THIRRJE PËR NJI LIBËR HISTORIJE
SHQIPTARE
Muajin e prillit një profesor anglez i ekonomisë
politike, Colin Clark, shkroi në revistën
ENCOUNTER që del në Londër, një
artikull me titullin "Varfëria e Kombeve".
Në një paragraf të shkurtër mbi
kombin tonë ay thotë kështu: "Shqiptarët
kanë tendencë të lavdërohen se
kombi i tyre nuk ka qenë gjë tjetër
veçse një grusht tribush barbarë
që nuk kanë bërë prokopi as kur
vendi i tyre bënte pjesë në Imperatorinë
Otomane". I dërgova revistës menjëherë
një letër ku e vura në vend profesorin
matuf, por mjerisht letra nuk u botua.
E prura kët shembull për të treguar
se sa keq janë informuar njerëzit mbi Shqipërinë.
Le turmat popullore që nuk dijnë as se ku
bie vendi ynë, por edhe njerëz të mësuar
si prof. Clark shkruajnë dokrra që neve
na bëjnë të qeshim se sa të inatosemi.
Por ata të huaj që lexojnë artikullin
e profesorit dhe që nuk kanë burim tjetër
informatash më të sakta kujtojnë se
ashtu është me të vërtet.
Fakti që kombi ynë njifet më pak se
një popull fìsesh në mes të
Afrikës ose të Pacifìkut, megjithqë
ndodhet mu në skaj të Evropës, duhet
të na bëjë të mendohemi dhe të
shqetësohemi. Natyrisht arsyet që e kanë
shkaktuar kët gjendje janë të shumta
dhe nuk mvareshin prej nesh. Piksëpari, fqinjët
tonë nuk kanë lënë mjet pa përdorur
për të na diskretituar në syt e botës
dhe duhet të konstatojmë me hidhërim
se propaganda e tyre gënjeshtare ka patur efektin
e saj. Pastaj dhe shum libra që janë shkrojtur
mbi Shqipërinë, qoftë edhe nga shkrimtarë
me qëllime të mira, kanë qenë
ose të përciptë ose janë marrë
vetëm me një aspekt të jetës sonë
shoqnore dhe kombëtare. Ata kanë ndihmuar
që përjashta të formohet mendimi se
Shqipëria e tërë është banuar
nga fise që nuk njofin tjetër veçse
hakmarrje dhe grabitje. Gjenerata e shkrimtarvet serioz
mbi vendin tonë si Miss Durham, zoti Swire, senatori
Goddard, nuk ka patur imitatorë në brezin
e ri, përverç që edhe rrethanat e
sotme nuk lejojnë më studime të shëndosha
si të atyreve. Me në fund, librat si ato
të Brigadier Davies, Juhan Amery, që u shkruan
mbas luftës merren me një fazë të
kufizuar dhe shum të turbullt të jetës
sonë kombëtare.
Literatura e huaj mbi Shqipërinë nuk mund
të përtërihet më, meqë komunistët
nuk lejojnë me studime të paanëshme
t'i hetojnë punët në vend dhe të
shkruajnë mbas vëzhgimeve dhe ndërgjegjies
së tyre. Kështu që paragjykimeve dhe
koncepteve të gabuara të së kaluarës
u shtohet tani edhe efekti i keq i vepravet stupide
dhe kriminale të komunistëve.
Kjo gjendje tragjike na ngarkon neve Shqiptarve që
jetojmë në tokë të, lirë
një barrë shum të rëndë.
Neve na takon të ndriçojmë opinionin
e botës së lirë jo vetëm mbi vuajtjet
e popullit ndën zgjedhën komuniste por edhe
t'i japim një pasqyrë të vërtetë
të historisë sonë.
Këtë nevojë e ndjeva që kur erdha
në Londër më 1940. Meqenëse puna
e përditëshme më linte mjaft kohë
të lirë, e përdora për të
shkruar një histori të Shqipëris nga
Kongresi i Berlinit gjer në invazionin e 1939-ës.
Meqë Anglishten nuk e zotnoja mirë, m'u
desh ta shkruaj Frëngjisht. Një koleg francez
e përktheu për mua, por jo me shum sukses.
Teksti u soll në një formë pak a shumë
të lexua-rshme mbas disa korrigjimeve. Ia ofrova
afro një duzine shtëpive botonjëse.
Të gjitha ma kthyen duke thënë se nuk
mund ta botonin për arsye se nuk ishin të
sigurta nëse do të shiteshin mjaft ekzemplarë
sa për të nxjerrë shpenzimet.
Në mbarim të luftës na doli murtaja
komuniste si një rrezik që kërcënonte
të gjithë botën e lirë, ndërsa
iluzionet në perëndim përsa i përket
qëllimeve të mira të Stalinit me shokë
ishin shum të rrënjosura dhe të rrezikëshme.
Prandaj, para se të mendoheshim për lirimin
e viseve tona me ndihmën e fuqive të perëndimit,
duhej të bëhej më dukshëm rreziku
i imperializmit rus nën kallëpin e komunizmit.
Si një kontribut modest drejt këtij qëllimi
shkrova librin mbi Rusinë që u botue më
1951. Si mbaroi edhe kjo punë, mora përsëri
në dorë dorëshkrimin e librit mbi Shqipërinë.
Natyrisht, kur e lexova për së dyti nuk
më pëlqeu. Vendosa të bëj një
studim më të plotë dhe më mirë
të dokumentuar. Lexova në Muzeun Britanik
dhe në librat e tjerë të Londrës
çdo gjë që mund të gjendet mbi
Shqipërinë. Kështu munda të shkruaj
një histori të plotë të vendit
tonë nga ilirët e gjer në ditët
tona. I shtova edhe dy kapituj mbi gjeografin, racën,
gjuhën, fiset, Kanunin etj. Dorëshkrimi
u zgjerua deri në 125.000 fjalë që
bëjnë afro 400 faqe në formë libri.
Iu drejtova përsëri shtëpis botonjëse
që më kishte dhënë më shum
shpresa gjatë luftës. Eksperti i tyre që
lexoi dorëshkrimin tha se kishte shum merita
dhe se vlente të botohej. Mjerisht, më thanë,
gjendja e sotme e industrisë së librit e
bën te pamundur që ta botojmë pa një
garanci. Por kët herë, meqenëse çmimet
janë shtuar dy a trefish nga koha e luftës,
më kërkuan të garantoj shitjen e 650
(gjashtëqind e pesëdhjetë) ekzemplarëve.
Si thashë, libri do të ketë afro 400
faqe, me harta dhe ilustrime, dhe do të kushtojë
25 shilinga ose 4 dollarë. Kto 650 copë
duhet të paguhen para se të fillonte shtypja
e librit. E vetmja mënyrë është
që të mobilizojmë të gjith patriotët
shqiptare në mërgim dhe miqtë e huaj
të Shqipërisë për të siguruar
botimin e librit, i cili besoj se i shërben sadopak
çështjes sonë kombëtare. Për
të qenë fare të sigurtë do ta
rregullojmë që pagesat të bëhen
drejtpërdrejt në shtëpin botonjëse.
Por kjo është për më vonë.
Sot për sot duhet të dijmë se në
do të shitet numri që na kanë caktuar.
Pra ata që do të jenë të dispozuar
ta bëjnë kët sakrificë, të
kenë mirësinë të më lajmërojnë
individualisht ose kolektivisht në kët adresë:
14 Chepstow Cres-cent - London W 11.
Tajar Zavalani
"Flamuri" 1954