Dijetarët kanë kohë që
merren me problemin e prejardhjes së ilirëve,
megjithatë ata akoma nuk i kanë dhënë
një zgjidhje të kënaqëshme kësaj
çështje. Që prej mezit të shekullit
të XIX e këtej, në letërsinë
historike e gjuhësore janë çfaqur
mendime të shumta, të cilat në fund
të fundit mund të përmblidhen në
dy teza themelore: në tezën që ilirët
i bën të ardhur në Gadishullin Ballkanik
dhe në tezën tjetër, që i konsideron
autoktonë. Sipas Përkrahësve të
tezës së parë, nga fillimi i mijëvjeçarit
të II Gadishulli Ballkanik pësoi nga ana
e Danubit dyndje të forta fisesh të ndryshme
me gjuhë indoevropiane. Dyndjet e para filluan
me helenët. Pas tyre erdhën thrakët
e ilirët. Duke shtyrë njëri tjetrin,
aty nga fundi i mijëvjeçarit të II,
lëvizjet e tyre morën fund dhe ata e vendosën
afërsisht në këtë mënyrë:
në jugë të gadishullit - helenët;
në lindje - thrakët; në perëndim
ilirët. Këta të fundit kaluan edhe
Adriatikun dhe u vendosën në Italinë
e jugut kurse nëpërmjet territorit thrak
grupe të shkëputura arritën gjer në
Azinë e Vogël. Teza e dytë, e cila
në fillim u duk shumë modeste, kohët
e fundit është duke gjetur mbështetje
në zbulimet e reja të bëra në
qytezat ilire të Ptujit, Turbetit, Zecevos në
Slloveni, Bosnjë e Hercegovinë. Gërmimet
treguan këtu se shtresa e mbeturinave të
kulturës së vonë neolitike dhe të
herëshme të bronxit, që njihet me emrin
kultura sllavone, hyn dhe përzihet me shtresën
më të lartë, ilire. Midis gjetjeve
më interesante janë format kalimtare që
lidhin qerarmkën sllavone me atë ilire.
Kundërshtarët e kësaj teze, që
janë në të njëjtën kohën
edhe përkrahësit e tezës së vjetër,
e vënë në dyshim këtë gjë
duke iu referuar materialeve të tumulave të
Glasinacit në Bosnjë. Në Glasinac,
i cili me të drejtë tani për tani është
qëndra arkeologjike më tipike e qytetërimit
ilir, fillimet e kulturës ilire i kemi vetëm
që nga mezi i epokës së bronxit, d.m.th.
rreth viteve 1500-1400 p. e. s.. Më herët
ajo nuk shkon dhe asnjë lidhje me kulturat më
të lashta nuk është mundur të
vendoset. Që nga mesi i mijëvjeçarit
të II para e. sonë kultura ilire e Glasinacit
zhvillohet, përkundrazi, pa ndërprerje,
deri në kohën e vonë antike, bile edhe
më pas, në mesjetë. Kështu, ndërsa
stratigrafia e gjetjeve të Ptujit, Turbetit e
Zecovos flet në favor të autoktonisë
së ilirëve, objektet e tumulave të
Glasinacit nuk e mbështetin dot këtë.
Për kundrazi ato japin paralelizma me objekte
të Evropës qëndrore, zonë të
cilën përkrahësit e tezës së
parë e konsiderojnë si një rreth kultural
të kohës së zhvilluar të bronxit,
nga i cili në fazat e mëpastajme formohen
kultura të reja, midis tyre edhe ajo ilire. Siç
shihet problemi mbetet akoma i pazgjidhur. Megjithatë
nga të dy tezat kundërshtare ajo e autoktonisë
ka meritën se tërheq vëmendjen mbi
materiale të cilat, megjithse të pamjaftueshme,
hedhin një fare drite të re mbi problemin
e gjenezës së ilirëve dhe formojnë
një nxitje për kërkime të reja.
Në kundërshtim me përkrahësit
e tezës së parë ata nuk kënaqen
me paraqitjen tradicionale të çështjes.