Në shekullin XVIII në Shqipëri
lindi dhe u zhvillua një rrymë letrare me
tipare tepër origjinale për vendin tonë,
rryma e bejtexhinjve (nga fjala turke <<bejte>>
- vjershë). Ajo u bë dukuri e rëndësishme
dhe pati përhapje shumë të gjerë
në qytete të ndryshme të Shqipërisë,
në Kosovë, por edhe ne qendra më të
vogla fetare e më pak në fshat.
Rryma letrare e bejtexhinjve ishte produkt i disa
kushteve të veçanta historike, i dy palë
faktorëve të kundërt.
Nga njëra anë ishte kërkesa për
të shkruar shqipen si gjuhën e vendit, për
ta përdorur edhe në praktikën fetare
e për t'u çliruar nga ndikimet e kulturave
të huaja. Kjo ishte më tepër prirje
e shtresave që lidheshin me format e reja ekonomike,
(tregtare e monetare). Nga ana tjetër, është
shtimi i trysnisë ideologjike të pushtuesit.
Nëpërmjet fesë dhe kulturës islame
synohej të arrihej nënshtrimi i shqiptarëve.
Pushtuesi hapi këtu edhe shkollat e veta. Shumë
poetë bejtexhinj kishin mësuar në to.
Natyrisht, Krijimtaria poetike e bejtexhinjve ruan
ndikimin e poezisë e të kulturës orientale,
por ajo është pjesë e pandarë
e kulturës së popullit tonë. Ajo është
shprehje e talentit, e shpirtit krijues të tij,
që, në kushte të caktuara, fitoi edhe
tipare në përpothje me to.
Bejtexhinjtë e shkruan shqipen me alfabet arab
dhe përdorën një gjuhë të
mbytur nga fjalët persiane, turke e arabe.
Letërsia e bejtexhinjve pati dy faza në
zhvillimin e saj. Faza e parë shkon gjer nga
fundi i shekullit XVIII. Në veprat e kësaj
faze më tepër gjeti shprehje fryma laike,
kurse në veprat e fazës së dytë,
që nis nga çereku i fundit i shekullit
XVIII dhe kapërcen në shekullin e XIX, mbizotëroi
tema me karakter fetar.
Në krijimet me tema laike mjaft poetë bejtexhinj,
në frymën e poezive orientale, i kënduan
dashurisë, bukurisë së natyrës
e të gruas, lartësuan virtytin, punën,
diturinë ose fshikulluan mburrjen e kotë
për pasurinë e fisin, goditën ambicjen,
hipokrizinë etj. Të tillë ishin Nezim
Frakulla, Sulejman Naibi, Muhamet Kyçyku etj.
Një hap i mëtejshëm u shënua me
mjaft krijime të disa bejtexhinjve të tjerë,
si: Hasan Zyko Kamberi, Zenel Bastari e ndonjë
tjetër. Ata pasqyruan elemente e ngjarje të
jetës bashkohore dhe shtruan një problematikë
të mprehtë shoqërore. Me nota realiste,
ata vunë në dukje jetën e vështirë
plot vuajtje të masave të varfra të
popullit, pasigurinë për të ardhmen
dhe pakënaqësinë e tyre në kushtet
e sundimit feudal, në shthurrje e sipër.
Në vjershën "Tirana jonë si mësoi„
Zenel Bastari, fshatar nga Bastari i Tiranës,
jep një tablo të tillë të gjendjes
së popullit.
Ymrin(jetën) na e kanë shkurtue
Po na shtrydhin porsi rrush,
bytym kalbi(krejt zemra) na u coptue,
me vner shpirti u mbush.
Bukë pa bukë po rrojnë fakirat,(të
varfërit, të shkretët)
Pa opinga, zbathë e zhveshë;
vetë janë mbulue me gjithë të
mirat,
si katilët rrinë tue qeshë.
Letërsia e bejtexhinjve nuk arriti të ngrihet
në shkallën e letërsisë kombëtare.
Megjithatë, bejtexhinjtë me krijimet e tyre
dhanë një ndihmesë që duhet çmuar.
Ata shkruan shqip në një kohë kur shqipen
e kërcënonte rreziku nga përhapja e
gjuhës së pushtuesit dhe e gjuhëve
të tjera. Ata krahas temës fetare, ishin
të parët që trajtuan gjerësisht
temën laike.
Gjithashtu dia prej tyre duke qenë më afër
jetës së popullit, futën në poezi
elemntë të jetës së kohës.
Këta trajtuan tematikën shoqërore me
nota realiste dhe me një sens kritik të
fortë.
Së fundi, me krijimet e bejtexhinjve poezia shqiptare
bënte një hap përpara nga ana artistike.
Në to shpesh gjejmë mjete shprehëse
e figurative shumë të goditura, vlera të
vërteta artistike. Poetët bejtexhinj morën
edhe nga mjetet e traditës poetike të vendit;
p.sh. vargun tetërrokësh; që e bënë
vargun bazë dhe që e përdorën
të gjithë. Veprat e bejtexhinjve mbetën
në dorëshkrim. Ato u përhapën
përmes kopjimit me dorë ose me anë
të traditës gojore.
Numri i autorëve të letërsisë
shqiptare me alfabet arab është shumë
i madh. Ata krijuan në qytete mjaft të zhvilluara
për kohën, si në Berat, Elbasan, Shkodër,
Gjakovë, Prishtinë por edhe në vende
më të vogla; si në Kolonjë, Frashër,
Konispol e gjetkë.
Ndër bejtexhinjtë, më kryesorë
po përmendim Nezim Frakullën, Sulejman Naibin,
Dalip e Shahin Frashërin, autorë të
dy historive fetare të vjershëruara, Hasan
Zyko Kamberin, Zenel Bastarin, Tahir Gjakovën
etj. Shumë i njohur u bë edhe Murat Kyçyku
(Cami), përkthyes i ndonjë vepre fetare
nga arabishtja dhe autor i disa tregimeve të
gjata në vargje. Nga këto përmendim
poemën "Erveheja„ , me temë nga letërsitë
orientale e me natyrë moralizuese. Me këto
vepra Kyçyku i çeli rrugën poezisë
me subjekt.
Rryma letrare e bejtexhinjve e humbi peshën e
saj në jetën kulturore qysh nga fillimi
i shekullit të XIX, por në disa mjedise,
si në Kosovë, kjo traditë vijoi edhe
më tej nga autorë të tillë si
Maliq Rakoveci, Rexhep Voka etj.