Serembja shkroi vjersha, poema, drama.
Po për shkaqe të ndryshme vetjake dhe ekonomike,
vetëm një pjesë e vogël e krijimtarisë
së tij ka arritur gjer te ne. Për poetin
mund të gjykojmë kryesisht nga vëllimi
italisht që botoi sa ishte gjallë, dhe nga
vëllimi Vjershë, që e botoi më
1926 në Milano i nipi.
Vitet e fundit studiuesit tanë dhe arbëreshë
kanë arritur të gjejnë një përmbledhje
me 40 sonete, të botuara italisht në vitet
`90 që dallohet nga protesta e hapur shoqërore,
po kështu mjaft dorëshkrime poetike që
nuk njiheshin, dhe një numër të madh
lerash nga korrespondenca e tij. Të gjitha këto
hedhin edhe më shumë dritë për
Seremben si poet. Vjershat që trajtojnë
motivin patriotik, janë pothuaj të pakta,
por të pasura në problematikëdhe në
vlera artistike. Serembja ka meritën se jep kushtrimin
për luftë kundër turkut jo në
mënyrë të tërthortë si De
Rada, por të hapur. Që në vjershën
"Rrutullupë" ("Vrull"), e
shkruar para vitit 1860, duket shqetësimi e padurimi
me të cilin e vështron Serembja fatin e
atdheut. Në katër strofat e kësaj vjershe,
që është nga më të realizuarat
për antitezat tronditëse, vrullin luftarak,
konçizitetin e thjeshtësinë, shkrihen
malli për atdheun e të parëve, dëshira
për ta parë të lirë, urrejtja
për pushtuesin, besimi në të ardhmen
"Nga urrejtja ngrihet shpresa dhe ndriçon".
Idetë e shprehura në këtë krijim
poetik të hershëm, do të përshkrojnë
gjithë poezinë patriotike të Serembes.
Në vjershën Detari, gjejmë heroin luftëtar
për çlirimin e atdheut jo më si figurë
historike, por si luftëtar të ditës,
si hero qytetar dhe në këtë kuptim
mund ta quajmë këtë vjershë ndër
më të përparuarat e Serembes dhe të
kohës. Megjithëse shtjellohet brenda një
kornize konvecionale, të cilën mund ta ketë
përcaktuar folklori (një detar lë vashën
dhe shkon të luftojë- nuk kuptohet ku dhe
si- për lirinë e atdheut), vjersha është
aktuale për problemet që ngre. Atë
e përshkron ideja e lartë e vënies
së interesave të atdheut mbi ato vetjake.
Konflikti midis së veçantës dhe shoqërores
zhvillohet në plan lirik dhe zgjidhet në
përputhje me karakterin militues të letërsisë
arbëreshe, ku shkëlqen më qartë
në vjershën kushtuar. Dora d'Istrias, Zonjës
Elena Gjika, ku ndihet një notë e re në
letërsinë tonë, hedhja e parrullës
së bashkimit të të gjithë popullit
shqiptar në luftë të armatosur kundër
osmanëve dhe parashikimi i ditës së
lirisë. Dëshira për liri kombëtare
në shpirtin e poetit është e pashkëputur
nga dëshira për lirinë e gjithë
popujve. Prandaj ai u këndon me entuziazëm
lëvizjeve çlirimtare të popujve të
tjerë, duke ndier krenari të ligjshme për
rolin që kanë luajtur shqiptarët në
këto lëvizje ("Për lirinë
e Venetisë", "Koroneut").
Poezia e Serembes me tematikë patriotike shquhet
për optimizëm, për frymë luftarake
dhe për besim të patundur në të
ardhmen e lëvizjes kombëtare. Në vjershat
më të goditura kjo shprehet me konçizitet,
përmes një figuracioni të fuqishëm;
në të tjera ka retorizëm, po ai shkrihet
në çiltësinë e ndjenjës.
Motivi i dashurisë zë një vend të
gjerë në poezinë e Serembes. Në
thelb poeti e sheh dashurinë si forcë jetësore,
si burim lumturie. Një mendim i tillë pasqyrohet
në vjershat që i këndojnë lindjes
së dashurisë ("Kënga e dashurisë
së parë", "Këngë e gëzueshme",
"Fytyra e saj").
Më vonë lirika erotike e poetit fillon të
përshkrohet nga fryma elegjiake. Megjithatë,
dhembja e poetit nuk kalon në pesimizëm,
po mbetet thellësisht njerëzore. Veçanësi
e poezisë së Serembes është analiza
e hollësishme psikologjike e ndjenjës. Ciltërsia,
njomësia dhe thellësia e ndjenjës i
japin poezisë erotike të Serembes një
vlerë të madhe njerëzore dhe përgjithësuese.
Poezia e Serembes është e pasur në
problematikë, në të përfshihen
edhe motive të tjera, si: motivi shoqëror,
i natyrës, motivi filozofik, motivi fetar, të
gjitha me nota autobiografike. Në një pjesë
të madhe të këtyre vjershave shprehet
revolta e poetit kundër shoqërisë që
e rrethon. Kjo revoltë është e vetëdishme
dhe e fuqishme, po poeti nuk e sheh qartë shkakun
e padrejtësive shoqërore, prandaj dhe demaskimi
që u bëri atyre tingëllon abstrakt,
etik. Serembja ka çaste që i drejtohet
fesë. Vjershat e tij fetare shquhen më tepër
për revoltë sesa për misticizëme
fatalizëm. Disa prej tyre kanë vlera të
ndjeshme artistike, që vijnë nga thellësia
e analizës së ndjenjës. Midis tyre
spikat për bukurinë e tij soneti "Natë",
që është në vazhdën e vjershave
të romantizmit evropian. Kjo vjershë dallohet
nga pasuaria e fantazisë dhe fluiditeti plot
dritë. Një sintezë të të
gjitha motiveve të krijimtarisë së
Serembes e gjejmë në vjershën "Elegji",
ku arti i tij ka arritur kulmin, midis spontanitetit
të frymëzimitdhe punës së kujdesshme
artistike. Kjo vjershë mund të quhet kryevepra
lirike e Serembes. Ajo është, në të
njëjtën kohë, një nga kryeveprat
lirike të romantizmit tonë e, në përgjithësi,
të letërsisë shqiptare dhe mund të
krahasohet me lirika nga më të mirat e romantizmit
evropian.
Në sonetet e botuara në vitet `90 thellohet
karakteri shoqëror në problematikë,
stigmatizohet korruptimi i kishës, sistemi i
taksave, që rëndontë mbi popullin,
synimet imperialiste të Italisë. Po forma
nuk përputhet gjithnjë me thellësinë
e brendisë. Romantizmi i Serembes dallohet nga
ai i De Radës dhe i Darës, meqenëse,
krahas heroit qytetar, në të gjejmë
heroin kryengritës, që sfidon shoqërinë.
Edhe Serembja, sikurse poetët e tjerë arbëreshë
u mbështet në poezinë popullore, veçse
jo në rapsoditë epiko-lirike, po në
lirikë dhe mori prej saj jo vetëm motive
e figura po edhe mënyrën e perceptimit të
realitetit, freskinë dhe natyrshmërinë
që e dallon. Poezia e Serembes dallohet për
muzikalitetin e saj. Ky krijues e pasuroi poezinë
arbëreshe me vargje e me lloje të reja,
duke lëvruar për herë të parë
odën, elegjinë, sonetin, baladën. Poeti
iu kushtua, kryesisht llojeve të vogla të
poezisë. Spontaniteti i jep forcën tërheqëse
poezisë së Serembes, po edhe e ka çuar
disa herë në proliksitet e shpërndarje
të idesë. Stili i tij është herë
patetiko-oratorik, herë intim lirik dhe në
thelb është analitik.
Serembja është një poet i shquar, origjinal
në zgjidhjen e temave dhe në trajtimin e
tyre. Ai nuk shkroi kurrë pa shtytjen e frymëzimit,
po edhe nuk lë pas dore formën artistike.
Serembja pasqyroi revoltën e intelektualëve
arbëreshë pas bashkimit të Italisë
dhe, njëkohësisht, pjekurinë më
të madhe të lëvizjes çlirimtare
të Rilindjes. Temën patriotike poeti e trajtoi
në një plan më aktual, duke i dhënë
karakter kushtrues më të hapur. Ai ndërthurri
këtë temë me probleme shoqërore
dhe e thelloi frymën demokratike të letërsisë
arbëreshe. I pushtuar nga idetë liridashëse,
ai trajtoi i pari në letërsinë arbëreshe
motivin e luftës çlirimtare të popujve
të tjerë.
Poezia e Serembes dallohet për diapazionin e
gjerë të motiveve e llojeve. Ai lëvroi
lirikën politike, lirikën e dashurisë,
lirikën filozofike e të peisazhit. Bashkë
me De Radën e me Darën, Serembja është
një nga përfaqësuesit më kryesorë
të letërsisë arbëreshe të
Rilindjes sonë Kombëtare.