Aty nga shek. VII para e. sonë
disa fise ilire si enkelejt, taulantët, molosët,
ardianët etj. kishin bashkuar, me sa duket, rreth
vehtes edhe fise të tjera ilire dhe kishin formuar
federata të veçanta. Të organizuar
në këto federata, ilirët ndërmerrnin
në këtë kohë inkursione të
largëta, qëllimi i të cilave ishte
plaçkitja. Të tilla janë p.sh. inkursionet
që kanë bërë në shek. VII
p. e. sonë enkelejtë në Delfi dhe taulantët
e udhëhequr nga bazileu Galaur në Maqedoni.
Luftat dhe plaçkitjet sollën pasurimin
dhe forcimin e federatave ilire, të cilat në
shek. V përfshinin në gjirin a tyre fise
të reja. Kështu, në federatën
e taulantëve hynë fiset e parthinëve,
abrejve, helidonëve, desaretëve etj. Në
këtë kohë veprimtaria e federatave
ilire nuk përcaktohej vetëm nga qëllime
plaçkitje. Me forcimin e tyre ato filluan të
mermin pjesë aktive në ngjarjet politike
të kohës, duke lojtur disa herë në
to një rol të rëndësishëm.
E tillë është ndërhyrja e taulantëve
në luftën sociale të Dyrrahit. më
436, e enkelejve në luftën kundër zgjerimit
të shtetit maqedon në tokat e fqinjve të
tyre lindorë, lynkestëve, më 423 etj.
Në kushtet e luftave të vazhdueshme, pushteti
i udhëheqësve ushtarakë - bazilejve,
që qëndronin në krye të federatave,
u forcua dhe u bë i trashëgueshëm.
Në këto lufta mermin pjesë të
gjithë burrat e aftë për armë,
prandaj në gërmimet arkeologjike ndër
varret e burrave armët janë gjetje e zakonëshme.
Bërthamën e ushtrisë e bënte këmbësoria.
Në armatimin ilir të shekujve të parë
mbizotëronin armët prej bronxi, të
cilat më vonë dolën nga përdorimi
dhe u zëvëndësuan nga ato prej hekuri.
Ilirët përdornin gjithashtu edhe harkun
me shigjeta. Shpatat ilire ishin të shkurtëra,
më tepër për të shpuar se sa për
të prerë. Heshtat ishin të madhësive
të ndryshme. Në varret ilire ato zakonisht
gjinden nga dy, e disa here edhe tri të vëna
njëra pranë tjetrës, gjë që
tregon se luftëtarët ilirë mbanin nga
dy ose tri heshta. Si armë mbrojtëse ishin
mburoja, parzmorja, kallçitë dhe përkrenarja.
Këto janë armë që duken aty nga
shek. VI-V para e. r. Ato nuk gjinden në varrin
e çdo luftëtari dhe, si duket, hynin në
pajisjen e parisë luftarake. Taktika që
përdornin në luftë ilirët i përgjigjej
karakterit të forcave të tyre të armatosura
dhe organizimit të tyre. Si ushtri që përbëhej
nga masa e gjerë e pjesëtarëve të
fisit të aftë per armë, ajo nuk ishte
e përshtatur per një luftë të
gjatë e të qëndrueshme. Ajo llogariste
më tepër efektin e sulmit të parë.
Ne sulm ilirët shkonin duke bërtitur dhe
vringëlluar armët, gjë që e tmerronte
armikun. Në rast se armiku i qëndronte këtij
rrebeshi atëhere po me atë shpejtësi
që fillonte sulmi bëhej edhe tërheqja.
Autorët e vjetër i përmendin ilirët
si shumë trima e guxmtarë.Të gjitha
këto tregojnë se shoqëria ilire në
shek. VII-V para e. sonë kishte hyrë në
etapat e fundit të rendit të bashkësisë
primitive. Në gjirin e saj kishin filluar të
lindnin elementet e para të shoqërisë
me klasa dhe ishin krijuar premisat per krijimin e
formacioneve shtetërore.