Horizonte zbulue me bardhsi mëngjesore
zgjohen…
Dy-tri përvidhen hapsirë,
udhëtojnë,
t'bardha e t'holla
si çarçafë t'lëshuem n'erë…
Fushat pëshpërisin lutje mëngjesore.
Ditën e re përshëndesin
Me lojë kunorash -
Drujt e gjethuem;
në bar kanga e gjallesave t'imta
ende himnin e saj…
Livadhe dhe arave t'vesueme,
zane… Dita po gdhin.
Fushat erënjoma shtrihen
Si trup i gufuem femne…
Endem, si fëmi, n'qetësinë mëngjesore
dhe trupin e ushqej me freski
t'barishtave dhe t'erës;
përkdhel mëngjesin me sy t'mbyllun
dhe thellë n'zemër qetoj,
me harresë mësheh, mbuloj
dhimbjet e shpirtit t'varruem.
1934
------------------------------------------------------
Koment
Në këtë poezi të shkruar në
vargje të lira, ashtu si dhe në mjaft krijime
të tjera, Esat Mekuli na paraqitet një lirik
i hollë që di të pikturojë si
natyrën ashtu edhe ndjenjat e njeriut përpara
kësaj natyre. Bukuria e fushave, qetësia
mëngjesore, drujtë e gjethuem, me një
fjalë mbarë natyra është diçka
që qetëson "dhimbjet e shpirtit t'varruem"
të poetit.
Poezia "Në mëngjes" është
një shembull që dëshmon se si poezia
shqiptare nëpërmjet poetëve të
ndryshëm të kohës (Migjeni, Mekuli
etj.) vjen duke u bërë përherë
dhe më metaforike (d.m.th. metafora bëhet
figura qendrore e saj). Kjo praktikë u përgjithësua
më pas me Martin Camaj-n, Ismail Kadare-në
dhe Din Mehmeti-n.