Kuptimi
i asaj që shprehet nga folja mund të paraqitet
prej folësit në mënyra të ndryshme:
- si diçka e realizuar
: Ne punuam.
- si diçka e dëshirueshme,
e pritshme: Të punojmë
apo të mos punojmë.
- si urdhër: Punoni!
- si habi: Punuakan!
Trajtat
e ndryshme që merr folja për të shprehur
pikërisht këta kuptime quhen mënyra.
Në gjuhën shqipe folja ka gjashtë mënyra:
dëftore, lidhore,
kushtore, habitore,
dëshirore, urdhërore.
Mënyra
dëftore e paraqet kuptimin e shprehur
prej foljes si diçka të vërtetë
ose reale, qoftë ky pohim, mohim ose pyetje:
Iliri po mëson.
Iliri nuk po mëson.
A po mëson Iliri ?
Mënyra
lidhore paraqet kuptimin e shprehur prej foljes
si diçkaqë dëshirojmë ose presim
të ndodhë
Po të punosh do të fitosh.
Mënyra
kushtore e paraqet kuptimin
e shprehur të foljes si diçka të
mundshme që varet (kushtëzohet) nga një
veprim tjetër:
Po të punoje më shumë, do ta mësoje
më mirë kompjuterin.
Mënyra
habitore paraqet kuptimin e shprehur prej foljes
si diçka të papritur që shkakton
habi:
Sa qënka rritur !
Ju mësokeni shumë !
Mënyra
dëshirore paraqet
kuptimin e shprehur prej foljes në formë
urimi ose mallkimi:
Shkofsh e ardhsh shëndosh !
U bëfsh njëqind vjeç !
Të raftë pika !
Mënyra
urdhërore paraqet
kuptimin e shprehur prej foljes në formë
urdhëri, kërkesë, këshillë:
Punoni më mirë.
Mësoni më shumë.
Dëftorja,
lidhorja, kushtorja, habitorja, dëshirorja dhe
urdhërorja kanë forma të veçanta
për kohë dhe për veta të ndryshme
të çdo numri.
Veç këtyre mënyrave ka edhe forma
foljore të pashtjelluara të cilat nuk kanë
as kohë as vetë as numër.
Format e pashtjelluara të foljeve janë:
pjesorja, paskajorja,
përcjellorja dhe
mohorja:
- pjesorja: punuar, mësuar,
blerë, gjetur, tharë etj.;
Foljet kanë edhe një pjesore të shkurtuar
e cila gjendet duke i hequr pjesores prapashtesën
-r, -rë,
-ur, -ë,:
punua(r) - punua, bler(ë)-
ble(rë), gjet(ur)
- gjet
thën(ë) - thën.
- paskajorja: për
të punuar, për
të mësuar, për
të marrë etj.;
- përcjellorja:
duke punuar, duke
mësuar, duke marrë
etj.;
- mohorja: pa
punuar, pa mësuar,
pa mësuar, pa marrë
etj.;
Në
këto trajta, ajo që shprehet nga folja nuk
mund të paraqitet prej folësit në mënyra
të ndryshme, prandaj ato nuk merren si mënyra.