Romani "Sikur të isha djalë"
ishte një jehonë e kësaj lëvizjeje
shoqërore dhe një nga veprat ku ajo u pasqyrua
më gjerë e në mënyrë të
drejtpërdrejtë.
Romani ka formën e një ditari, të mbajtur
nga personazhi kryesor i tij, vajza e re, Dija. Nëpërmjet
shënimeve të saj lexuesi njihet me jetën
e përditshme të një familjeje të
zakonshme qytetare shqiptare, ku ndihet edhe prapambetja
e theksuar shoqërore, edhe pozita e mjeruar e
gruas në familje, e cila duhet të bëjë
një jetë të mbyllur brenda mureve të
shtëpisë e sipas ligjeve patriarkale. Bota
shpirtërore, ndjenjat dhe dëshirat e saj
duhet të ndrydhen e të shuhen, ndryshe shfaqja
e tyre shkakton skandal në familje dhe në
shoqëri. Për sa kohë jeton në
familjen e saj, duhet të vendosë për
gjithçka babai, e kur të martohet, të
vendosë burri. Kështu, ajo është
një skllave, që duhet të lindë
fëmijë të cilët do të bëhen
përsëri viktimë e këtyre ligjevetë
egra sunduese në shoqërinë shqiptare
të viteve `30. Dija, ashtu si qindra e mijëra
vajza, vuan nga këto ligje të egra, që
nuk pyesin për ndjenjat, për dashurinë
e për dinjitetin e saj. Por në dallim nga
ato, ajo nuk do të nënshtrohet, nuk do të
mbysë gjithçka që për të
është e shenjtë dhe nis të kundërvihet.
Kundërvënia ndaj rregullave e ligjeve patriarkale
fillon që me dëshirën e saj për
të vajtur në shkollë, me përpjekje
për të zgjeruar kulturën nëpërmjet
librave, me protestën për të mos u
mbuluar me ferexhe etj. Dashuria për Shpendin,
të cilin e njohu rastësisht te shoqja e
saj, megjithse duket sikur ia zbukuron e ia pasuron
jetën e mjerë prej jetimeje e prej vajze
të mbuluar me ferexhe, kthehet në një
tragjedi për të. Nga njëra anë
dashuria e saj bëhet tepër dramatike për
shkak të fanatizmit të egër, izolimit
brenda mureve të shtëpisë, nga ana
tjetër , mungesa e ndonjë shprese se mund
të bashkohej ndonjëherë me Shpendin
në kushtet kur për gjithçka duhet
të vendoste i ati, i cili as që mendon se
vajza mund dhe duhet të ketë ndjenjat dhe
dëshirat e saj që duhen nderuar. Vendimi
i tij për ta martuar Dijen me një burrë
të moshuar, sepse është tregtar i pasur,
e shkatërron përfundimisht jetën e
saj.
Gjithnjë e hajthme, e dobët, e trishtuar,
e zhytur në mendime të zymta e munduar nga
pamundësia për t'u takuar me të dashurin
e saj Shpendin, dhe me parandjenja se gjithçka
do të përfundonte keq, e fyer vazhdimisht
nga njerka e saj, e fyer nga i ati, e papërfillur
dhe e përbuzur nga shoqëria, ajo sëmuret
rëndë nga turbekulozi dhe vdes, pak kohë
pasi e kanë martuar me përdhunë. Edhe
përpjekjet e disa njerëzve me pikpamje përparimtare
të fisit të saj, edhe përpjekjet e
Shpendit për ta rrëmbyer e për të
kur nga Shqipëria dështojnë. Fati i
çdo vajze ishte përcaktuar; nënshtrimi
dhe bindja ndaj ligjeve patriarkale, mbytja e dëshirave
dhe e dashurisë, ndryshe e priste turpërimi
dhe asgjësimi fizik. Por kjo kundërvënie
tragjike e humbet, deri diku, forcën e saj për
shkak të disa dobësive artistike të
romanit siç janë p.sh. mendimet e zgjatura,
arsyetimet moralizuese; që janë dhënë
nga pozita sentimentale e jo realiste, të cilat
shpesh zëvendësojnë veprimin konkret
të personazheve me ankime, psherëtima etj.
Megjithatë vepra, sidomos në kohën
kur doli, e tronditi opinjonin publik dhe pati një
jehonë të madhe te lexuesi shqiptar, pasi
heroina e tij tregohet e vendosur në luftën
e vet kundër botës së vjetër,
kundër normave etiko-morale të saj, pavarësisht
se nuk arrin dot dhe s'kishte se si, në mënyrë
individuale, të gjentë një rrugëzgjidhje
për një problem aq të rëndësishëm
shoqëror. "Duhet të luftojmë në
daçim të rrojmë si njerëz"
- shkruan ajo në ditarin e saj. Por dihet që
kundërvënia individuale ndaj shoqërisë
është gjithmonë dramatike ose tragjike.
Asnjë mjet, asnjë motiv që sjell autori
në vepër, nuk e shpëton dot. As largimi
nga vendi. Kritika ka pohuar disa herë që
autori nuk arrin të sjellë një zgjidhje
të drejtë me arratisjen e Dijes dhe Shpendit
jashtë vendit. Po, në të vërtetë,
ky nuk është një gjykim i saktë.
Autori pikërisht duke sjellë dështimin
e kësaj përpjekjeje, i tregon lexuesit se
s'mund kurrsesi që kjo të jetë zgjidhja.
Ky motiv është ndoshta nga më realistët
në roman. Jo ikja nga e keqja, po përplasja
e lufta me të mund të sjellin ndryshime
në ligjet dhe opinjonin e egër e të
prapambetur shoqëror.
Dija është personazhi më i realizuar
në roman, me një botë të bukur
shpirtërore, me një psikologji të qartë
dhe natyrë tërheqëse. Ajo i kundërvihet
krejtësisht mjedisit ku u rrit dhe demaskon gjithë
mënyrën e organizimit të jetës
familjare e shoqërore shqiptare.
Personazhet e tjera si Shpendi, Irena, babai, njerka
etj., janë më tepër skicime.
Proza e Stërmillit ka tiparet e një proze
sentimentale me meditime të shumta e përshkrime
të imta të vuajtjeve e të dashurisë,
po edhe me shprehje moralizuese e deklarime retorike,
të cilat i japin asaj ngjyra pak artificiale
dhe mangësi në zbërthimin psikologjik
të personazheve. Megjithatë, aty ka mjaft
ndjenjë e dhembje të sinqertë, gjë
që e tërheq lexuesin. Këto tipare lidhen,
në radhë të parë me natyrën
artistike të Stërmillit si shkrimtar sentimental.
Po, duke qenë se ato ndihen edhe në disa
prozatorë të tjerë të viteve `20-`30
si Postoli, Grameno, deri diku edhe te Spase etj.,
mund të themi se janë edhe tipare të
prozës sonë ende të dobët, e cila
në këtë kohë megjithëse përpiqet
të trajtojë probleme shoqërore të
rëndësishme të realitetit shqiptar,
mbeti sentimentale.