Krijimtaria poetike e Nolit është
ndër gjërat më të fuqishme, më
të thella e më tronditëse të letërsisë
shqiptare. Vargjet e tij përshkrohen nga një
filozofi e thellë humaniste dhe janë demaskuese
të një bote të vjetër, të
mykur ku mbretërojnë intrigat, prapaskenat,
krimi e shfrytëzimi, po njëkohësisht
prej tyre shpërthejnë idealet e përparuara
demokratike, optmizmi se gjithçka që i
ka kaluar koha do të përmbyset. Krijimtaria
poetike e Nolit u përmblodh për herë
të parë nga shkrimtari dhe kritiku ynë
i shquar Mitrush Kuteli, më 1948 kjo veprimtari
u botua nga federata "Vatra" në Amerikë,
në përmbledhjen "Albumi". Më
vonë Noli botoi edhe disa poezi të tjera
si "Sulltani dhe kabineti" etj.
Poezia e parë e Nolit është "Tomsoni
dhe kuçedra (1914), ku Noli shpërthen
me forcë kundër tradhtisë së feudalëve
me Esat pashë Toptanin në krye. Pas saj
Noli botoi poemën "Jepni për nënën",
e cila u bë mjaft popullore. Aty u bëhet
thirrje në formë prekëse të gjithë
shqipëtarëve, kudo që të ndodhen,
të ndihmojnë pa hezitim Shqipërinë,
të cilën elementët anti kombëtare
e kanë çuar në greminë.
Cilët bij të tradhëtuan
Dhe të dogjën dhe të shuan
Dhe të lan' o shkab` e ngratë
Pa fole, pa zogj, pa shpatë,
Këta qena, o shok, mbytni,
Mbushni gjylet që t'i shtypni
Që në këto dy poezi bien në sy
dy karakteristika të krijimtarisë së
Nolit: frymëzimi nga ngjarjet aktuale dhe qëndrimi
i rreptë e i prerë antifeudal. Pas revolucionit
të qershorit Noli botoi njëra pas tjetrës
poezitë tij më të fuqishme si: "Syrgjyn
vdekur", "Shpellë e Dragobisë",
"Himni i flamurit etj.
Dy të parat janë elegji për L.Gurakuqin
dhe B.Currin, bashkëluftëtarët e Nolit
gjatë Revolucionit, të cilët u vranë
të dy më 1925 brenda një muaji, nga
Zogu. Në këto dy elegji poeti jep meritat
e secilit nga këta demokratë e patriotë
të shquar dhe mishëron në art tiparet
e tyre. Në elegjinë kushtuar Luigj Gurakuqit,
Noli njëkohësisht e vajton me hidhërim
të thellë, e mbron dhe e lartëson nëpërmjet
antitezash të fuqishme figurën e pastr të
tij dhe gjithashtu demaskon edhe dorën gjakatare
dhe synimet e A.Zogut:
Nëno, moj, mbaj zi për vëllanë,
me tre plumba na i ranë,
na e vranë e na e shanë,
na i thanë tradhëtor.
..
Nëno moj, ç'është përpjekur.
Gojëmjalt'e zemërhekur,
Syrgjyn gjallë e syrgjyn-vdekur
Ky Vigan- Liberator.
Te "Shpella e Dragobisë poeti sjell një
paralelizëm tjetër të heroit deri në
përmasa epike me figura që i afrohen krijimtarisë
popullore. Vërtet ajo është shkruar
në formën e një elegjie, por e gjithë
poezia shpreh duf, revoltë e kushtrim për
luftë;
Thon' u shtri e thonë u vra,
por t'i s'vdiqe or Baba,
as te Shkëmb' i Dragobisë
as te zemr', e djalërisë!.
Bajram Curri dhe Luigj Gurakuqi jepen në këto
poezi si shprehës të aspiratave të
vegjëlisë.
Me ngjyrë epike e emocion të fuqishëm
është shkruar edhe poezia "Himni i
flamurit", e cila i kushtohet flamurit kombëtar
që simbolizon qëndresën e paepur të
popullit tonë gjatë 2000 vjetëve për
të ruajtur kombësinë, vazhdueshmërinë
e tij.
O flamur gjak, o flamur shkabë
O vend e vatër, o nën' e babë,
lagur me lot, djegur me flakë,
flamur i kuq, flamur i zi.
Poeti pasi rendit gjithë luftrat e mëdha
e të gjalla të popullit për liri, nën
këtë flamur, thekson një antribut të
ri të tij, që e ka përfituar në
lëvizjen për demokraci : flamur i madh për
vegjëli.
Poezi me motive biblike siç janë "Moisiu
në mal", "Marshi i Barabajt",
"Krishti në kamzhik", "Marshi
i Krishtit" dhe "Marsh i kryqëzimit",
"Shën Pjetri mbi mangall" etj, shprehin
aspekte të ndryshme të jetës politike
gjatë viteve 1920-1924.
Pavarësisht nga motivet dhe simbolet biblike,
ato s'kanë as frymë as karakter fetar. Të
gjitha së bashku, krijojnë një autobiografi
në vargje të Nolit gjatë dhe pas Revolucionit
të Qershorit.
Kështu p.sh., në poezinë "Krishti
me kamxhik", Noli aludon për rolin dhe programin
e vet të viteve 1921-1924. Në këtë
konceptim qëndrojnë edhe poezitë "Marshi
i krishtit" e "Marshi i kryqëzimit".
Krishti simbolizon figurën i cili, si ai, do
të jetë mbrojtës i masave të varfëra
nga shfrytëzimi dhe tirania. Në këto
poezi ndihet adhurimi i masave, i turmës së
paditur për heroin çlirimtar. Noli shpreh
bindjen se masat pa heroin nuk mund të arrijnë
fitoren e ëndërruar, Në këto poezi,
sidomos te "Krishti me kamzhik", gjithashtu
shprehet edhe ideja tjetër e rëndësishme
e Nolit se toleranca duhet përdorur me kujdes.
Larot dhe tradhëtarët feudalë duhen
shtypur me dhunë, ndryshe ata rrezikojnë
fitoren e arritur.
Momente të jetës së vështirë
të Nolit në emigracion trajtohen në
mënyre alegorike edhe në poezinë "Moisiu
në mal". Këtu nëpërmjet simbolit
të Moisiut, kryeprofetit të dhjatës
së vjetër që simbolizon udhëheqësin,
autori flet për përpjekjet e veta, idealet
dhe luftën e tij për çlirimin e popullit
shqiptar. Poeti ndihet i dëshpëruar për
disfatën e tij, por nuk është pesimist
për të ardhmen e popullit të tij.
Një nga poezitë më të fuqishme
të këtij cikli është "Marshi
i Barabajt", ku poeti me krahasime e epitete
jashtëzakonisht të goditura demaskon figurën
e Zogut-Baraba.
Tradhëtar, ti na nxive, na le pa atdhe,
ti na çthurre, na çkule, na çduke
çdo fè.
Varfëri, poshtërsi, robëri ti na dhe,
derbeder, ujk e derr, Hosana Baraba!
Figura e Zogut dhe gjithë tiparet anadollake
të qeverisë së tij, Noli i ka demaskuar
edhe në poezinë e fuqishme "Kënga
e Salep-Sulltanit".
Kurse tek poezia "Shën Pjetri mbi mangall",
Noli ironizon deri në sarkazëm gjithë
renegatët e revolucionit:
S'ka e s'ka si heroizma
Edhe si idealizma,
po ku dimër del behari
s'ka si zjarr.
Nga poezitë më të mira të Nolit
janë "Anës Lumejve", "Rend
or marathoromak". Të dyja poezitë krijojnë
një imazh të qartë të gjendjes
katastrofike të Shqipërisë nën
pushtetin e Zogut dhe njëkohësisht shpreh
padurimin e poetit për të parë shenjën
e parë të kryengritjes shqiptare prej katundarëve
e punëtorëve, të vetmit tek të
cilët i ka varur shpresat ai. Pas kësaj
vjen besimi në fitore, drithërima e poetit
që ndjen nga larg se së shpejti do arrijë
nëpërmjet "Marathonomakut" lajmi
i fitores jo mbi pushtuesin, por mbi shfrytëzuesin
e pushtetin feudal të Zogut. Ky është
dallimi i Marathonomakut të Nolit nga Marathonomaku
i Greqisë së Lashtë i cili lajmëroi
fitoren ndaj ushtrisë së huaj.
Të dyja këto poezi të fuqishme pasuruan
ideoartistikisht jo vetëm krijimtarinë e
Nolit , por poezinë shqiptare në përgjithësi.
Vargje si:
Ku e lamë e ku na mbeti
Vaj-vatani e mjerë-mileti
Anës detit i palarë
Anës dritës i paparë
Pranë sofrës i pangrënë
Pranë dijes i panxënë
Lakuriq dhe i dregosur
Trup e shpirt i sakatosur
Janë ngjethëse edhe sot dhe mbeten gjithnjë
aktuale. Forca demaskuese dhe thirrja për kryengritjen
në këtë poezi dallohet nga gjithë
krijimtaria tjetër poetike e Nolit dhe e ka mbështetjen
në vetë zhvillimin e ngjarjeve në Shqipëri,
të cilat kishin tronditur prej kohësh jetën
shoqërore e politike evropiane. Noli ka shkruar
edhe tri lirika intime, ku më tepër trajtohet
problemi i kuptimit filozofik të dashurisë
si forcë jetëdhënëse.
Poezia noliane është një poezi novatore,
sepse pasqyron idealet më përparimtare të
shoqërisë shqiptare të viteve 20-30,
idealet më demokratike, me një forcë
artistike të jashtëzakonshme e me një
formë origjinale. Shprehja poetike e tij përbëhet
nga një mendim sintezë liroko-epik, plot
duf e sulm me ritme kumbuese të protestës.
Ritmi i marshit i jep kësaj poezie gjallëri
të vazhdueshme e tone optimiste. Në vargjet
e Nolit realizmi eshte gërshetuar me frymën
romantike të ëndërrës e të
shpresës, po aq ngushtë sa është
gërshetuar edhe ideja e kryengritjes, e luftës
për liri shoqërore me tolerancën shoqërore
e lirinë e individit Noli ndoqi modelët
poetike klasike, por pati një ndikim të
ndjeshëm nga poezia popullore. Në poezinë
e tij figuracioni popullor i shkrirë në
zjarrin e frymëzimit dhe me frazeologjinë
e zgjedhur e të pasur të gjuhës së
folur ka sjellë vargje me një forcë
të jashtëzakonshme shprehëse. Duke
përdorur me mjeshtëri figura si epiteti,
antiteza, alegoria etj., ai portretizon me art personalitete
reale historike të jetës shqiptare.
Krahas veprave të shquara ideoartistike, poezia
e Nolit dallohet si model i masës dhe përpjestimit,
gjë që ndihet edhe në prozën e
tij të rrjedhshme, konçize, me një
kompozicion të saktë. Noli përdori
fondin e pasur të gjuhës shqipe, duke aktivizuar
edhe fjalë të vjetra e duke krijuar të
reja, si dhe duke futur në funksion edhe fjalë
të huaja, ndaj themi se është ndër
pasuruesit më të shquar të gjuhës
sonë.
*******************************
Personalitet i shquar jo vetëm i letërsisë,
po i gjithë kulturës shqiptare, Noli dha
kontribut të madh në shumë fusha. Ai
është poet i shquar, historian e biograf,
publicist, orator, kritik e dramaturg si dhe përkthyes
i rrallë, që me veprat e tij i dha një
ngjyrë të re letërsisë shqiptare.
Krahas kësaj ai është njeriu i veprimit.
Si patriot i madh ai bëri ç'ishte e mundur
në fushën e diplomacisë për ruajtjen
e tërësisë tokësore të Shqipërisë
dhe pranimin e saj në Lidhjen e Kombeve. Si demokrat
i shquar ai udhëhoqi Revolucionin Demokratik
të Qershorit, i cili edhe pse dështoi ngjalli
besimin se sistemi feudal i prapambetur do të
shembej shumë shpejt. E gjithë veprimtaria
e tij ishte një bazë e fuqishme për
zhvillimet e mëvonshme shoqërore, politike,
kulturore artistike në Shqipëri. Veprat
e tij kanë hyrë në fondin me të
cilin kontribuon populli ynë në kulturën
botërore.