"Lahuta e Malësisë",
me 30 këngë, rreth 17.000 vargje është
quajtur nga shumë studiues "Iliada"
shqiptare, është vlerësuar si i vetmi
epos kombëtar i letërsisë sonë,
madje edhe si epos i Ballkanit. Si vepër epike
që është, megjithatë "Lahuta
e Malësisë" nuk ka një subjekt
të mirëfilltë qendror, rreth të
cilit të vërtiten ngjarjet, rrethanat, personazhet
përfytyrimet. Nëse do të kërkonim
një hero qëndror të veprës, ai
do të ishte heroi anonim, populli. Unitetin e
veprës në të vërtetë, e krijon
një përsonazh që, herë vihet në
plan të parë, herë është
i nënkuptuar. Është Fati i Shqipërisë,
jo më me këtë emër si në
poemat e tjera epike si "Skënderbeu i pafat"
i Jeronim De Radës, "Historia e Skënderbeut"
të Naim Frashërit etj. Këtu Fati i
Shqipërisë qëndron prapa simbolit mitologjik
"Ora e Shqipërisë". Dhe, sipas
besimit shqiptar, rrotull kësaj ore, grupohen
orët e fiseve, bajrakëve, trojeve, orët
e shtëpive, së fundi, orët e çdo
luftëtari, të çdo shqiptari. Këto
krijojnë ansamblin më simpatik të personazheve
në grupin e personazheve mitologjike dhe përgjithësisht
në vepër meqë përcjellin edhe
mesazhin madhor të mbijetesës së shqiptarit
dhe të kombit të tij, pavarësisht nga
befasitë më tragjike të çfarëdo
kohe që mund të vijë. Në unitetin
e veprës ndikojnë drejtpërdrejt edhe
zanat, ndër të cilat njëra përcakton
unitetin formësor të veprës. Kjo është
Zana shqiptare që ka kuptimin e Muzës së
"Iliadës" të Homerit. Në
pikëpamje të rolit që luan në
poemë, përbën binom me Orën e
Shqipërisë. Në këtë grupim
bëjnë pjesë edhe kuçedrat, dragonjtë,
lugetërit, hijet etj., etj.
Ngjarjet e poemës kanë një shtrirje
kohore prej dy brezash njerëzore. Ato fillojnë
më 1858, kur Mali i Zi i nxitur nga Cari i Rusisë,
kërkon të zaptojë tokat tona. Filli
i poemës mbaron kur është shpallur
pavarësia e Shqipërisë dhe Konferenca
e Londrës ka vendosur copëtimin përgjysmë
të këtyre trojeve. Kobi, kështu ekziston
në poemë, në të njëjtin binom
me Fatin.
Fishta bën njëfarë grupimi të
këngëve, sipas kronologjisë historike
të ngjarjeve. Kështu, kemi disa cikle këngësh,
kemi ndërmjet tyre edhe këngë që
qëndrojnë disi më vete, por që
luajnë rolin e rrugëkalimit nga njëri
cikël në tjetrin. Në pikëpamje
të leximit të veprës ato përkohësisht
e shkëputin lexuesin nga terreni historik real
dhe e çojnë në sfera fantastike.
Cikli që hap poemën është ai për
Oso Kukën - pesë këngët e para.
Ngjarjet vazhdojnë pothuaj njëzet vjet më
vonë, të ndërmjetësuara nga këngët
"Dervish Pasha" dhe "Kuvendi i Berlinit".
Këto dy këngë japin atmosferën
që ishte në dëm të fatit tonë
kombëtar. Cikli vijues, që zë hapsirën
më të madhe në poemë, është
ai i Lidhjes Shqiptare të Prizerenit. I vetmi
personazh qendror i ngjarjeve të ciklit është
nga pala armike, Mark Milani i Malit të Zi. Krahas
tij, shfaqet nxitimthi figura e Krajl Nikollës.
Cikli strukturohet në disa nëncikle. Nëncikli
i parë (tre këngë) ka në qendër
Çun Mulën. Pas ekspozesë që
bën kënga "Kulshedra" vjen nëncikli
prej pesë këngësh që sjell skena
masive të përmasave vigane. Nnëcikli
vijues ka në qendër Tringën para dhe
pas vdekjes. Ngjarjet, pas një pushimi tjetër
prej tridhjetë vjetësh, vijojnë me
kryengritjet e Pavarësisë. Këngët
përmbyllëse pothuaj janë të pavarura
nga njëra-tjetra. Kënga e fundit "Konferenca
e Londonit", është në vend të
epilogut të poemës.
Studiuesit e ndryshëm janë përpjekur
të gjejnë pikëtakime mes "Lahutës
së Malësisë" dhe "Iliadës"
së Homerit, sidomos në atmosferën që
i zotëron dy poemat. Ata kanë krahasuar
personazhet që kanë tipare të përbashkëta,
skenat e ngjarjeve etj. Por përfundimi i tyre
ka qenë se poema homerike, përveçse
model i largët, ku është bazuar poeti,
me poemën fishtjane kanë të përbashkët
përkatësinë ballkanike. Në të
vërtetë këto lidhje i bën më
të qëndrueshme një burim i mirëfilltë
i eposit të Fishtës me eposin tonë
legjendar, kryesisht me thelbin e këtij eposi,
ciklin e kreshnikëve.
Konflikti në poemë, në mes shqiptarëve
dhe sllavëve, mes dy kombeve arsyetohet si një
konflikt natyror, me prejardhje nga gjeneza, në
vargun e famshëm, proverbial "n'mni t'shoshoqit
kemi le". Megjithatë, poeti bën thirrje
që të shmanget ky fatalitet i pashmangshëm.
Zoti n'qiell e na mbi tokë/ por gjithnji vllazën
e shokë. Sidoqoftë, tensionon skajshëm
ngjarjet, duke i dhënë "Lahutës
së Malësisë" trajtën e një
eposi dramatik krejt origjinal nga eposet e kombeve
të tjera, me trajta kryesisht tregimtare. Është
në mes të dy palëve urrejtja patologjike
jo vetëm mes njerëzve, por edhe mes qenieve
mitologjike përkatëse, mes natyrës,
dukurive natyrore etj. çfarë e bën
të pamundur që të pushojë a të
prehet së luftuari shpirti i asnjërës
racë, qoftë për një çast
të vetëm.
Te "Lahuta e Malësisë" urrejtja
ndërmjet ky kampeve armike është plazma
ngjitëse e poemës. Ajo vë në marrdhënie
grupimet e personazheve. Në radhë të
parë dy grupimet më të mëdha,
që përcaktojnë frymën realisto-fantastike
të poemës: grupimin e personazheve historike
nga njëra anë dhe grupimin e personazheve
fantastike, të përfytyruara ose mitologjike.
Duke pasur të dy grupimet të drejtën
për të hyrë natyrshëm në
çdo ngjarje, në çdo mjedis a rethanë,
të bisedojnë bashkë, të grinden,
të rrihen, të luftojnë, të besatohen,
të urrehen e të dashurohen, edhe në
realitet ato u përkasin, shkrihen në një
të vetëm. Realiteti mitologjik, qiellor
s'është aspak më hyjnor se sa realiteti
i jetës së përditshme. Realiteti njerëzor,
gjithashtu s'është aspak më tokësor
se sa i përfytyruar e i fantazuar, se sa realiteti
i largët i paprekshëm, mitologjik, qiellor.
Një familjaritet krejt malësor , krejt i
natyrshëm zotëron mës grupimit të
personazheve mitologjike dhe grupimit të personazheve
historike. Ora e Shqipnisë krijon marrëdhënie
krejt njerëzore, gati prindërore me Ali
Pashën e Gucisë kur është çasti
që po luhet me fatin e kombit. Zana e madhe është
simotër e përhershme e poetit, i jep trimëri,
i jep shpirt për të ndjekur zhvillimin e
ngjarjeve, si poeti, uron, mallkon, prandien. Po kështu,
orët e tjera, sipas emrave të fiseve ose
zanat e tjera sipas emrave të maleve. Familjariteti
tipik i kësaj natyre krijohet në këngën
Zana e Vizitorit që shquhet edhe për vlerat
e rralla artistike.
Poeti kujdeset që personazhet historike të
veprës ti vendosë në binom me personazhet
mitologjike. Zakonisht, këta janë shëmbëllesa
të njëri-tjetrit. Tiparet e njërës
palë pasqyrohen te tjtra palë. Bukuria,
fisnikëria, dlirësia e Tringës pasqyrohen
tek Zana e Vizitorit dhe ndërsjelltas. Zana e
Vizitorit, zanë shqiptare, ndërkohë
është në konflikt me Zanën e Durmitorit,
zanë malazeze, nxitëse e Mark Milanit ndaj
shqiptarëve. Në fund të luftimeve zana
e huaj ngelet robinë te varri i Tringës
duke realizuar edhe hakmarrjen për simotrën
shqiptare. Vetë natyra, përbërësit
e saj do të ishin një grupim tjetër
personazhesh po aq njerëzorë sa edhe dy
grupimet e tjera. Autori, ndonëse e hedh vështrimin
herë pas here nëpër gjithë trojet
shqiptare, skenën e ngjarjeve e kufizon në
malësitë e Veriut. Qendër simbolike
të zhvillimit të ngjarjeve, siç e
pohon mendimi i studjuesve, është Shkodra.
Megjithatëai nuk bie në religjionalizëm.
Ai, siç thotë profesor Eqerem Çabej,
përdor njësinë e fisit për të
dhënë njësinë e kombit. Tek fisi
janë pikëzuar tiparet e kombit, tiparet
e racës. Kjo i jep veprës përmasat
kombëtare dhe universale.
Vargu me të cilin është ndërtuar
poema është tetërrokshi i poezisë
popullore të epikës historike të Veriut.
Ai arrin që në këtë varg të
sjellë me dhjetra personazhe, secili prej tyre
krejtësisht i individualizuar, me tipare krejtësisht
të vetat, që nuk mund të largohet nga
kujtesa e lexuesit. Ai, po ashtu, individualizon me
dhjetëra beteja, me dhjetëraskena betejash
madhështore, ku secila prej tyre pikturohet me
ngjyrat e dritat e veçanta, për t'u dalluar
qartësisht nga moria që e rrethon.
Fjalori i Fishtës, pjesa më e madhe e të
cilit nuk është përdorur më parë
në veprat letrare aq më pak në poezi,
me fjalë të panjohura, me arkaizma, solecizma,
me fjalë kompozita, shpesh të ndërtuara
prej tij sipas gjedheve burimore, arrin të krijojë
jo vetëm figura pamore, por edhe dëgjimore.
Rima është një ndër dukuritë
më thelbësore të poemës. Aty shprehet
edhe qëndrimi ideoemocional i poetit. Rimat herë
janë të përputhura, herë të
alternuara ose të kryqëzuara etj.
Ritmet, gjithashtu, janë shumtrajtëshe,
varësisht nga vendet ku bëhen pushimet e
vogla ose të mëdhatë gjatë leximit,
ku në pikëpamjet sintaksore mbarojnë
pjesët e fjalive ose fjalitë. Fishta përdor
në mënyrën e tij përsëritjet
në fillim, në mes ose në fund të
vargut, refrenet, përsëritjet e teksteve
të plota, citimet nga kryeveprat e folklorit,
rendin e përmbysur të fjalëve etj.
Dialogët e shpejtë, sentencat filozofike,
përbetimet, lutjet, urimet, mallkimet, sharjet
e ashpra, pasthirrmat, pyetjet retorike, pyetjet në
përgjithësi krijojnë larmi ritmesh,
larmi gjendjesh shpirtërore te lexuesit.
Ritmin e shprehjes së shprehësisë artistike,
të leximit e përcakton fuqimisht figuracioni.
Hiperbola është mjeti kryesor i eposit fishtjan,
por një hiperbolë sa fantastike aq edhe
realiste. Fantastike për përmasat zmadhuese
të tiparit ose efektit të tiparit, realiste
për konkretësinë e tyre.
Karakteristik është krahasimi, sidomos krahasimi
i gjatë, shpesh i ndërlikuar me disa krahasime
e të tjera në përbërje të
tij, që zotëron tekste të tëra
këngësh. Gjithashtu, metafora përdoret
me origjinalitet me nëntekste të shumfishta
të folklorit.
I papërsëritshëm në krejt letërsinë
tonë është përdorimi i eufemizmave
me efekte artistike, herë përkëdhelëse,
adhurues, e himnizues, herë paditës, i ashpër,
e makabër. Eufemizmi funksionon në vend
të emrave të perëndive, qenieve mitologjike,
por edhe të personazheve kryesore të grupimit
historik. Epiteti ka gjithnjë ngarkesa metaforike,
është pjesmarrës në krahasime
ose hiperbola. Animizmi dhe personifikimi sikurse
dendur prozopopea janë mjetet më efikase
të drejtpeshimit fishtian në mes të
realitetit tokësor, të zbritur në rrafshin
më intim e më konkret tokësor. Disa
ndër këngët më të përkryera
të poemës si "Kulshedra", "Te
ura e Sutjeskës", "Zana e Vizitorit"
etj. janë një manifestim pothuaj marramendës
i të gjitha llojeve të figurave stilistike.
Dhe i gjithë ky univers artistik i realizuar
me tetërrokëshin e famshëm fishtjan!