Kryevepër e lirikës së
Fishtës konsiderohet pothuaj njëzëri
nga njohësit e tij "Mrizi i zanave".
Ai e ndante lirikën e tij në dy lloje: atdhetaret
dhe të përshpirtshmet ose ato të jehonës
së shpirtit.
Nëse e gjithë krijimtaria e Gjergj Fishtës
është quajtur përmendore e gjallë
e gjuhës shqipe, poezia e tij "Gjuha shqype"
mund të quhet lirika më e bukur që
i është kushtuar asaj në krejt poezinë
tonë. Krahasimet e njëpasnjëshme, me
thelb metaforik sublim, që shkallëzohen
drejt ngjitjes e bëjnë atë krijim himn
të përkryer.
Nëse sublimiteti i poezisë së mësipërme
realizohet nëpërmjet shprehjeve delikate
të brishta e flladitëse, ky tipar në
poezinë "28 Nanduer 1913", "Nji
gjamë desprimit", "Syrgite mortui",
"Emancipacioni i kombit shqiptar" etj.,
realizohet përmes vrullit të papërmbajtur,
përmes ashpërsisë ngjethëse, përmes
thirrjeve dhe kushtrimeve luftarake. Poezia "Nji
gjamë desprimit" është një
gjëmë e një klithmë që akuzon
agresionin e Malit të Zi të 16 prillit 1914
ndaj Shkodrës dhe viseve tona veriore. Poezia
"Surgite mortui" që fajëson Evropën
për të gjithë tragjeditë që
po i ndodhnin Shqipërisë, e cila s'ka marrë
ende frymë nga varfëria pesëshekullore
turke, ishte shembull i ashpërsisë së
skajshme të stilit të Fishtës ku nuk
kursehen përbuzjet, sharjet neveritëse,
sarkazma, grotesku, ku u bëhet apel luftarak
të gjallëve dhe të vdekurve, varreve
dhe djepave.
Në lirika filozofike ai trajton çështje
të përgjithshme të jetës e të
botës. Ndër më të realizuarat
janë "Burrnia", "Kataklizmi i
rruzullimit", "Një lule vjeshtet",
"Gurrave të Jordanit" etj. Në
poezinë "Burrnia" me një plastikë
të përsosur, me një ndërtim të
saktë klasik, ndeshen jeta dhe vdekja. Epërsia
apsolute është në anën e vdekjes,
e cila zotëron çdo mjet për ta asgjësuar
bukurinë fizike të natyrës dhe të
njeriut. Në të kundërtën lirika
"Katalikizmi i rruzullimit", ndonëse
ka thelb filozofik, fillesën dhe misionin e ka
të natyrës etike, morale. Në emër
të së mirës së përdhosur,
të së bukurës së shkelur, ai nxit
gjithë forcat kaotike, me qëllim që
të rivendosë harmoninë mes përbërësve
të rruzullit dhe, njëkohësisht në
harmoni gjithë rruzullin në Gjithësi.
Në poezinë "Nji lule vjeshtet",
me njëmbëdhjetërrokësha të
bardhë, poeti ankohet për vdekjen, ngrihet
në mbrojtje të idealit të së bukurës,
së mirës, së dobishmes. Në odën
"Gurrave të Jordanit" në strofa
safike ai e përjeton me dhembje të kaluarën
që vete e nuk kthehet më, por mbresën,
ia ka lënë të pashlyeshme njerëzimit,
si vetë rrjedha e ujit që, ndonëse
është e përjetshme, sipas dukjes, në
të vërtetë rinohet, ndërron paprerë.
Ndër lirikat e buta shquhen "Mbi vorr t'Anton
Xanonit" që i afrohet lirikës së
llojit intim të shoqërisë e miqësisë
për nga fryma e qortimit, e lavdërimit,
e mirëkuptimit mes heroit lirik dhe bashkëbiseduesit.
Lirikë e mallit universal, për atdheun,
nënën, mjediset intime, vatrën familjare,
fëmijërinë e rininë është
"I dëbuemi".
Më 1907 Fishta botoi pa emër përmbledhjen
e parë satirike "Anzat e Parnasit"
e cila u ribotua më 1928 dhe 1942, e pasuruar.
Studiuesit hamendeshin nëse Fishta është
më i madh si epik, lirik, ose si satirist. Sidoqoftë
ai mbetet satiriku më i madh i letërsisë
sonë.