Veprat kryesore poetike të De
Radës janë "Këngët e Milosaos",
"Serafina Topia„ dhe "Skënderbeu i
pafat". "Këngët e Milosaos„ ishte
një poemë lirko-epike, ku frymëzimi
i poetit ka qenë tepër i kulluar dhe është
arritur harmonia midis brendësisë dhe formës.
"Serafina Topia„ dhe "Skënderbeu i
pafat„ janë poema me vëllim të gjerë,
të cilave poeti u kushtoi pothuajse tërë
jetën. Në këto vepra është
forcuar epizmi dhe është rritur thellësia
e problematikës në krahasim me krijimet
e rinisë. Ideja patriotike që ishte si një
rrymë e nëndheshme tek Milosaoja këtu
ka dalë në plan të parë. Poeti
ka synuar të japë tabllo të gjera të
kohës së Skënderbeut. Skenat e betejave
alternohen me skena intime, që të jepet
kështu sa më i plotë shekulli XV në
Shqipëri. Këtu është forcuar edhe
përpjekja për ngjyrim historik… Poeti shpreh
frymën heroike të kohës në mënyrë
madhështore te "Skënderbeu i pafat",
nëpërmjet skenave të heroizmit masiv
dhe atij të veçantë, siç janë
skena e betejës së Shkodrës, skena
e vrasjes së pashait turk nga Astriti, një
trim shqiptar, dhe skena e ndeshjes së Skënderbeut
me dy tartarët. Epoka e Skënderbeut këtu
pasqyrohet në përpjestime të mëdha
vigane. Në veprimin e poemës marrin pjesë
jo vetëm individë të veçantë
me veti të jashtëzakonshme, po gjithë
kombi, si masat popullore, ashtu edhe aristokracia.
Këto poema dallohen për shkrirjen e epizmit,
lirizmit, dhe dramatizmit, këtu poeti i jep jetë
një galerie të pasur personazhesh, midis
të cilëve spikatin Skënderbeu, që
është i pranishëm në të dyja
poemat, dhe Serafina Topia, protagonistja e poemës,
"Një pasqyrë e jetës njerëzore„
që shfaqet edhe te "Skënderbeu i pafat„.
Skënderbeu mishëron idealin e udhëheqësit
-si ushtarak dhe burrë shteti,- por De Rada ndalet
edhe në anën e tij thjeshtë njerëore
të tij. Serafia Topia mishëron idealin e
gruas shqiptare dhe njëkohësisht idealin
e njeriut të zhvilluar në mënyrë
të gjithanshme. Romatizmi i De Radës merr
në këto poema ngjyra të forta, heroikja
ndërthurret me tragjiken. Problematika patriotike
(çështja e çlirimit me luftë
të armatosur, problemi i bashkimit të shqiptarëve,
çështja e udhëheqjes) në këto
poema është në qendër të
vëmendjes, por shoqërohet edhe nga një
larmi problemesh shoqërore, morale dhe filozofike,
siç janë: shfrytëzimi feudal, e drejta
e njeriut për të vendosur për fatin
e vet, çështja e së mirës dhe
së keqes, e drejta e njeriut për lumturi.
Këto probleme mishërohen te personazhe nga
më të ndryshmet. Poeti shfaq një thellësi
të veçantë zhbirimi në botën
e brendëshme të krijesave të veta.
Veçanërisht të gjalla janë figurat
e grave, si: Imotea, Agata, Frosina, Vantisana, te
"Skënderbeu i pafat"; Serafina, Evoda,
Parayllja, Olimpia te "Një pasqyrë
e jetës njerëzore".
"Skënderbeu i pafat" shkrin elementë
të eposit me elementë të poemës
kombëtare-historike dhe të poemës filozofike.
"Një pasqyrë e jetës njerëzore"është
edhe ajo origjinale për nga lloji, shkrin llojin
e poemës shoqërore-psikologjike me llojin
e poemës epiko-heroike.
Të dyja poemat kanë marrë nga poezia
popullore hiperbolizmin e figurave të kreshnikëve
dhe pasurinë e figuracionit. Vargu afrohet me
vargun e lirë.
De Rada mbetet poeti që hodhi themelet e letërsisë
me të vërtetë artistike arbëreshe,
dhe dha një ndihmesë të madhe për
tërë letërsinë kombëtare.
Ai qe i pari që ngriti në art epokën
e lavdishme të Skënderbeut. Duke pasqyruar
"Motin e madh", kohën e "Skënderbeut".
De Rada hodhi kushtrimin për luftë të
armatosur kundër zgjedhës osmane. Ai është
njëkohësisht i pari që çeli
traditën e mbështëtjes së letërsisë
arbëreshe në poezinë popullore. De
Rada qe edhe lëvruesi i parë i poemës
epiko-lirike, i novelës në vargje dhe i
poemës epike. Gjithashtu ai ka meritën që
lëvroi deri diku poemën shoqërore,
ndonëse nuk i kuptonte deri në fund kontradikatat
klasore. Poeti ka simpati për njerëzit e
thjeshtë, pasqyron me dhembje mjerimin dhe shfrytëzimin,
ka besim të madh te njeriu dhe te mundësitë
e tij, megjithatë deri diku ndikohet nga fatalizmi
dhe misticizmi, që vende-vende ia dëmtojnë
krijimtarinë nga ana ideore, madje edhe estetike.
Në thelb vepra e De Radës i përket
romantizmit përparimtar, një romantizmi
veçanërisht origjinal, që nuk i këndon
vetëm të jashtëzakonshmes, por zbulon
edhe poezinë e së zakonshmes. De Rada është
mjeshtër i stilit të përmbledhur dhe
tepër shprehës, i përdorimit të
figuracionit, që dallohet për freski dhe
ndikim të fortë emocional. Gjuha me të
cilën shprehet De Rada, është e pasur,
por disi e errët, Poeti pati një ndikim
të madh në veprat e shkrimtarëve arbëreshë
dhe një ndikim më të vogël te
shkrimtarët e tjerë të Rilindjes.