Faqja Kryesore  >> Historia  >> Pashalleqet e medha
 

Historia e Shqipërisë - Pashallëqet e Mëdha

   
   
   
   
   
   
   
   
   
   
   
   
   
 

 


 

Forcimi i Pashallëqeve

Me çthurjen e sistemit feudal-ushtarak dhe dobësimin e pushtetit qëndror turk u çthur edhe administrata shtetërore e perandorisë. Kjo u dha rast feudalëve të fuqishëm shqiptarë, sikurse edhe feudaleve të mëdhenj të provincave të tjera të Turqisë të shpërdoronin ofiqet e larta që zinin në administratë, për t'u fuqizuar ekonomikisht dhe politikisht.

Një mjet për pasurimin e tyre ishte gjithmonë sipërmarrja e taksave. Në Shqipëri, sipërmarrës për mbledhjen e taksave shtetërore të sanxhaqeve ose të kazave bëheshin zakonisht vetë mytesarifët ose myteselimët e tyre. Këta përpiqeshin të nxirnin nga popullsia vendëse me anën e dhunës sa më tepër taksa duke siguruar për vehte fitime të mëdha. Për të ushtruar funksionet e tyre dhe për të grumbulluar më me lehtësi taksat që merrnin pothuajse çdo vit në iltizam, mytesarifët dhe myteselimët mbanin tani pranë vehtes një aparat nëpunësish dhe një ushtri personale mercenarësh. Me forcimin e pozitave të tyre feudalët e mëdhenj filluan jo vetëm të nxirrnin nga fshatarët të ardhura sa më të mëdha, por edhe të përvehtësonin shumën e taksave që i takonin Stambollit. Shteti turk, duke qenë në vështirësi të madhe financiare, nuk i lejonte këta feudale të përvehtësonin të ardhurat që i takonin thesarit perandorak, dhe bile i lakmonte për vehte pasuritë e mëdha që ata kishin grumbulluar. Në këto kushte lindën kontradikta të ashpëra midis feudalëve të mëdhej shqiptare dhe pushtetit qëndror otoman.

Në pjesën e parë të shek. XVIII këto kontradikta u thelluan edhe më tepër. Sulltanët morën kundër qeveritarëve të pabindur masa të ndryshme, sipas rastit, duke i shkarkuar nga postet administrative që zinin, ose duke i transferuar nga njeri sanxhak në tjetrin. Kur patën mundësi sulltanët i shpallën këta qeveritarë "fermanli" dhe organizuan kundër tyre ekspedita ushtarake. Por, kur e ndjenin vehten të dobët ose kur ishin të zënë me luftë kundër shteteve të huaja, përpiqeshin të mos i acaronin marrëdhëniet e tyre me feudalët e mëdhej të Shqipërisë. Nga ana e tyre shumë qeveritarë feudalë shqiptarë, duke e parë pushtetin turk të dobët, filluan të mos i përfillnin më fermanët e sulltanit dhe të mos u trembeshin kërcënimeve të Stambollit. Megjithatë, në këtë periudhë, ata nuk mendonin asnjëherë të shkëputeshin nga Turqia. Ata kishin gjithnjë nevojë për pushtetim perandorak turk, kishin nevojë të përdornin autoritetin e sulltanit për të mbrojtur interesat e veta.

Në këtë mënyrë gjatë gjysmës së parë të shek. XVIII filloi të ndryshonte raporti i forcave që ekzistonte më parë kur feudalët spahij të Shqipërisë ishin krejtësisht të varur nga sulltani. Tani disa nga qeveritarët e mëdhej feudalë u bënë shumë të fuqishëm dhe filluan të ndjenin vehten më pak të varur nga Stambolli. Këta sundonin si mytesarifë ose myteselimë duke u mbështetur më tepër në fuqinë e vet ekomomike, politike dhe ushtarake se sa në pushtetin qëndror otoman, dalëngadalë po pushonin së qëni funksionarë të Stambollit dhe po ktheheshin në qeveritarë gjysmë-autonomë. Që nga kjo kohë ndarja administrative shtetërore u përmbys. Sanxhaqet u coptuan në zotërime të vogla e të mëdha. Këto zotërime feudale gjysma autonome u quajtën pashallëqe.

Pashallëku përfshinte sipas fuqisë së qeveritarit feudal teritorin e një, dy a më tepër kazave, nga ndonjëherë krejt territorin një sanxhaku, bile edhe më tepër, nën sundimin e një qeveritari feudal, i cili zakonisht kishte fituar që më parë titullin e pashës. Në çerekun e dytë të shek. XVIII, kur Turqia ishte zënë me luftat kundër Persisë, Austrisë, Rusisë, u formuan në Shqipëri pashallëqet e Shkodrës, Delvinës, Vlorës, Elbasanit, Kavajës, Çamërisë, etj.

Sundimtarët e këtyre pashallëqeve vazhdonin të mbanin gjithnjë titullin e mytesarifit ose to myteselimit dhe qeverisnin formalisht në emër të sulltanit. Këta i zbatonin rregullisht urdhërat e qeverisë qëndrore, kur këto nuk cënonin interesat e ngushta personale. Kur interesat e tyre prekeshin, atëhere sundimtarët e pashallëqeve nuk i vinin në zbatim duke gjetur pretekste të ndryshme. Dhe, ndërsa nga njera anë i bënin sulltanit deklarata besnikërie dhe përunjësie, nga ana tjetër, përpiqeshin të forconin autoritetin e vet në territoret e sanxhakut-pashallëk ose të kazasë, pashallëk, duke i kthyer në vasalë feudalët e tjerë dhe veçanërisht spahijtë e pashallëkut. Në disa raste sundimtari i një kazaje u bë aq i fuqishëm, sa futi nën vartësine e vet edhe vetë mytesarifin e sanxhakut. Familjet feudale që sunduan në këto pashallëqe u kthyen dalëngadalë në një farë aristokracie feudale shqiptare. Për t'u dalluar nga masa e feudalëve të vegjël, familjet e mëdha feudale u quajtën oxhaqe. Në disa raste oxhaqet feudale e filluan veprimtarinë e tyre si pronarë të mëdhej çifigjesh dhe pastaj kaluan si sundimtarë pashallëqesh. Të tillë, qenë për shëmbëll, oxhaqet e Begollajve në Pejë, bixhakçijve në Elbasan, Vlorajve në Vlorë. Por në raste të tjera ndodhi e kundërta. Mjaft familje feudale siguruan me mjete të ndryshme më parë sundimin e një sanxhaku ose kazaje dhe pastaj duke shpëndorur ofiqet administrative, grumbulluan prona të mëdha çifligare. Por në të dy rastet, formimi i pashallëqeve ishte i lidhur me procesin e zgjerimit të pronës çifligare dhe me tendencën e shtimit përherë e më të madh të të ardhurave të feudalëve. Me krijmin e oxhaqeve feudale shqiptare u përmbys hierarkia feudale-ushtarake dhe u minua pushteti i centralizuar turk në Shqipëri.

Pashallëqet
e Mëdha

Pashallëku i Shkodrës
Pashallëku i Beratit
Pashallëku i Janinës
Turqia në shek. XVIII
Marrëdhëniet midis Pashallëqeve
Turqia kundër
Oxhaqeve shqiptare
Masakra e Manastirit
Fundi i Regjimit Feudal
Kryengritjet në Toskëri
Kryengritja e Shkodrës


 

 

PËRSHTYPJET  ::  KUSH JEMI  ::  KONTAKTO  ::  FORUM  ::  CHAT

Albanian Network Group - 2003