Faqja Kryesore  >> Historia  >> Sundimi turk
 

Historia e Shqipërisë - Pushtimi Turk

   
   
   
   
   
   
   
   
   
   
   
   
   
 

 


 

Timaret në shek. XVI

Pasi e thyen rezistencën gati njëqindvjeçare të shqiptarëve, turqit osmanllij në vitet e para të shek. XVI e vendosën sundimin e tyre në pjesën më të madhe të Shqipërisë.

Në këtë kohë si dhe në dhjetëvjeçarët e tjerë të këtij shekulli, Turqia, e kthyer në një perandori të madhe feudale ishte në kulmin e fuqisë së vet. Zotërimet e saj shtriheshin në tri kontinente: në Azi, Evropë dhe Afrikë.

Fuqinë e madhe ushtarake dhe politike perandoria e osmanllijve e gjente gjithnjë në regjimin feudal-ushtarak mbi të cilin ajo mbështetej. Spahijtë dhe jeniçerët vazhdonin të gjenin në luftat mjetin kryesor për pasurimin e tyre. Ata ishin të gatshëm të shkonin në luftë, bile i kërkonin vetë fushatat luftarake, pasi ato u siguronin plaçkë, robër, haraçe, dhe, kur tregonin trimëri, edhe feude më të mëdha. Edhe xhebelijtë vinin me kënaqësi në luftë. Duke luftuar për perandorinë, duke i zgjeruar kufijtë e saj, ata kishin shpresa të mëdha të siguronin për vehte ndonjë timar, të bëheshin spahij dhe të kishin kështu rrugën e hapur për të bërë karierë ushtarake. Nga ana e vet Perandoria Otomane, me fitoret që korrte, ishte në gjëndje t'i kënaqte spahijtë me timare dhe zeamete më të mëdha. Ajo ishte në gjendje t'i vazhdonte luftat pa bërë shpenzime të shumta, pasi spahijtë, të cilët së bashku me jeniçerët formonin forcën kryesore ushtarake të perandorisë, mbaheshin me shpenzimet e veta dhe nuk rëndonin mbi buxhetin e shtetit. Ky organizim i brendshëm ushtarak-politik që u përshtatej interesave të klasës së feudaleve turq, e bëri perandorinë e osmanllijve të ishte "fuqia e vetme, me të vërtetë ushtarake e mesjetës"

Në këtë kohë kur fuqia ushtarake otomane vinte duke u rritur përherë e më tepër, forcat e shqiptarëve ishin të lodhura dhe të shkatërruara nga kryengritjet e gjata dhe
nga ekspeditat e egëra të turqve të shek. XV. Pas vitit 1506 shqiptarët nuk qenë në gjëndje të vazhdonin rezistencën e armatosur kundër sundimtarëve turq me po atë furi siç e kishin bërë gjatë shek. XV. Për disa dhjetra vjetë me radhë nuk pati kryengritje të rëndësishme që të trondisnin sundimin otoman në Shqipëri.

Duke pasur gjithnjë si bazë të regjimit të tyre pronësinë feudale-ushtarake mbi tokën, sulltanët synonin të zgjeronin herë pas here dhe ta forconin këtë pronësi në tërë zotërimet e Turqisë. Prandaj edhe në Shqipëri, sapo morën fund kryengritjet, turqit bënë më 1506 përsëri regjistrimin e tokave. Ky regjistrim u përsërit edhe më 1520. Tokat e regjistruara, sikurse edhe më parë, u konsideruan toka mirie dhe u ndanë, sipas të ardhurave, në timare, zeamete dhe hase. Duke përfituar nga rënia e kryengritjeve, këtë radhë turqit përfshinë në regjistrin e hollësishëm(defteri mufassal) edhe fshatra të reja që nuk kishin mundur t'i përfshinin në regjistrimet e më parëshme, si rrjedhim u rrit numri i timarëve, zeameteve dhe haseve. Sipas regjistrimeve të vjetëve 1506 dhe 1520 në të teritorin e Shqipërisë tani kishte afërsisht 3 herë më tepër timare zeamete dhe hase se sa në regjistrimin që u krye në 1432.

Shumica e timarëve dhe zeameteve ishin si dhe më parë në zotërim të feudalëve-ushtarakë, në krye të të cilëve qëndronin sanxhakbejlerët e të katër sanxhaqeve të Shqipërisë. Pjesa tjetër e timareve ishte në zotërim të feudalëve të ofiqeve administrative. Në krye të tyre qëndronin kadilerët, shefat e zyrave të sheriatit të çdo kazaje, gjithsej 18 kadilerë, aq sa ishin edhe kazatë e Shqipërisë. Të ardhurat që nxirnin nga popullsia shqiptare feudalët e shumtë të Shqipërisë së bashku me sulltanin arrinin, në pjesën e parë të shek. XVI, në rreth 16 milion akçe në vit. Afërsisht gjysma e kësaj shume shkonte në thesarin e sulltanit. Gjysma tjetër përvehtësohej nga feudalët e vendit. Në fillim të shek. XVI sanxhakbeu i Shkodrës merrte nga haset e tij gati 450 mijë akçe në vit.

Ndonëse regjimi i timareve u shtri në pjesën më të madhe të vendit, ky nuk ishte përforcuar kudo njësoj. Në krahinat e sanxhakut të Vlorës, për shembull, regjimi feudal-ushtarak turk i vendosur prej gati njëqind vjet më parë ishte më i përhapur. Brënda kufijve të këtij sanxhaku ndodheshin rreth 550 timare dhe zeamete, afërsisht gjysma e numrit të feudeve ushtarake që kishte në gjithë Shqipërinë. Në krahinat e sanxhakut të Shkodrës, ku regjimi feudal-ushtarak ishte vendosur prej gati 20 vjetësh, numri i timareve ishte shumë i pakët. Kazatë më të populluara të Shqipërisë ishin gjithashtu ato të sanxhakut të Vlorës. Në tri kazate më të rëndësishme të këtij sanxhaku, në ato të Vlorës, Beratit dhe Gjirokastrës, banonte rreth një e treta e popullsisë-raja e Shqipërisë, afërsisht 35 mijë familje. Këto paguanin pothuajse gjysmën e të ardhurave që nxirte Sulltani me feudalët e vendit nga mbarë popullsia e Shqipërisë.

Të ardhurën kryesore që nxirte spahiu nga fshatarët-raja e përbënte gjithënjë yshyri, i cili përfaqësonte pothuaj gjysmën e të ardhurave që ai nxirte nga krejt timari ose zeameti. Ispenxha prej 25 akçesh në vit që nxirte nga rajai i krishterë dhe taksa e çifligut prej 22 akçesh në vit që nxirte nga rajai mysliman, vazhdonte të ishte gjithashtu një e ardhur e rëndësishme për spahiun. Megjithatë, të ardhurat që nxirte nga timari nuk ishin gjë tjetër për spahiun veçse të ardhura plotësuese në krahasim me ato që ai nxirte gjatë ekspeditave luftarake.

Të ardhurën kryesore që sulltani nxirte nga Shqipëria e përbënte si dhe më parë xhizja, e cila në fillim të shek. XVI ishte prej 45 akçesh për çdo shtëpi të krishterë. Megjithëse familjet e krishtera çliroheshin nga tributi i xhizes kur këto ktheheshin në fenë myslimane, masa e popullsisë shqiptare vazhdonte të qëndronte në fenë e mëparëshme. Sipas regjistrimit të vitit 1520, vetëm një pjesë e vogël, më pak se 30% e familjeve, ishin kthyer myslimanë.

Me shtrirjen e regjimit të timareve Shqipëria nuk u kthye vetëm në një vend shfytëzimi ekonomik, por edhe në një vend rekrutimi forcash njerëzore për nevojat luftarake të perandorisë së osmanllijve. Si dhe më parë turqit vazhduan të zbatonin në Shqipëri në shkallë të gjërë sistemin e devshirmës dhe të rekrutonin reparte azabësh , me anën e të cilëve ata mbushnin armatat e jeniçerëve dhe të kapi-kulluve. Devshirët dhe azabët shqiptarë dërgoheshin si spahij, jeniçerë ose rojtarë kalash jo vetëm në Shqipëri por edhe në viset e tjera të Ballkanit. Për këtë arësye, tani në Shqipëri klasa feudale e spahijve ishte pothuaj e gjitha me origjinë shqiptare. Veç kësaj, duke gëzuar besimin, e sulltanëve dhe në sajë të aftësive të tyre luftarake, disa spahij shqiptarë përparuan në karierën ushtarake dhe arritën deri në shkallët më të larta të administratës perandorake, duke u bërë bejlerë, komandantë flote, vezirë, deri vezirë të mëdhej të Turqisë, megjithatë numri i tyre ishte shumë i pakët në krahasim me masën e shqiptarëve të rekrutuar me forcë në radhët e ushtrisë jeniçere dhe të kapi-kulluve, të cilët humbën në luftat e shpeshta dhe të gjata të perandorisë.

Në krahinat malore të Shqipërisë ku nuk u vendos sistemi i timareve, turqit vazhduan t'u kërkonin malësorëve pagesën e haraçit që shkonte në dobi të sulltanit si kusht për t'i lënë të lire të administroheshin sipas venomeve. Por kjo marëveshje herë pas here prishej. Kur sulltani urdhëroi, më 1509 pagesën e një haraçi suplementar prej 22 akçesh për shtëpi nga të gjithe shtetasit e perandorisë për të rindërtuar Stambollin e dëmtuar nga tërmeti, këtë nuk pranuan ta paguanin malësorët e Malsisë Madhe së bashku me ata të Malit të Zi. Më 1509 sanxhakbeu i Shkodrës grumbulloi ushtri të shumta për t'i detyruar malsorët t'i bindeshin urdhërit të sulltanit por ai u tërhoq pasi ndeshi në rezistencën e tyre të ashpër. Për më tepër se 10 vjet malsorët e Malsisë së Madhe nuk e paguan fare haraçin. Më 1515 edhe malsorët e Dukagjinit, duke përfituar nga largimi i spahijve dhe sanxhak-bejlerëve të Shqipërisë në frontin turko-hungarez. nuk e paguan haraçin dhe kryen një varg sulmesh kundër garnizoneve turke në Shkodër, Krujë e Lezhë. Po në këte kohë edhe himariotët gjetën gjithashtu rastin për të mos e paguar më haraçin.

Kjo gjëndje vazhdoi deri më 1518, kur, pas mbarimit të luftës turko-hungareze, u kthyen në vendet e tyre sanxhakbejlerët dhe spahijtë e Shqipërisë të cilët arritën t'i detyronin me forcë dukagjinasit dhe himariotët të pranonin përsëri marrëveshjen e vjetër për pagesën e haraçit. Në vitet 1519-1520 turqit mundën t'i nënshtronin edhe malsorët e Malsisë së Madhe që kishin ngritur krye më 1509. Por më 1526, kur, për të përballuar nevojat e luftës që Turqia filloi kundër Austrisë dhe Hungarisë, Sulltani kërkoi nga banorët e perandorisë një haraç tjetër suplementar prej 15 akqesh, malsorët e sanxhakut të shkodrës përsëri nuk pranuan ta paguanin.

Sundimi Turk

Timaret në Shek. XVI
Riorganizimi Administrativ
Marrëdhëniet Tregtare
Marrëdhëniet Agrare
Zhvillimi i Qyteteve
Kryengritjet e 1571
Kuvendet e Matit
Ekspeditat Turke
Projekti i Pjetër Budit
Përhapja e Islamizmit
Kryengritjet e Shek. XVII
Rezultatet e Kryengritjeve
Arsimi në shek. XVII
Fillimet e Letërsisë
Arkitektura
Piktura


 

 

PËRSHTYPJET  ::  KUSH JEMI  ::  KONTAKTO  ::  FORUM  ::  CHAT

Albanian Network Group - 2003