Faqja Kryesore  >> Historia  >> iliret
 

Historia e Shqipërisë - ilirët

   
   
   
   
   
   
   
   
   
   
   
   
   
 

 


 

Kolonitë helene në bregdetin e ilirisë

Një rol të rëndësishëm në historinë e ilirëve kanë luajtur kolonitë helene që u themeluan në bregdetin e Ilirisë. Themelimi i tyre u bë në një kohë kur në strukturën ekonomike e shoqërore të Greqisë së vjetër kishin ndodhur ndryshime të rëndësishme. Në të gjitha degët e ekonomisë, në bujqësi dhe në zejtari kishte hyrë puna e skllevërve. Marrëdhëniet e reja në prodhim, marrëdhëniet skllavopronare u vendosën në Greqi, duke filluar prej shek. VIII, nëpërmjet një lufte të ashpër sociale e politike. Për ata që pësuan disfata në këtë luftë shpesh herë nuk mbetej tjetër rrugëdalje veçse të linin atdheun e tyre. Në një gjendje të tillë ranë sidomos të varfërit, pronarët e vegjël e të mesëm, tokat e të cilëve u përqëndruan në duart e aristokracisë, dhe një numër i madh zejtarësh, puna e të cilëve filloi të zëvëndësohej me punën e skllevërve. Atdheun e lanë edhe të pasur, kundërshtarë të regjimit politik në fuqi. Kjo popullsi e shpërngulur u vendos në brigjet e detit Mesdhe dhe të Detit të Zi dhe themeloi këtu një tok kolonish. Më vonë, me zhvillimin e kolonizimit dhe me zgjerimin e tregëtisë detare inisiativën për themelime të kolonive të reja e morën edhe përfaqësuesit aktive të rretheve tregëtare e zejtare të qyteteve helene dhe nganjëherë edhe vetë shteti skllavopronar. Kolonizimi helen në bregdetin e Ilirisë është një pjesë e rëndësishme e asaj që quhet kolonizimi perëndimor helen, në të cilin një rol kryesor ka lojtur Korinthi. Ai ka filluar nga gjysma e shek. VIII para e. sonë. Në vitin 737 qytetarë të dalë nga Korinthi themeluan koloninë Korkyra në ishullin e Korfuzit. Me vendosjen e tyre në këtë ishull u krijuan kushte të favorshme për kolonizime të reja në bregun e Ilirisë. Kështu në fund të shek. VII qytetarë të Korkyrës zunë vend në bregun përkundrejt ishullit dhe ngritën këtu një koloni të re: Buthrotin (Buthroton, Butrinti i sotëm). Kjo koloni u ngrit në tokat e fisit të koanëve, mbi një kodër në breg të liqenit të Butrintit, që lidhej me detin me anë të grykës së lumit. Legjenda antike e lidh origjinën e Buthrotit me trojanë që u vendosën këtu pas shkatërrimit të Trojës. Në shek. e VII para e. sonë kodra e Buthrotit ka qënë një qendër e fortifikuar epirote. Në vitin 627 në vendin që zë afërsisht Durrësi i sotëm, u ngrit nga qytetarë të Korinthit dhe të Korkyrës një koloni tjetër helene me emrin Dyrrahi (Dyrrahion) apo siç quhet edhe ndryshe në burimet antike, Epidamn (Epidamnos). Dyrrahu, me sa duket, quhej pjesa e poshtme e qytetit gjatë bregut të detit, kurse Epidamn kodra e tij. 39 vjet me von, më 588, koloniste të tjerë themeluan Apolloninë, në kodrën e fshatit të sotëm Pojan të Fierit. Kolonia lidhej me detin me anë të Vjosës, rrjedhja e poshtme e së cilës ishte e lundrueshme. Ka shumë të ngjarë që Apollonia të jetë ngritur jo nga qytetarë helenë të ardhur drejt per së drejti nga Greqia ose Korkyra, por nga Dyrrahu, të cilët gjatë kohës i kishin njohur mirë viset ilire dhe kushtet për vendosjen e një kolonie të re. Në favor të këtij mendimi flasin edhe lidhjet e ngushta dhe të vazhdueshme që mbajtën më vonë këto dy koloni në mes të tyre. Dyrrahu dhe Apollonia u vendosën në tokat e fisit ilir të taulantëve. Kolonistët zunë këtu vend në qëndra të banuara më parë nga ilirët. Vetë emri Dyrrah dhe emri tjetër paralel Epidamn janë me prejardhje ilire. Shkrimtari i vjetër Stefan Bizantini na njofton gjithashtu se Apollonia u ngrit pranë një qendre të banuar me parë nga ilirët. Këte e kanë vërtetuar tani edhe zbulimet arkeologjike. Afërsisht në një kohë me Apolloninë duhet të jetë themeluar edhe kolonia e katërt helene në bregun e Ilirisë, Oriku, (Orikum), në Pashalimanin e sotëm të Vlorës. Të gjitha këto koloni u vendosën në vende të mbrojtura nga natyra dhe me limane të përshtatëshme. Prapa tyre shtrihej një hinterland i pasur me prodhime bujqësore e blegtorale. Më e rëndësishmja ndër to u bë Dyrrahu, pastaj Apollonia. Buthroti, duke qenë afër Korkyrës së fuqishme nuk pati mundësi të zhvillohej në shkallën e këtyre të tjerave. Gjithashtu edhe Oriku mbeti një koloni a vogël. Në shek. IV para e. sonë u themeluan edhe koloni të tjera si Lisi (Lissos, Lezha e sotme). Fari (ishulli Hvar), Isa (Vish) dhe Korkyra e Zëzë (Korcula), në bregun dalmatin, porse këto nuk kanë pasur rëndësinë e kolonive të para.

ilirët


 

 

PËRSHTYPJET  ::  KUSH JEMI  ::  KONTAKTO  ::  FORUM  ::  CHAT

Albanian Network Group - 2003