbrojtjes së Shkodrës"
një nga kryeveprat e tij që ndodhet në
pallatin e dikurshëm të dogjëve, në
Venedik..
Me përjashtim të Durrësit dhe Ulqinit,
qytetet e Shqipërisë ranë më në
fund në duart e Fatihut, i cili e kaloi gjithë
jetën e tij në luftë kundër shqiptarëve.
Ky vend shënon kronisti turk Idriz-i Bitlisi
që i pa i shkaktuar kaqë brenga dhe mundime
Fatihut, qysh ditën që hipi në fron
u bë më në fund, nga mbarimi i jetës
së tij, krejt tokë turke. Megjithatë,
Shqipëria nuk ishte pushtuar akoma krejtësisht
nga turqit. Krahinat malore vazhdonin të ishin
gjithnjë të lira. Këtu rezistenca shqiptare
akoma nuk ishte shtypur.