Grindjet feudale shpërthyen, qysh
në pjesën e parë të shek. XVIII,
edhe në sanxhakun e Delvinës. Qëndra
e sanxhakut, Delvina, me rrethin e saj, duke përfshirë
edhe qytetin e Gjirokastrës, ishte kthyer në
një pashallëk më vehte. Edhe në
këtë sanxhak mytesarifi e kishte humbur
kontrollin mbi një shumicë krahinash, të
cilat ishin kthyer edhe këto në pashallëqe
më vehte. Nga këto pashallëqe, më
kryesori ishte ai i Çamërisë. Qysh
më 1740 sundimi i Delvinës kishte rënë
në duart e Kapllan Pashës. Ky e kaloi sundimin
e vet të gjatë prej 34 vjetësh me lufta
të shpeshta kundër feudalëve rivalë.
Sanxhaku i Delvinës kufizohej në jugëlindje
me sanxhakun e Terhallës të banuar krejtësisht
prej popullsisë greke. Krahinat bujqësore
dhe qytetet e pasura të këtij sanxhaku,
me të ardhurat e tyre të shumta, tërhoqën
qysh herët lakminë e feudalëve shqiptarë.
Gjatë shek. XVIII, shumë feudalë të
Delvinës, Çamërisë, Gjirokastrës
dhe të kahinave të tjera të Shqipërisë
së jugut shkuan si funksionarë dhe si derebej
në Thesali dhe aty kthyen fshatra të tëra
ne çifliqe dhe në të njëjtën
kohë siguruan sundimin e tyre feudal në
qytete të ndryshme.
Një nga qytetet e sanxhakut të Terhallës
që tërhoqi më tepër se të
tjerat lakminë e feudalëve shqiptarë,
ishte Janina, e cila si qëndër e rëndësishme
ekonomike lidhte me tregun e vet edhe krahinat e Shqipërisë
jugore. Gjatë shek. XVIII, në Janinë
feudalët shqiptarë formonin aristokracinë
feudale të qytetit. Edhe këtu feudalët
ishin ndarë në tarafe. Shkaku kryesor i
grindjeve të tyre ishte posti i sundimtarit të
qytetit dhe të rrethit të tij. Asnjë
nga sundimtarët e shumtë që u vendosën
në Janinë gjatë shek XVIII nuk mundi
t'i nënshronte familjet e mëdha feudale.
Gjatë gjysmës së dytë të
shek. XVIII shpërthyen herë pas here në
Janinë luftime të armatosura midis tarafëve
feudalë. Një rol jo të vogël luanin
në jetën politike të Janinës edhe
zejtarët e tregëtarët, pothuajse të
gjithë me origjinë greke, duke përkrahur
njerin ose tjetrin taraf feudal.
Në Janinë u vendos një farë
qetësie kur sundimi i qytetit dhe i rrethit të
tij ra në dorën e feudalit shqipëtar
Mehmet Pashë Karakushit, i njohur me mbiemrin,
Mehmet Kallo-Pasha nga greqishtja: Mehmet (Pasha i
mirë). Gjatë sundimit të tij Janina
me rrethin e saj u kthye gjithashtu në një
pashallëk më vehte dhe shkëput krejtësisht
nga vartësia e mytesarifit të Terhallës.
Por me vdekjen e tij, më 1775, në Janinë
shpërthyen përsëri grindjet për
trashëgimin e pashallëkut. Feudalët
u ndanë në dy tarafe. Njeri nga këto
udhehiqej prej djalit të Kallo Pashës, Ahmet
beut, dhe tjetri prej nipit të tij Sulejman Beut.
Në të vërtetë Sulejman beu s'qe
gjë tjetër veçse një vegël
e motrës së Kallo Pashës, Aishe Karakushit,
një grua dinake dhe ambicioze për pushtet
e pasuri, e cila u martua me të. Me anën
e dhuratave që dërgoi në Stamboll dhe
me ndihmën e miqëve që kishte në
Portën e lartë, ajo mundi të shkëpuste
më 1780 fermanin e sulltanit për emërimin
e burrit të saj, Sulejmanit, sundimtar të
Janinës.
Kur, më 1786, Sulejmani u ekzekutua prej Portës
së Lartë, ndoshta me padinë e bërë
prej vetë Aishesë si bashkëpunëtor
i Venedikut, postin e sundimtarit të Janines
e zuri burri i dytë i saj, Alizot Agai nga Gjirokastra.
Emërimi i Alizotit dhe zullumet e tepruara të
Aishesë e thelluan në kulm luftën midis
tarafeve feudale.
Këto grindje i vëzhgonte me kujdes një
feudal tjetër shqiptar, Ali Pashë Tepelena,
i emëruar po atë vit (1786) mytesarif i
Terhallës, i cili kërkonte të shtinte
në dorë Janinën dhe ta shtrinte pastaj
sundimin e vet edhe në Toskëri.