Veprimtarinë e tij publiçistike
e letrare F.Konica e zhvilloi kryesisht në shtyp,
në revistën "Albania" ai botoi
vjersha, proza poetike, skica, tregime, portrete,
ese, artikuj të ndryshëm etj. Përgatiti
dhe përmbledhjen letrare "Kandili i kuq",
por nuk mundi ta botojë. Në të vërtetë
nga Konica nuk kemi asnjë libër të
botuar, me përjashtim të vëllimit me
përralla të përkthyer "Nën
hijen e hurmave"(1924). Krijimtaria e tij ka
mbetur e shpërndarë në shtypin e kohës
dhe një pjesë është e papërfunduar.
Prej tyre duhen veçuar si vepra të rëndësishme
proza e gjatë satirike, "Doktor Gjilpëra
zbulon rrënjët e dramës së Mamurasit",
cikli i tregimeve "Kater përralla nga Zullulandi",
udhëpërshkrimi "Shqipëria si m'u
duk…". Ai la në dorëshkrim anglisht
veprën "Shqipëria - kopshti shkëmbor
i Evropës jug-lindore" dhe ese të tjera,
e cila u botua pas vdekjes (1957).
Në trashëgimninë e Konicës vendin
kryesor e zë publiçistika. Ai paraqitet
si një nga themeluesit dhe mjeshtrit e publiçistikës
shqiptare. Për afro gjysëm shekulli ai shkroi
me qindra artikuj, pamflete, polemika, shënime,
ese etj. të cilat i botoi në organet që
drejtonte vetë. Tema qëndrore e publiçistikës
së Konicës në revistën "Albania"
do të jetë ajo atdhetare, problemet e lëvizjes
kombëtare, fati i Shqipërisë, rrugët
për çlirimin kombëtar etj. Nga ana
tjetër, ai do t'i kushtojë vëmendje
të posaçme ndriçimit të historisë
së popullit shqiptar, zbulimit dhe propagandimit
të vlerave të tij etno-kulturore, e veçanërisht
krijimit të një gjuhe letrare shqipe.
Pas shpalljes së Pavarësisë publiçistika
e Konicës, e botuar në gazetën "Dielli",
do të merret me çështje të mprehta
të kohës që lidheshin me aspiratat
e përpjekjet për krijimin e një shteti
modern shqiptar, me luftën kundër prapambetjes
ekonomiko-sociale, me stigmatizimin e mendësive
dhe praktikave të vjetra e anakronike etj. Ai
ishte për një shoqëri shqiptare të
emancipuar dhe kërkonte që Shqipëria,
si pjesë e Evropës, të mendonte e të
punonte në shembullin e saj.
Publiçistika e Konicës shquhet jo vetëm
për problematikën e pasur, por edhe për
nivelin e lartë mjeshtëror. Ajo karakterizohet
nga patosi atdhetar dhe nga shqetësimi qytetar,
siç dallohet edhe për forcën e argumentimit
dhe aftësitë e shquara shprehëse. Tipari
kryesor i saj është fryma satirike, fryma
stigmatizuese dhe mohuese ndaj prapambetjes, injorancës,
së keqes.
Faik Konica është krijuesi i kritikës
sonë letrare, që së bashku me Nolin
i hapën rrugën asaj në kulturën
shqiptare. Ai shkroi një varg artikujsh teorikë
letrarë si "Arti i të shkruarit",
"Ca këshilla për artin e shkrimit",
"Kohëtore letrare shqipe" etj. të
cilat shënonin një kontribut për orientimin
dhe zhvillimin e letërsisë shqiptare. Por
ndihmesa e tij në këtë fushë bëhet
më konkrete me artikujt dhe reçensionet
që boton për autorë dhe vepra të
letërsisë sonë bashkëkohore. Kështu
ai vlerëson lart shkrimtarë si Jeronim De
Rada, Jul Variboba, Naim Frashëri, inkurajon
autorët e rinj të kohës, Çajupin,
Asdrenin, Filip Shirokën etj.
Faik Konica kishte kërkesa të larta ndaj
letërsisë dhe shkrimtarëve. Duke i
vështruar në raporte të drejta përmbajtjen
dhe formën, si dy komponentë që s'mund
të ndahen nga njëri-tjetri, ai i jepte përparësi
formës si e vetmja mënyrë për
të shprehur sa më mirë përmbajtjen.
Në këtë vështrim i kushtonte rëndësi
të madhe gjuhës shqipe, pasurimit dhe përpunimit
të saj. Ai vetë dha shembullin e një
mjeshtri të vërtetë të gjuhës.
Me të drejtë Noli e quan atq "kryelëronjësi
i gjuhës sonë" dhe "stilist i
përkryer".
Faik Konica zë një vend të merituar
në letërsinë tonë të Rilindjes
dhe të Pavarësisë, jo vetëm si
publiçist dhe kritik letrar, por edhe si shkrimtar
me individualitet të spikatur krijues. Megjithëse
trashëgimnia e tij e mirëfilltë letrare
është e kufizuar, ai ka vepra me vlera të
çmuara. Pena e talentuar e Konicës provoi
me sikses dhe lëvroi pothuaj gjithë gjinitë
dhe llojet letrare, prozën e poezinë skicën
dhe skeçin, prozën poetike dhe prozën
historike, tregimin dhe novelën. E frymëzuar
nga historia dhe jeta shqiptare ai u përpoq të
krijonte një letërsi me koncepte bashkëkohore,
me vizion të ri, me shije të lartë,
larg modeleve të vjetëruara:
Vepra e tij letrare me nivelin e saj të lartë
artistik dëshnon atë të vërtetë
tanimë të njohur se në art nuk është
kurdoherë sasia ajo që përcakton vlerën
e një shkrimtari.
Faik Konica, në radhë të parë
është prozator, por ai shkroi edhe poezi,
sidomos në fillimet e krijimtarisë së
vet. Në faqet e revistës "Albania"
botoi vjershat "Gjuha jonë", "Flamuri",
"Kushtrimi ose Marsejeza e shqiptarëve".
Duke u bërë jehonë ideve atdhetare
dhe kryengritjeve të popullit shqiptar në
prag të Pavarësisë, me tone luftarake
dhe patos atdhetar, me figura të goditura retorike,
eci në traditën e letërsisë së
Rilindjes. Të njohura janë dhe vjersha satirike
"Anadollaku" dhe lirika "Helena e Trojës".
Proza artistike e F.Konicës do të nisë
me një varg prozash poetike si "Një
liqen", "Anës liqenit", "Bora",
"Malli i mëmëdheut" etj. Sadoqë
me tematikë të kufizuar ato pasqyrojnë
tërthorazigjendjen shpirtërore të një
intelektuali atdhetar dhe mallin për vendlindjen.
Të shkruara me një gjuhë të bukur
e ndjenjë të hollë, me mbresa e detaje
të goditura, këto proza mbeten shembuj,
në llojin e tyre në letërsinë
tonë. Të përafërta me prozat poetike
qëndrojnë portretet letrare që krijoi
Konica mbi disa figura të shquara të historisë
shqiptare si: Abdyl Frashëri, Naim Frashëri,
Jeronim De Rada, Ali Pashë Tepelena, At Shtjefën
Gjeçovi etj. Ato dallohen për aftësinë
e autorit në përvijimin e saktë dhe
të hijshëm të karakterit të tyre,
portretit shpirtëror e fizik të dhënë
qartë dhe në mënyrë lakonike.
Prozës së shkurtër të F.Konicës
i takojnë dhe disa skica letrare dhe rrëfenjëza
që ai i quan përralla si "Urika",
"Në dritë të hënës",
"Ai që ishte gati të vdesë për
Shqipërinë" etj. me tematikë atdhetare
ose përrallat "E bija e mbretit dhe trëndafilat",
"I urti i malit" etj. shkrime këto
plot fantazi nga bota e legjendave.
F.Konica është i pari që lëvroi
në prozën tonë esenë, një
lloj letraro-publiçistike, me mundësi
të reja shprehëse. Nëpërmjet tyre,
ai parashtroi mendime origjinale, ngriti probleme
të rëndësishme, të kohës,
tregoi për diturinë e gjerë që
zotëronte. Një nga esetë më të
bukura është "Jeta dhe librat",
ku, duke dhënë gjykime për vlerën
e librit në jetën e njerëzimit, i bëhet
një analizë ideo-artistike tragjedisë
së Eskilit "Prometeu i lidhur".
Në trajtë esesh Konica ka shkruar veprën
"Shqipëria- kopshti shkëmbor i Evropës
Juglindore". E hartuar për lexuesin e huaj,
shkrimtari i jep atij një encikolopedi të
vogël për Shqipërinë dhe popullin
e saj. Të dhjetë esetë, nga të
cilat përbëhet libri përbëjnë
një mozaik të historisë dhe kulturës
shqiptare, të gjuhës e të letërsisë,
të botës shpirtërore dhe psikologjisë
së shqiptarëve. Me një informacion
të gjerë dhe njohje të thellë,
duke harmonizuar objektivitetin shkencor me një
rrëfim të këndshëm autori nxjerr
në pah individualitetin dhe natyrën e popullit
shqiptar jo vetëm parë në vetvete,
por edhe në kuadrin ballkanik dhe evropian.