Në këtë poemë
shoqërore-psikologjike me elemente të poemës
filozofike, që u shfaq si dukuri e veçantë
në letërsinë shqiptare të kohës,
janë sintetizuar tiparet më karakteristike
të artit të Mjedës, si: fryma demokratike,
lakonizmi dhe plasticiteti. Kjo poemë është
vazhdim, shtjellim i përgjithshëm i atyre
motiveve nga jeta e fshatarëve të varfër,
që e shqetësonin Mjedën dhe njëkohësisht
pasqyrë e mendimeve të tij për jetën
njerëzore dhe lumturinë.
Në qendër të vëmendjes është
një familje e varfër malësore që
përbëhet nga nëna dhe nga dy vajzat.
Poema ndahet në tri pjesë që i përgjigjet
fatit të tre heroinave: Trinës, Zogës
e Lokes.
"Andrra e jetës" hapet me një
metaforë aq të thjeshtë sa edhe të
hijshme, të gjallë e kuptimplotë:
Molla t'kputuna nji degët,
dy qershia lidhë n'nji rrfi
ku fillojnë kufijt e gegët
rrinë dy çika me nji nanë.
Kjo metaforë jep idenë e lidhjes së
ngushtë të personazheve të veprës
dhe, njëherësh të bën të
parandjesh ndarjen e tyre. Me imtësi të
zgjedhuara, poeti na e jep të gjallë mjedisin
malësor:
U ndie një za te shtegu;
Cice, del se erdh murgjina
e mbrapa po vjen Trina
me i gjengj të sykës n'grykë!
Vajza e vogël vdes para kohe. Poeti përshkon
thellë në mendimet dhe ndjenjat e nënës,
e cila e jeton me dhembje fatkeqësinë, para
se të ngjasë, në një natë
të tmerrshme ankthi. S'ka gjë më tragjike
dhe njëkohësisht më të lartë
njerëzore, sesa skena midis Lokes dhe Zogës
pas vdekjes së Trinës; habia fëminore
e vogëlushes që s'kupton dramën në
shtëpinë e saj, dhe kujdesi i dhembshur
i nënës, e cila, duke qenë vetë
nën peshën e rëndë të dhembjes,
nuk do që ajo të rëndojë, të
bjerë në shpirtin e njomë të vajzës.
Në pjesën e dytë, që i kushtohet
Zogës, poeti ka derdhur ngjyrat më të
ndritshme, duke dashur të shprehë nëpërmjet
këtij personazhi ëndrrat e veta për
të ardhmen. Në fillim jepen ndjenjat dhe
dëshirat karakteristike për moshën
e vajzës me forcë të veçantë
psikologjike, pa sentimentalizëm, me shumë
vërtetësi dhe kthjelltësi. Ëndërrimet
rinore të Zogës realizohen. Ajo dashurohet
dhe martohet. Poeti e përcjell me këshilla
plot dhembshuri për jetën e saj të
re. Së fundi, me një këngë plot
optimizëm, na lajmëron se Zoga u bë
nënë.
Është për t'u vënë rè
se bukuritë e natyrës parakalojnë njëra
pas tjetrës, për t'ia lënë vendin
buzëqeshjes së fëmijës. Epilogun
e poemës e përbën fundi i jetës
së vështirë, plot saktifica e stoike
të Lokes që, e mbetur vetëm, thërret
vdekjen ta marrë.
"Andrra e jetës", megjithëse trajton
një rast të veçantë, pasqyron
tragjedinë e fshatarësisë shqiptare
dhe dëshirën e saj të zjarrtë
për një jetë më të mirë.
Titulli i veprës ka një kuptim të thellë.
Me këtë poeti s'ka dashur aspak të
thotë se jeta është një iluzion,
veçse jeta për të varfërit mbetet
një ëndërr e parealizuar. Poema pra,
në thelb është realiste me një
gjykim romantik. Poeti ka prekur plagë të
rënda të shoqërisë së kohës:
mjerimin që mbyste
sa e sa jetë, ende të paçelura (fati
i Trinës), zakonin patriarkal që e ndante
nënën nga e bija dhe e mbërthente të
parën pas vatrës së shuar; mospërfilljen
e shoqërisë ndaj individit (fati i Lokes).
Mbarimi tragjik i kësaj të fundit është
një protestë e heshtur. Por jo më pak
i fortë është fakti që, kur heroi
ka humbur çdo shpresë, poeti nuk e bën
të kërkojë ngushëllim në
iluzionet e jetës përtej varrit. Lokja vdes
me ndjenjën e revoltës ndaj fatit të
saj të padrejtë. Personazhet në poemë
janë të gjalla e tipike dhe kanë një
logjikë të brendshmenë përputhje
me mjedisin ku jetojnë e veprojnë. Trina
sapo është vizatuar, meqenëse edhe
në jetë nuk arrin të zhvillohet si
karakter. Ajo, sapo shfaqet, zhduket. Megjithatë
e kryen rolin e vet. Me fati e saj është
përgjithësuar fati i tërë atyrë
fëmijëve fshatarë që vdisnin para
kohe nga puna e rëndë dhe nga kushtet e
vështira të jetës.
Zogën e shohim në zhvillim: në fillim
fëmijë naive, që nuk kupton ç'ka
ngjarë kur i vdes motra, pastaj vajzë me
ëndërrimet karakteristike të moshës
së saj. Siç zbulohet edhe nga ato ëndërrime
ajo është vajzë malësore tipike,
e thjeshtë, punëtore, po edhe e aftë
për ndjenja të thella e të fuqishme,
që shokun e jetës e përfytyron "me
rrip rreth brezit, me një gjashtore e një
kacatore", pra, para së gjithash, trim.
Lokja është tipi i gruas malësore,
punëtore, vetëmohuese, nënë e
dhembshur e stoike, mbi të cilën ka rënduar
tërë barra e familjes, se burrat i shuante
pushka e armikut, hakmarrja ose kurbeti. Ajo sakrifikon
rininë që të rritë të bijat,
dhe është e lumtur, nuk jepet përpara
vështirësive të jetës (të
kihet parasysh qëndrimi me të vërtetë
burrëror me të cilin mposht vdekjen e Trinës,
kur mundohet të ngushëllohet me mendimin
e jetës së nënshtruar të gruas
në familjen patriarkale.
Mesazhi që përmban kjo figurë, është
lufta me jetën. Gjersa pati mundësi të
luftonte, ajo jetoi. Vdiq kur nuk mundi më të
japë asgjë. Dhe në fund të fundit
ajo u largua nga jeta me një fitore përderisa
e kreu detyrën e vet, e bëri të bijën
të aftë për të jetuar dhe për
t'ia përcjellë një qënieje tjetër
flakën e jetës.
"Andrra e jetës" pasqyron dashurinë
e poetit për fshatarësinë e varfër,
admirimin e tij për tiparet e larta morale të
njerëzve të thjeshtë, në veçanti
të gruas shqiptare, si edhe dhembjen për
fatin e hidhur të atyre njerëzve. Mjeda
nuk depërton në shkaqet shoqërore të
dramës së heronjve të vet, as nuk mendon
për rrugën e ndryshimit të gjendjes.
Po ai nuk pajtohet me këtë realitet të
hidhur. Njëkohësisht poeti nuk bie në
pesimizëm, ruan besimin në vlerat pozitive
të jetës, në të ardhmen. Tek "Andrra
e jetës" ka tragjizëm, po jo mohim
të jetës. Së ardhmes poeti i këndon
nëpërmjet zogës, e cila arrin të
realizojë ëndrrën e vet për lumturi,
megjithëse brenda kuadrit të ngushtë
familjar. Fati i saj merr kështu një kuptim
simbolik.
Jo më kot linja e Zogës zë vendin kryesor
të poemës. Tërë pjesa e dytë
është himni më i zjarrtë dhe bukurinë
e saj. Në mendjen e lexuesit dy tabllotë
e dhimbshme të pjesës së parë
e të fundit shkrihen në tablonë madhështore
të nënës që mban në krahë
fëmijën, simbolin e vazhdimësisë
së jetës.
Merita më e rëndësishme e "Andrrës
së jetës", e parë në kuadrin
historik, qëndron në dhënien e tablosë
realiste të mjerimit në malësinë
shqiptare. Pasqyrimi realist i gjendjes së rëndë
të malësorëve ishte në mënyrë
të tërthortë një akuzë kundër
shoqërisë së kohës.
Nga ana artistike "Andrra e jetës"
është një nga veprat më të
përsosura të poezisë sonë. Ajo
shquhet për atë thjeshtësi të
mrekullueshme të subjektit dhe të stilit
që karakterizon kryeveprat. Thellësia e
mendimit shkrihet këtu me njomësinë
e ndjenjave, analiza e mprehtë psikologjike me
forcën përshkruese. Lakonizmi është
i pashembullt: në 296 vargje jepet drama e mjerimit
dhe e paragjykimeve, himni i zjarrtë për
jetën dhe për dashurinë, skaliten tre
personazhe të paharrueshme, pikturohet me ngjyra
të forta e të qarta mjedisi malësor.
Figuracioni është sa i thjeshtë, aq
i pasur dhe kuptimplotë. Gjuha e poemës
(shkodranishtja e plotësuar me fjalë e shprehje
të krahinave përreth), është e
larme, shprehëse, e saktë, e begatë
me fjalë të rralla.
Mjeda është një poet atdhetar me prirje
të theksuara demokratike që i këndoi
lëvizjes kombëtare nga pozitat e fshatarësisë
së varfër, së cilës i përkiste
me origjinë. Nga këto pozita ai pasqyroi
edhe mjerimin e popullit. Në atë pjesë
të veprës së tij që trajton motive
shoqërore gjejmë pakënaqësi nga
realiteti i kohës, dhembje për fatin e popullit.
Bashkë me Çajupin ai dha një ndihmesë
të rëndësishme në kalimin e letërsisë
sonë nga romantizmi në realizëm.
Qe kryesisht poet lirik, i një lirizmi që
pasurohet shpesh me momente epike; dallohet si për
ndjenjën e masës, ashtu edhe për forcë
përshkruese. Poeti është edhe mjeshtër
i përsosur i vargut dhe i strofës. Në
poezinë e tij gjejmë një larmi të
veçantë vargjesh dhe një begati strofash.
Mjeda parapëlqen tetërrokëshin dhe
njëmbëdhjetërrokëshin. Tingëllimën
e lëvron me mjeshtëri të veçantë.
Mjedën e karakterizon thellësia psikologjike
në vizatimin e personazheve (Lokja dhe Zoga janë
nga personazhet më të realizuara të
poezisë sonë).
Në artin e tij shkrihen hovet e frymëzimit
me punën këmbëngulëse për
të lëmuar fjalën e për t'i dhënë
shkëlqim.