Faik Konica u mor edhe me tregime,
prej të cilëve vlen të përmendet
cikli "Katër përralla nga Zullulandi".
Tema që ai trajton në të, është
origjinale me një subjekt disi të veçantë
dhënë në një plan, kryesisht satirik.
Ngjarjet dhe personazhet e çojnë lexuesin
në Afrikë, por disa nga problemet dhe shqetësimet
nuk janë të huaja për shoqërinë
shqiptare të kohës. Ai tregon për Zullutë,
për një popull të prapambetur të
Afrikës, të shtypur nga kolonizatorët
e huaj, që ndodhet në një nga udhëkryqet
e historisë së tij. Bijt e tij më të
mirë aspirojnë e përpiqen për
një jetë të lirë dhe shtet të
pavarur. Por rruga drejt lirisë së vërtetë
nuk është aq e lehtë, aq më tepër
për popullin e Zullulandit që, ndonëse
plot energji dhe kulturë origjinale, nuk e ka
fituar plotësisht ndërgjegjjen kombëtare.
Ai është në kërkim të udhëheqësve
të vet, që do t'i prijnë në luftë,
dhe kjo përbën boshtin e veprës. Lëvizja
e zulluve ka nxjerrë dy udhëheqës të
mundshëm, të cilët qëndrojnë
në pozita krejt, të kundërta. Deni-Zulla-Sepia
dhe Plugu. I pari është një politikan
aventurier, mashtrues e demagog, përfaqësues
i interesave të ngushta të tribuve, që
bën lojën e të huajve dhe përpiqet
për një lëvizje të ngushtë
mbi baza fisnore që e mban popullin në skllavëri.
I dyti Plugu është udhëheqësi
i vërtetë i popullit; që pa bujë,
me një mençuri të heshtur synon e
punon të krijojë një lëvizje të
vërtetë kombëtare në Zulluland.
Ai përpiqet t'i kthejë "zullutë
nga një turmë e përgjakur në një
komb me dinjitet dhe atdheun në një vend
të bashkuar, të lirë, të qytetëruar
e me nder". Vetë emri Plug i heroit të
veprës është kuptimplotë, përderisa
kërkon e lufton të plugojë mendjen
e popullit të paditur, të zgjojë e
ta drejtojë atë në rrugëë
të mbarë. Mirëpo njerëzit e vendit
të tij nuk e kuptojnë, nuk e besojnë,
madje e fyejnë dhe e kërcënojnë,
janë gati ta ndëshkojnë. Autori vë
në dukje dramën e këtij idealisti të
pastër dhe besnikërinë e tij ndaj ineresave
të atdheut. Skenat masive, debatet në kuvendet
e krerëve, manifestmet plot zhurmë e bujë
të turmave theksojnë pozitën dhe gjendjen
e rëndë shpirtërore të Plugut.
Konica si njohës i historisë së popujve
dhe psikologjisë së njerëzve ka kapur
me mprehtësi dhe e ka kthyxer në objekt
trajtimi artistik një dukuri historiko-sociale:
ekzistencën e turmës si një masë
e pavetëdijshme e zhveshur nga aspirata kombëtare,
e pushtuar nga instikte shkatërruese. Një
masë e tillë, në jetën e popujve
të pazhvilluar siç paraqiten zullutë,
bëhet lehtë pre dhe viktimë e demagogëve
dhe sharlatanëve politikë, e njerëzve
si Sepia që i shfrytëzon për qëllime
të mbrapshta. Turma e ndërsyer, përshkruhet
nga shkrimtari nëpërmjet situatave tragjikomike,
që arrijnë kulmin, kur Plugu tregon të
vërtetën dhe masa ngrihet kundër tij.
Tregimi mbyllet me një mendim skeptik, kur Plugu,
i dëshpëruar, pohon: Desha të lëroj
shkëmbin. Dhe prej këtij çasti ai
braktis atdheun dhe merr rugën e mërgimit.
Mesazhi i veprës është ky: të
punohet për ta ngritur popullin, për ta
ndërgjegjësuar, për ta pluguar mendjen
dhe vetëdijen e tij, në mënyrë
që të dallojë të vërtetën
nga gënjeshtra, të mirën nga e keqja.
Në këtë vështrim, rol të
veçantë i jepet punës, si faktor
zhvillimi dhe emancipimi në jetën e njeriut
dhe të shoqërisë.
"Katër përralla nga Zullulandi"
është një vepër me vlera të
spikatuara ideoartistike. Falë mjeshtërisë
narrative dhe sensit të masës autori arrin
të krijojë atmosferën e jetës
politike, të zbulojë mekanizmin e luftës
që zhvillohet, të japë patosin e saj,
veçanërisht të vizatojë me penelata
të sigurta figurat e udhëheqësve dhe
të turmës. Nga ana tjetër, të
derdhë humorin e tij të hidhur, të
stigmatizojë hidhur të keqen me satirë
dhe sarkazmë, të rrëfejë e të
përshkruajë me një gjuhë të
shkathët karakterizuese dhe lakonike.