Sofokliu, së bashku me Eskilin
dhe Euripidin, janë tre poetët më të
mëdhenj të tragjedisë greke. Jetoi
në periudhën e lulëzimit të qytetit-shtet
të Athinës.
Lindi më 497 para erës së rè,
në një fshat piktoresk afër Athinës,
në Kolonë, bukuritë e të cilit
i këndoi me frymëzim në vargjet e tragjedisë
së tij të fundit "Edipi në Kolonë":
"Kolona dritëplotë/ ku zëëmbël
bilbil/ këndon në pyllin gjetheblertë,/
ku fryn me gaz flladi i freskët,/ edhe hardhia,
dhunti e Bakut/ fruta të bollshme na sjell".
Që i ri, Sofokliu mori një edukatë
shumë të mirë në pregatitjen fizike
dhe mendore, ashtu siç e kërkonte tradita
e epokës. Për bukurinë fizike dhe aftësitë
e tij muzikore e letrare, në moshën 17 vjeçare
u zgjodh të drejtonte korin e të rinjve
që do të këndonte me rastin e fitores
së grekëve kundër ushtrisë përse
pranë ishullit të Salaminës, në
vitin 480. Kjo, dhe fitore të tjera përpara
dhe pas luftës së Salaminës, betejat
kundër dërgatave të njëpasnjëshme
ushtarake të monarkisë përse, ngritën
lart shpirin e popullit të vogël trim e
liridashës të Athinës dhe zgjuan vetëdijen
e tij për nevojën e bashkimit, në mbrojtje
të çështjes së përbashkët
për ta ndier veten si një forcë e vetme
politike e kulturore.
Sofokliu mori pjesë në konkurset tradicionale
më tepër se njezet herë, tetëmbëdhjetë
herë zuri vendin e parë dhe më të
rrallë të dytin, asnjëherë vendin
e tretë. Nuk udhëtoi kurrë jashtë
atdheut të tij, Atikës, që e donte
aq shumë sa që shtyu çdo lloj ftese
që i bënin sundimtarët e ndryshëm
për ta pasur në oborret e tyre.
Pas shfaqjes së tragjedisë "Antigona"
në vitin 442, Sofokliu u bë kaq i njohur
dhe i dashur, saqë u zgjodh midis strategëve,
së bashku me udhëheqësin e shtetit
të Athinës, Perikliun, për të
drejtuar flotën athinase kundër ishullit
Samos. Por gjatë kësaj dërgate poeti
nuk u shqua si strateg. Madje edhe vetë e pranonte
se nuk kishte aftësi të veçanta në
punët e luftës dhe të politikës.
Sofokliu pëlqeu më tepër t'i kushtohej
dijes dhe artit, të ruante qetësinë
shpirtërore, larg joshjes për të marrë
ofiqe politike. Me mendje të freskët e të
kthjellët ai jetoi 91 vjet. Vdiq më 406
para erës së Re. (1)