Ndër fiset më të përmendura
ilirie janë taulantët, adrianët, dardanët,
dalmarët, albanët, penestët, molosët,
kaonët, thesprorët etj.
- TAULANTËT: Banonin në zonën
e Adriatikut, që nga lumi Vjosa, deri në
prapatokën e Dyrrahut. Ky fis luajti një
rol shumë të rëndësishëm
në historinë ilire të shek. IV-III
p.K., duke u vënë në krye të shtetit
ilir, të cilin e kishin krijuar më parë
enkelejtë. Në trevat e taulantëve më
vonë shfaqet fisi i Albanëve dhe i Parthinëve.
- ENKELEJTË: Banonin në krahinat
përreth liqenit të Ohrit. Ata krijuan dinastinë
e parë të Mbretërisë Ilire, në
fund të shek. V p.K. Një nga qytetet e tyre
kryesore ishte Enkelana. Pas shek. IV ata nuk përmenden
më. Në trevat e fisit të enkelejve
përmenden edhe dasaretët. Enkelejtë
kanë qenë peshkatarë të zotë.
- DASARETËT: Janë një fis i
madh në Ilirinë Juglindore. Njiheshin në
lashtësi sidomos për prodhimin e drithërave
të bukës. Një qytet me të njohura
ishte Pelioni (qyteza në Selcë të Poshtme
të Pogradecit). Qytet tjetër i madh i këtij
fisi ishte edhe Antipatra (Berati).
- ALBANËT: Banonin në prapatokën
e qytetit të Dyrrahut. Kryeqendra e tyre ishte
Albanopoli (Zgërdheshi i Krujës). Fisi i
albanëve i dha emrin e vet shqiptarëve,
gjatë mesjetës së hershme, kur ata
njihen si albanë, arbër.
- ARDIANËT: Fillimisht shtriheshin rreth
gjirit të Rizonit dhe të lumit Neretva.
Ardianët e shtrinë pushtetin e vet në
të gjitha krahinat e tjera që më parë
ishin nën sundimin e taulantëve. Ardianët
luajtën një rol shumë të madh
në luftërat kundër pushtusve romakë,
gjatë shek.III-II p.K., në kohën kur
sundoi dinastia ardiane e Mbretërisë Ilire.
Kryeqendra e ardianëve ishte Shkodra.
- DARDANËT: Ishin fisi më i madh
ilir që u vu në krye të Mbretërisë
Dardane, në Ballkanin Qendror, kryesisht në
Kosovë. Dy fise të tjera dardane të
njohura ishin thunatët dhe galabrët. Qyteti
më i rëndësishëm i dardanëve
ka qenë Damastioni, i njohur si kryeqendër
e nxjerrjes së metaleve. Dardanët përmendën
si luftëtarë të fortë xehtarë
shumë të mirë, blegtorë dhe tregtarë
të njohur.
- DALMATËT: Banonin në brigjet e
Adritikut. Ishin blegtorë të njohur; shquheshin
për punimin e llojeve të ndryshme të
veshjeve prej liri e leshi. Veshja e njohur me emrin
dalmatika në shekujt e parë u përdor
edhe nga aristokracia romake, prej nga kaloi edhe
në veshjen rituale kishtare. Qyteti më i
njohur i tyre ka qenë Delmini.
- PENESTËT: Banonin në luginën
e Drinit të Zi e përreth saj. Përmenden
për herë të parë në vitet
170-169 p.K. Luajtën rol të rëndësishëm
në Luftën e Tretë Ilire- romake. Përfshiheshin
në Mbretërinë Ardiane. Kishin 14 qytete
e kështjella, ndër të cilat përmendën
Uskana, Oeneu, Draudaku etj. Meqenëse pranuan
garnizone romake në qendrat e tyre,maqedonasit
ua shkretuan vendin.
- MOLOSËT: Janë një nga tri
fiset kryesore qe banonin në qendër të
Epirit antik dhe që luajtën një rol
shumë të rëndësishëm drejtues
në historinë e lindjes dhe të formimit
të shtetit të Epirit.
- KAONËT: Ky fis epirot kishte shtrirje
të gjërë, që nga lumi Thyamis
(sot lumi Kallama), deri në luginë e Drinosit,
në Gjirokastër, Kryeqendra e kaonëve,
Foinike (Finiqi i Sarandës), në shek.III
p.K. u bë kryeqendra e gjithë shtetit të
Epirit. Qytet tjetër i madh i kaonëve ishte
Antigonea (Saraqinishti i Gjirokastrës).
- THESPORTËT: Banonin në Epir, në
jug të lumit të sotëm Kallama, deri
në gjirin e Ambrakisë. Përmenden në
shkrimet e lashta që nga shek. V.p.K., si fis
që sundoheshin nga dy kryetarë të zgjedhur
çdo vit nga gjiri i parisë.