Publiçistika
Veprimtaria krijuese e Nolit nis me publiçistikën
dhe oratorinë. Ato shprehin qartë pikëpamjet
e tij thellësisht demokratike dhe janë si
një kronikë e jetës politike e shoqërore
shqiptare. Karakteristkat kryesore të tyre janë
mendimi i qartë dhe i mprehtë, qëndrimi
i drejtë dhe i prerë dhe reagimi i menjëhershëm
ndaj ngjarjeve më të rëndësishme
kombëtare dhe ndërkombëtare.
Noli mbajti fjalime të zjarrta para shqiptarëve
në SHBA, në Këshillin Kombëtar
të Tiranës (1920-30), në Korçë
e Vlorë, në Lidhjen Kombeve etj. Në
këto fjalime dhe artikuj trajtohen probleme të
rëndësishme siç janë ruajtja
e pavarësisë dhe e tërësisë
tokësore të Shqipërisë nga synimet
shoviniste fqinje, mbrojtja e dinjitetit të shqiptarit
dhe Shqipërisë, demaskimi i klasës
feudale dhe i monarkisë së A.Zogut, demokratizimi
i jetës së vendit, vlerësimi i figurave
të shquara të historisë e kulturës
shqiptare e botërore etj.
Forma e polemikës, kultura me të cilën
janë trajtuar problemet politike e shoqërore
bëjnë që këto shkrime të
zenë një vend krejt të veçantë
në publiçistikën shqiptare.
Kritika letrare
Shkrimet kritike të Nolit pohojnë jo vetëm
gjykimin e thellë dhe kulturën e gjerë
të Nolit, por edhe që pikëpamjet e
tij mbi artin, mbi letërsinë janë nga
më përparimtaret. Në to ndihet menjëherë
mjeshtëria e Nolit për të shprehur
qartë e thjeshtë çështje të
ndërlikuara e të diskutueshme të letërsisë
botërore. Gjatë analizave që u bën
veprave të Shekspirit, Servantesit, Ibsenit,
Omar Khajamit etj., Noli sjell gjithnjë përballë
veprës letrare përvojën jetësore
dhe ligjet e shoqërisë. Veç kësaj
ai kujdeset në gjithë shkrimet e tij kritike
që të konkludojë, duke u bërë
një jehonë e problemeve shoqërore më
aktuale botërore e shqiptare. Introduktet për
tragjedinë "Otello", "Hamlet",
"Makbeth" e "Jul Qezar" , ato
për Dramën "Armiku i popullit"
e romanin "Don Kishoti" janë jo vetëm
analiza të thella ideoartistike të këtyre
veprave, të ideve e personazheve të ndryshme,
por edhe kritika të ashpra ndaj realitetit e
shoqërisë, si edhe një aktualizim i
disa prej problemeve më të mprehta të
jetës shqiptare të kohës. Veç
introdukteve të mësipërme ai botoi
dhe shkrime të tjera kritike, ku gjithnjë
lexuesi ndien se si shkrihet në gjykimin e thellë
përparimtar, në vlerësimin nolian,
artisti, studiuesi, eruditi, sociologu, politikani,
filozofi e psikologu.
Studimet
Larminë dhe rëndësinë e veprimtarisë
së Nolit e shtojnë mjaft edhe studimet e
tij për Skënderbeun, heroin tonë kombëtar,
për figurën e madhe të Bethovenit (
"Bethoveni dhe Revolucioni Francez") etj.
"Historia e Skënderbeut"është
vepra së cilës Noli iu rikthye disa herë.
Ai e botoi atë për herë të parë
më 1921 në Boston dhe pastaj e punoi të
ripunuar anglisht më 1947 e përsëri
të ripunuar në shqip më 1949. Për
të shkruar këtë vepër Noli u mbështet
jo vetëm te Barleti, por edhe në dokumente
të reja, që mundi të gjejë pas
një pune këmbëngulëse. Skënderbeu
ashtu si për çdo patriot e artist shqiptar,
edhe për Nolin ishte figura më e dashur,
që ai e kishte adhuruar që në fëmijëri.
Ky adhurim i autorit ndihet edhe në vepër
nëpërmjet tonit të ngrohtë me
të cilin është dhënë figura
e tij. Gjatë trajtimit të momenteve kyçe
të jetës së heroit, Fan Noli ka përcaktuar
qartë marrdhëniet e tij me shtetet e Ballkanit,
sidomos me shtetet fqinjë, qëndrimin e disa
vendeve të fuqishme evropiane ndaj luftës
së Skënderbeut etj.
Gjithashtu ai ka arritur të na japë qartë
politikën e brendshme të këtij udhëheqësi
legjendar, duke theksuar meritën e madhe te tij
në formimin e një shteti të centralizuar
feudal shqiptar, gjë që në shekullin
e XV nuk ishte realizuar dot në shumë vende
të Evropës. Për të krijuar atmosferën
e kohës, për të dhënë ngjyrat
e një bote mesjetare, që kërcënonte
të shkatërronte botën evropiane si
dhe pozitën e një vendi si Shqipëria,
ku liria dhe kultura humaniste po mbyteshin nga dhuna
osmane . Noli ka thurrur e shkrirë me art të
vërtetën historike, dokumentin me gojëdhënën
e legjendën. Figura e Skënderbeut në
veprën e tij është shumë e plotë.
Ai është jo vetëm një udhëheqës
popullor, që shquhet si luftëtar e strateg,
por dallohet edhe si burre shteti e diplomat. Përshkrimet
e betejave heroike dhe të situatave të vështira
janë bërë me ngjyra të forta romantike,
gjë që i jep veprës edhe vlera artistike
dhe e bën që të lexohet me emocion.
Në këtë vepër Noli i jep rëndësi
figurës së heroit dhe rolit të tij
në histori, pa nënvleftësuar masat
.
Ribotimet e veprës e ngritën cilësisht
atë dhe punën e këtij studjuesi si
historian. "Historia e Skënderbeut"
e Nolit bashkë me veprën e Barletit mbeten
edhe sot më të mirat vepra për heroin
e madh.
Shqipërimet artistike
Noli si përkthyes i krijoi vetes një vend
nderi në letrat shqiptare. Por këtë
nuk e arriti vetëm se ai ishte njohës i
mirë i disa gjuhëve si greqisht, latinisht,
frengjisht, spanjisht, anglisht, gjermanisht, turqisht
etj. Krahas talentit për të mësuar
gjuhët e huaja, Noli njihte mire thesarin e gjuhës
amtare e gjithashtu njihte thellë kulturën
botërore dhe atë kombëtare, kishte
aftësi të tilla gjykimi dhe shije aq të
hollë sa mundi të zgjedhë e të
përkthejë vepra të shquara të
shkrimtarëve të mëdhenj botëror,
që jo vetëm e pasuronin kulturën tonë
kombëtare por edhe u bënin indirekt jehonë
shumë problemeve aktuale të realitetit shqiptar.
Punën e përkthyesit Noli e nisi si vazhdues
i traditës që kishte krijuar Kristoforidhi,
duke përkthyer disa libra të shërbesës
për nevojat e kishës shqiptare, që
posa ishte themeluar. Më pas ai përktheu
disa krijime nga Molieri e Stendali dhe më vonë
i hyri punës për përkthimin e atyre
veprave të rëndësishme që do t'a
bënin të njohur si përkthyes jo vetëm
në Shqipëri, por edhe përtej kufijve
shqiptarë, siç janë: poema "Skënderbeu"
e Longfellout , tragjeditë "Otello",
"Hamlet", "Makbethi", "Jul
Qezari", të Shekspirit, Dramat "Armiku
i popullit" dhe "Zonja Igra e Ostronit"
të Ibsenit; "Rubairat" e Omar Khajamit,
"Don Kishoti i Mançës" i Servantesit
; "Kasollja" e Ibanjezit etj.
Pothuajse të gjitha këto vepra Noli i pajisi
edhe me parathënie, ku dha gjykime kritike estetike
e filozofike me shumë vlerë. Përkthimet
e Nolit janë vlerësuar mjaft nga personalitete
të shquar të kulturës botërore.
Kështu albanologu i njohur Norbert Jokli, kur
lexoi përkthimin e "Rubairave" të
O.Khajamit nga Noli tha : "Pas përkthimit
të Filxheraldit, nuk di në ia kalojnë
përkthimeve të Fan S.Nolit ato të gjermanishtes
e të spanjishtes, që janë të dorës
së parë ".