Hyrje
Sami Frashëri është
ideologu më i shquar i lëvizjes sonë
kombëtare. Si udhëheqës ideologjik,
demokrat, mendje e ndritur prej dijetari, ai mbetet
një nga personalitetet më të rëndësishëm
të Rilindjes.
Vëllai më i vogël i Abdylit e i Naimit,
ai lindi në Frashër më 1850, ku mori
edhe mësimet e para. Më 1871 mbaroi gjimnazin
"Zosimea" në Janinë, mësoi
gjuhë të vjetra e të reja dhe u pajis
me një kulturë të gjerë. Më
1872 shkoi në Stamboll për punë dhe
atje u lidh menjëherë me patriotë shqiptarë,
me Pashko Vasën, Jani Vreton, Ismail Qemalin,
Kristoforidhin, Hoxha Tasinin etj. Samiu u dallua
shumë shpejt midis tyre dhe, me formimin e shoqërisë
së Stambollit, u zgjodh kryetar i saj, ndonëse
ishte nga më të rinjtë. Gjer në
fund të jetës ai mbeti udhëheqësi
kryesor i kësaj shoqërie.
Samiu ishte njeri me horizont të gjerë dhe
dha ndihmesë të shquar për kulturën
turke. Drejtoi disa gazeta turqisht, ku mbrojti edhe
të drejtat e kombit shqiptar. Botoi në turqisht
edhe një varg veprash letrare e shkencore. Ndër
këto janë disa vepra themelore, si: i pari
fjalor i plotë etimologjik i turqishtes, si dhe
e para enciklopedi turke e historisë dhe e gjeografisë
në gjashtë vëllime. Ai shkroi në
turqisht dramën Besa me subjekt shqiptar, bëri
përkthime nga letërsia botërore etj.
Veprat e Samiut në turqisht përshkrohen
nga ide iluministe dhe godasin obskurantizmin fetar
të Perandorisë Osmane. Me to ai i sillte
ndihmesë të vlefshme mendimit përparimtar.
Duke goditur bazat e pushtetit feudal të sulltanëve
ai i ndihmonte njëkohësisht edhe popullit
të vet në luftën për liri, edhe
popullit turk në luftën për përparim.
Krijimtaria e Samiut në gjuhën shqipe është
e lidhur tërësisht me idealet e lëvizjes
kombëtare për çlirim, me nevojat
e shkollës e të kulturës kombëtare.
Pa dyshim ai është një nga themeluesit
e saj. Për shkollat e para shqipe Samiu botoi
këto vepra: "Abetare e gjuhës shqipe„(1886),
"Shkronjëtore e gjuhës shqipe„(gramatikë
e shqipes,1886) dhe "Shkronja„(gjeografia, 1888).
Hartoi edhe një fjalor të gjuhës shqipe,
që nuk i dihet fati.
|
1850 - 1904
|