Një vend të vëllimshëm
në krijimtarinë e Fishtës zë dramaturgjia.
Ai shkroi drama, drama lirike (melodrama) dhe tragjedi.
Në dramat dhe tragjeditë konflikti është
i ndjeshëm. Tonet që i përshkrojnë
janë ato heroike. Personazhet dhe karakteret
arrihen të skaliten. Në dramat lirike dialogu
është më tepër mjet organizues
i jashtëm sesa element ndërtues i brendshëm
që t'i japë mundësi zhvillimit të
veprimeve dhe ashpërsimit të konflikteve.
Përsa i përket mjeshtërisë artistike,
zotërojnë po ato cilësi që i mishëron
edhe krijimtaria poetike. E gjithë dramarturgjia
e Fishtës është e shkruar në vargje.
Tema e atdhedashurisë është në
qendër të pjesës më të madhe
të veprave: në dramat "Odisea"
dhe "Kthimi i Uliksit në Itakë",
në dramat lirike: "Shqyptari i qytetnuem",
"Shqyptarja e qytetnueme", "Jerina
ose Mbretëresha e Lulevet", e sidomos tragjedinë
"Juda e Makab", e cila çmohet si
vepra më e mirë dramaturgjike e Fishtës.
Tema biblike, e pastrimit shpirtëror të
njeriut në luftë me veset për hir të
virtyteve dhe të amshuesmërisë së
qenies njerëzore është në qendër
të dramave lirike. "Baritë e Betlemit",
"Luigj Gonzaga". Tema e padrejtësive
shoqërore është në qendër
të tragjedisë "Hajria" ku mbizotëron
realizmi, fryma demaskuese ndaj klasave të pasura.
Një lëndë prej qindra faqesh përmban
proza e Fishtës. Është një prozë
e frymëzuar, ku lirizmi krejt natyrshëm
ndërthuret me humorin, satira me groteskun. Shtresat
e fjalorit janë më të larmishmet. Bashkëjetojnë
fjalët, shprehjet, ndërtimet sintaksore
krahinore me arkaizmat, barbarizmat, zhargonet, me
fjalët e shprehjet e latinishtes, të gjuhëve
moderne, perifrazimet, citimet etj., etj. E pasur
në llojet e lëvrimit është publiçistika.
Për patetikën e fuqishme, argumentin, kritikën
shëndoshëse si dhe stigmatizuese dallohen
shkrimet me temë shoqërore.
Në shënjestër ai vë dembelizmin,
përtacinë, indiferencën e shtetasve
të shtetit të ri shqiptar, por edhe lakminë
ndaj kolltuqeve, grykësinë ndaj privilegjeve,
prirjen regresive ndaj aziatizmit si dhe imitimin
banal ndaj perëndimores. Ai bënte thirrje
që në krye të shtetit të vinë
njerëz të kulturuar, atdhetarë, vizionarë
largpamës të shtetit e të kombit. Fishta
është edhe polemist i fuqishëm, ai
polemizon me pena të shtypit vendës si dhe
me ato të letrave të huaja. Merr në
mbrojtje kulturën, dinjitetin, pastërtinë
shpirtërore të kombit. Në polemikat
nuk mungon kurrë argumenti bindës autentik,
si dhe shoqërimi i tyre me argumente nga filozofitë
e ndryshme, shkencat shoqërore e natyrore, por
edhe vërshimet patetike ku shpotit, tall e dermon
pa mëshirë kundërshtarin. Të njohura
janë dhe ligjëratat e Fishtës, ku mbizotëron
fryma solemne dhe argumentuese.
Publiçistika
Për vlera të rralla artistike, për
frymën objektive e shkencore, shquhet prova eseistike
e Fishtës. Një model i përkryer në
llojin e vet është reportazhi. "Një
udhëtim në Turkinë e re". Njohës
i thellë i botës shqiptare, adhurues i saj
gjer në kult paraqitet ai në parathënien
kushtuar "Kanunit të Lekë Dukagjinit"
të Shtjefën Gjeçovit. Njeri me kulturë
të gjerë e pasione të mëdha na
shfaqet në esetë për Gëten, për
arkitekturën, muzikën etj.
Në trashigimninë e tij kanë mbetur
edhe qindra faqe të epistolarit, dorëshkrime
të ndryshme.
Fishta duke qenë njohës i latinishtes, greqishtes
së vjetër, italishtes, frengjishtes, gjuhëve
sllave, në disa prej të cilave edhe krijoi,
duke qenë njohës i përkryer i shqipes
që flitej në viset e Veriut, si dhe i traditës
letrare shqiptare që nga Budi e Bogdani, dha
shembullin e tij se si mund të sillen në
kulturën vendëse thesaret shpirtërore
të njerëzimit. Të freskëta e trasparente
janë përkthimet nga poezia e Silvio Pelikos,
Aleksandër Manxonit, Metastazios etj. Shembull
për përkthyesit e Homerit, përgjithsisht
të poezisë antike e asaj klasike mbetet
Kënga V (fragment) e "Iliadës",
përkthyer prej tij. Frymën e lashtësisë
heroike, madhështinë e heronjve dhe të
betejave ai i mishëron në kompozitat burimore
të shqipes, në fjalët e ralla të
të folmeve të saj, në brumin e gjallë
të shqipes. Tepër kërkues e i saktë
është edhe në përkthimet e Kanconiereve
të Petrarkës. Fishta përshtati në
shqip edhe komedinë "i sëmuri për
mend" dhe "Dredhitë e Patukut"
të Molierit, përshtatje që shquhen
për kolorit e pasuri gjuhësore.
Me veprën e tij të gjerë dhe komplekse
Fishta pasuroi ndjeshëm në radhë të
parë poezinë, por, gjithashtu, letërsinë
tonë dhe kulturën në përgjithësi.
Vepra e Fishtës ndikon gjithnjë në
zvillimin e letërsisë me vëllimshmërinë
e saj, me llojshmërinë e gjinive, me pasurinë
e mjeteve të shprehjes, me autencitetin e saj.
Ajo ka meritën e veçantë të
ketë prekur terrene që deri atëherë,
dhe më vonë mbetën të paprekura
në letërsinë tonë. Ai ka, gjithashtu,
meritën tjetër se kultivoi për herë
të parë edhe me mjeshtëri të lartë
shtresa gjuhësore të gjalla deri atëherë
të pashfrytëzuara. Prandaj ndikimi i tij
në letërsinë tonë është
i madh ei shumllojshëm.