Në fillim të shek. XVIII
sanxhaku i Shkodrës zinte një vend të
rëndësishëm në territoret turke
të Ballkanit, për arësye të pozitës
së ekspozuar në bregdetin e Adriatikut në
kufi me zotërimet e Venedikut në Dalmaci,
dhe si bazë operacionesh kundër malsorëve
shqiptarë e malazezë që ishin në
lëvizje të vazhdueshme kundër Turqisë.
Nga pikëpamja administrative sanxhaku i Shkodrës
tani ndahej në 6 kaza: në atë të
Shkodrës, Ulqinit, Tivarit, Podgoricës,
Plavës dhe Malit të Zi, dhe në disa
nahije nga të cilat nahija më kryesore ishte
ajo e Lezhës.
Qysh në gjysmën e parë të shek.
XVIII anarkia feudale plasi me furi, edhe në
sanxhakun e Shkodrës. Ajo solli si pasojë
çthurjen e krejt organizimit administrativ
të mëparshëm. Në vitet e para
të këtij shekulli Mali i Zi, në sajë
të luftës së pandërprerë
të popullsisë së tij, u shkëput
nga vartësia e mytesarifit të Shkodrës,
si dhe nga kontrolli turk dhe u kthye në fakt
në një krahinë të pavarur. Më
vonë, agallarët e Ulqinit, pronarë
anijesh e kantieresh, pasi i vranë autoritetet
e kazasë, u shkëputën edhe nga kontrolli
i Shkodrës.
Brenda në Shkodër dy familje të mëdha
feudale shkodrane, ajo e Çaushollajve dhe e
Bushatllijve, si dhe feudalët e mëdhej të
Pejës Begollajt, disa prej të cilëve
ishin vendosur në Shkodër qysh në fund
të shek. XVIII, lakmonin secila për vehte
sundimin e sanxhakut. Masa e zejtarëve ishte
e përçarë edhe ajo në dy tarafe,
në tarafin e Tabakëve dhe në atë
të Terzive. Pjesa e popullsisë katalike
të qytetit, e lidhur pas kryepeshkopatës
së Tivarit, mbante një qëndrim me vehte,
sipas rastit. Në rivalitetet dhe grindjet midis
oxhaqeve e tarafeve morën pjesë gjithashtu
oxhaqet e pashallëqeve fqinje, agallarët
e Ulqinit si dhe bajraktarët dhe malsorët
e rretheve të afërta. Stambolli me ndërhyrjet
e veta i acaronte ose i zbuste konfliktet e brëndëshme
dhe të jashtme të Shkodrës.
Rreth vitit 1730, sundimin në Shkodër
e kishin feudalët e oxhakut të Begollajve
të emëruar nga sulltani, të cilët
u mbështetën te tarafi i Tabakëve.
Rivalët e tyre, feudalët e oxhakut të
Çaushollajve u bashkuan me esnafët e tarafit
të Terzive. Me politikën e tyre tiranike,
Begollajt shkaktuan pakënaqësinë e
tregëtarëve shkodrane, agallarëve ulqinaikë
dhe malsorëve katolikë. Më 1733 dhe
1737, kur Mahmut Pashë Begolli, mytesarifi i
Shkodrës u largua për në frontin e
luftës, në Shkodër plasën grindjet
feudale midis oxhaqeve, të ndihmuara nga tarafet
e tyre. Grindjet vazhduan deri sa në shkurt të
vitit 1739 oxhaku i Çaushollajve së bashku
me tarafin e Terzive dhe me
përkrahjen e malsorëve katolikë, të
tregëtarëve shkodrane dhe të agallarëve
ulqinakë, vranë Mahmut Pashë Begollin
morën fuqinë në dorë dhe siguruan
fermanin sulltanit për emërimin e Jusuf
Çaushollit mytesarif në Shkodër.
Por edhe sundimi i Çaushollajve nuk qe i
qetë dhe nuk vazhdoi gjatë. Sapo Jusuf Pashë
Çausholli u largua edhe ai me ushtritë
e veta më 1745 për në frontin e Persisë
Tabakët të nxitur nga Begollajt që
ishin tërhequr në Pejë, rifilluan luftën
e armatosur dhe për 3 vjet, më 1748, siguruan
nga Sulltani dekretin për emërimin e një
pinjolli Begollaj me detyrën e mytesarifit të
Shkodrës. Luftat feudale vazhduan edhe në
vitet e mëvonëshme. Brënda 3 vjetëve
sundimi i Shkodrës kaloi me lufta disa herë
prej Begollajve te Çaushollajt. Anarkia feudale
në Shkodër u thellua edhe me tepër,
sepse oxhaku i Çaushollajve, pasi siguroi më
1751 sundimin, u përça në dy tararfe
që hynë në luftë midis tyre. Kjo
u dha rast Tabakëve dhe Begollajve të ngrinin
krye përsëri më 1754 dhe të merrnin
në dorë fuqinë. Për të shuar
konfliktet që po acaroheshin përhere e më
tepër, sulltani emëroi më 1755 mytesarif
në Shkodër një feudal jo shkodran,
Omer Pashë Kavajën. Po atë vit Omer
Pasha me ndihmën e Tabakëve, të cilët
në këto vite udhëhiqeshin nga Mehmet
Bushatlliu, i theu Çaushollajt dhe Terzitë.
Me 1756, kur Omer Pashë Kavaja u largua nga
Shkodra, Mehmet Çausholli u përpoq të
merrte përsëri sundimin e sanxhakut. Por
këtë radhë ai ndeshi në qëndresën
e udheheqësit energjik të Tabakëve,
Mehmet Bej Bushatlliut, i cili theu kundërshtarët
e vet pa ndihmën e Begollajve dhe u bë në
fakt sundimtar i Shkodrës. Si dhe në raste
të tjera, sulltani i dërgoi atij titullin
pashë dhe fermanin e emërimit mytesarif.
Me ardhjen në fuqi të Mehmet Bushatlliut,
filloi për krahinat e Shkodrës dhe për
krahinat e tjera të Shqipërisë veriore
periudha gati 75 vjeçare (1757-1831) e sundimit
të Bushatllijve.